1. Djordje Damjanović: Fillimet e mia si mësues i MGJP-së në Vjenë

Djordje Damjanović është nga Bosnja-Hercegovina. Që prej 22 vitesh jeton në Vjenë ku është mësues i MGJP-së boshnjake/kroate/serbe.

Para se të vija në Austri, u diplomova për punë teknike (TW) në Kroaci dhe të njëjtën lëndë e jepja mësim në Zagreb. Për shkak të luftës m’u desh të largohesha nga Jugosllavia dhe në vitin 1992 u nisa drejt Vjenës. Viti im i parë si mësues për fëmijët e refugjatëve ishte në shumë drejtime i ngjashëm ose pothuajse i njëjtë më atë të nxënësve të mi të cilëve u jepja mësim. Unë isha refugjat, dhe ata po ashtu. Si unë edhe ata nuk donim që të vinim këtu, por kjo ishte diçka e detyrueshme. Asnjë nga ne nuk dinte gjermanisht. Rastësisht u takuam në klasë. Unë punoja në një shkollë 9-vjeçare, ku isha i punësuar falë kualifikimeve për lëndën e TW-së. Më pas m’u tha se duhet të jepja dhe lëndën e historisë dhe gjeografisë së Austrisë, si dhe disa lëndë të tjera në gjuhën amtare të nxënësve të mi. Megjithëse njohuritë e mia të gjermanishtes ishin jo të mira, në dispozicion kisha vetëm libra shkollore austriakë. Gjatë kohës që merresha me përgatitjen e mësimit, arrita që në një periudhe kohore mjaft të shkurtër të mësoja aq shumë gjëra si asnjëherë më parë. Njëkohësisht mësonim të dy palët. Nxënësit më të mirë vazhduan rrugën e tyre, shumë prej të cilëve bënë madje edhe një karrierë universitare.

Vitin tjetër shkollor mora detyrën e një mësuesi të mirëfilltë të MGJP-së, atë të mësimit të gjuhës amtare. Mësimin e gjuhës amtare e ndava në variant integrues dhe pa ndërprerje. Sfida më e madhe ishte se nxënësit zotëronin njohuri mjaft të ndryshme të gjuhës amtare dhe se praktikisht nuk kishte fare materiale mësimore. Vetëm në sajë të ndihmës dhe përkrahjes së stafit të kolegëve, Këshillit të Shkollës së Qytetit, Ministrisë Federale së Arsimit si dhe bashkëpunimit tonë të mirë, mundëm të përmbushnim deri diku detyrat tona. Madje në një kohë të shkurtër, edhe vetë kolegët të cilët kishin pasur një qëndrim skeptik kundrejt mësimit të gjuhës amtare ishin të mendimit që do të ma kishin nevojën jo vetëm në klasa dhe në shkollë, por edhe tek puna e prindërve dhe komunikimi ose dhe me komunitetin e emigrantëve. Klasat shumëgjuhë- she kanë nevojë për mësues shumëgjuhësh. Kështu pas 20 vitesh erdhëm në pikën që nxënësit e mi të atëhershëm japin sot mësim me mua.


2. Hyrije Sheqiri: Të qenët si mësuese e MGJP-së: Një detyrë me përgjegjësi dhe krenari.

Hyrije Sheqiri është nga Kosova. Që prej vitit 1995 jeton në Suedi, ku ka qenë ose më saktë është përgjegjëse për MGJP-në shqiptare në Ronneby, Karlskrona dhe që prej 2007 edhe në Karlshamn.

Kujtimi i herës sime të parë si mësuese e MGJP-së në Suedi, për arsye të veçanta, është e lidhur me emocione tepër të forta. Nga njëra anë kjo ishte periudha e luftës në Kosovë. Në kampet e refugjatëve kishte shumë fëmijë shqiptarë. Edhe pse shumica e tyre nuk kishin një lejeqëndrimi, u jepej e drejta e frekuentimit të shkollës dhe të mësimit në gjuhën amtare. Shumë ishin të traumatizuar nga lufta dhe arratisja; gjuhën suedeze nuk e dinte asnjë prej tyre. Përshtatja me shoqërinë dhe shkollën e re ishte ekstremisht e vështirë për ta; shtojmë dhe faktin e përballjes me doket dhe zakonet e reja, më të cilat nuk ishin njohur më parë. Pra, nuk ishte asnjë çudi që ata vinin me qejf në mësimin e gjuhës së prejardhjes dhe se unë nuk kisha thjesht rolin e mësueses, por edhe nga pak rolin e mamasë, këshillueses së tyre, motrës, psikologes dhe të përkthyeses. Shkurt: Unë përfaqësoja për ta gjuhën, kulturën dhe vendlindjen e tyre. Këto të gjitha së bashku: dashurinë e tyre, dhimbjen, shqetësimet dhe plagët i mora dhe unë plotësisht që në fillim. Në qendër të të gjithave mbeti roli im si mësuese e gjuhës së prejardhjes, të cilën e përmbusha me përkushtim të madh. Kjo ishte një punë e vështirë, e lodhshme dhe plot me përgjegjësi, por gjithashtu edhe e bukur e plot me kënaqësi.

Një shpenzim të veçantë kishte dhe prodhimi i materialeve mësimore, që së pari ishin të përshtatshme për MGJP-në shqiptare dhe të përputhshme me planin mësimor suedez (në Suedi MGJP-ja është pjesë e programit të rregullt mësimor dhe varet nga kurrikulat e tyre). Si shembuj për materialet mësimore që prodhonim, në të shumtën e rasteve merrnim libra dhe materiale shkollore suedeze. Në mënyrë që këtë gjë ta përshtatnim me nevojat dhe qëllimet tona, kërkohej shumë mund dhe profesionalizëm. Aftësitë përkatëse i fituam mbi të gjitha në sajë të kontaktit të ngushtë dhe të përditshëm me kolegët mësues suedezë, por edhe në sajë të bashkëpunimit me mësues të MGJP-së të grupeve të tjera gjuhësore.


3. Birsen Yılmaz Sengül: Shumë gjëra ishin ndryshe për mua …

Birsen Yılmaz Sengül vjen nga Turqia. Që prej tri vitesh ajo jeton në Nürnberg, ku punon si mësuese e MGJP-së turke.

Në krahasim me mësimdhënien në Turqi, shumë gjëra ishin ndryshe për mua.
Secila klasë përbëhej nga nxënës të grupmoshave të ndryshme. Mësimi i gjuhës amtare turke zhvillohej gjithmonë pasditeve, pas mësimit «normal». Për këtë arsye disa fëmijë ishin të uritur dhe nuk mund të përqendroheshin mirë. Disa prej tyre thjesht nuk kishin më dëshirë që pas pesë ose gjashtë orësh mësimi të mblidhnin dhe njëherë veten dhe të mësonin dhe dy orë të tjera turqisht.

Frekuentimi i MGJP-së ishte dhe është me dëshirë. Kjo gjë sjell pasojën, që shumë nxënës e frekuentonin jo rregullisht ose fare. Shumë preferonin më mirë të luanin jashtë me shokët ose të bënin qejf në kopsht. Por, edhe tek ata që vinin, niveli linte shumë për të dëshiruar. Arsyeja është sepse në shtëpi gjuha amtare nuk flitej aspak dhe në rastet kur flitej, bëhej në një mënyrë fare të pasaktë. Shumë prindër nuk dinin vetë mirë të flisnin gjuhën turke si dhe gjuhën e folur nuk e zotëronin mirë, edhe pse nuk ishin të vetëdijshëm për këtë.

Meqenëse MGJP-ja është lëndë fakultative dhe jo e detyrueshme me notë, motivimi dhe përkushtimi i shumë nxënësve ishte i ulët. Prandaj përpiqesha të rrisja interesin e tyre me mënyra zbavitëse. Pesëmbëdhjetë minutat e para të çdo ore mësimi bëja një hyrje zbavitëse të mësimit dhe mundohesha t’i fusja sa më ëmbël në mësimin e gjuhës turke. Për këtë gjë kërkova dhe gjeta lojëra të ndryshme me anë të të cilave fëmijët të mund të kuptonin dhe të përdornin më mirë gjuhën turke. Me kalimin e kohës ia dola që në këtë mënyrë të rritej motivimi, pjesëmarrja të bëhej e rregullt si dhe ardhjen e shumë nxënësve në MGJP-ë.

Një problem tjetër ishte dhe është, se ne këtu nuk shihemi si mësues të vërtetë. As nga prindërit, as nga fëmijët dhe ndonjëherë as nga mësuesit bavarezë. Madje një herë edhe jam pyetur, nëse jam një mësuese e mirëfilltë, apo thjesht dikush që jep një herë në javë kurs për mësimin e gjuhës turke. Arsyeja primare qëndron në faktin se ne nuk vendosim nota nga ana formale dhe se përkatësisht notat tona janë të parëndësishme për dëftesën zyrtare të notave Gji- thashtu, pjesëmarrja e prindërve në takimet me prindër është shumë e ulët. Madje edhe një pjesë e mësuesve e quajnë MGJP-në si të parëndësishme. Disa u këshillonin qartë prindërve, që të mos i dërgonin në këto mësime sepse përndryshe do t’u ngatërroheshin gjuhët.

Probleme të tjera, të cilat nuk i dija që nga Turqia, janë p.sh. njohuritë e shumta të ndryshme të nxënësve. Kështu mund të ndodhë që nxënës i klasës së pestë të ketë nivelin gjuhësor të një nxënësi të klasës së dytë. Nga shteti turk ne kemi në dispozicion mjete mësimorë të kërkuara nga vetë ne, por është shumë e vështirë përshtatja e tyre në një spektër rezultatesh heterogjene. Risi ishte dhe për mua fakti se duhet të jepja mësim çdo ditë në shkolla të ndryshme. Prandaj është mjaft i rëndësishëm ndërtimi i kontakteve me mësues gjermanë. Një problem për mua fillimisht qe dhe orientimi dhe kuptimi i një sistemi shkollor kaq i ndryshëm nga ai i Gjermanisë.


4. Hazir Mehmeti: Sfida të vjetra dhe të reja

Hazir Mehmeti vjen nga Kosova. Që prej shtatëmbëdhjetë vitesh jeton në Vjenë, ku që prej vitit 1999 punon në shkolla të ndryshme si mësues i MGJP-së shqiptare.

Kur fillova të punoja në Vjenë si mësues i MGJP-së, në klasën time kisha shumë fëmijë dhe të rinj të dëbuar prej luftës. Krahas problemeve dhe traumave që solli situata politike, pati dhe disa vështirësi metodiko -didaktike. Kështu nxënësit e mi të atëhershëm nga vendlindja e tyre ishin mësuar me një metodikë mësimore ndryshe dhe më të thjeshtë sesa ajo e Austrisë. Aktivitetet që kanë të bëjnë me lëndët e profesionit dhe të mësuarit konkret ishin për ta të panjohura, duke qenë se mbi të gjitha ata ishin mësuar me një përdorim pasiv të mësimit frontal në klasa të mëdha.

Këtu në Austri, kontakti me nxënësit është shumë i ndryshëm dhe ofrohen mundësitë të merresh dhe të punosh me fëmijët në mënyrë individuale. Mbi të gjitha, këto vlerësime, pika kryesore dhe metoda të tjera i mësova vetë nëpër seminaret që ofrohen këtu për mësuesit e MGJP-së. Kjo ishte një detyrë e rëndësishme përsa i përket integrimit tim vetjak si mësues në Austri. Një element të rëndësishëm përbënte dhe përbën shkëmbimi i përvojave me kolegët.

Një sfidë tepër e veçantë qe puna në «sistemet shumëklasore», me grupe nxënësish me mosha dhe nivele të ndryshme. Mësimdhënia në klasa të tilla heterogjene kërkon metoda të posaçme dhe principe pedagogjike, planifikim specifik dhe të bollshëm mësimor si dhe shumë kreativitet. Më të preferuarat ishin dhe janë për nxënësit vlerësimet e të mësuarit nëpërmjet lojërave, të cilat i japin ngjyrim mësimit dhe mbeten gjithmonë një sfidë më vete.

Procese të vërtetuara janë p.sh. mësimi i dy gjuhëve i cili ndihmon në një të kuptuar sa më të mirë, më pas të mësuarit nëpërmjet muzikës si dhe të metodës së lojërave me role, me të cilat në pikëpamje të ndryshme kam pasur përvoja të mira. Sot, përsa i përket sigurimit të materialeve mësimore, i përfshij shumë nxënësit (me kërkime në internet ose në bibliotekë) dhe vetë e përdor internetin në shqip dhe në gjermanisht.


5. Valeria Bovina: Këshilla premtuese për mësuesit fillestarë të MGJP-së.

(krahaso edhe kapitullin 12)

Valeria Bovina vjen nga Bolonja e Italisë. Që prej vitit 2009 punon në Cyrih si mësuese e MGJP-së italiane.

Viti i parë si mësuese në një vend të ri, në një sistem shkollor të ri, në një kulturë të re shkollore, në një strukturë të re, është gjithmonë i vështirë. U mundova të sistemoja disi përvojat e mia lidhur me këtë në Cyrih dhe të nxirrja prej tyre një numër udhëzimesh. Ndoshta ato ndihmojnë kolegët që shpërngulen ose fillojnë së fundmi të japin mësim, për të filluar një punë sfiduese por të bukur dhe tërheqëse si mësimi i gjuhës së prejardhjes.

Këshilla për mënyrën e drejtimit të shkollës (dhe sipas strukturës edhe me institucionet e arsimit)

  • Lënia e një takimi për t’u prezantuar

  • Vënia në dukje e gatishmërisë dhe interesit për bashkëpunim

  • Të pyetet rreth planifikimit të pushimeve të shko- llës dhe rreth takimeve të brendshme (ditët e sportit, konvikti, kualifikimet)

  • Të informohen rreth zakoneve dhe sjelljeve në shkollë (salla e mësuesve, makineria e kafesë, mbyllja e dyerve …)

  • Të informohen rreth çështjeve organizative dhe strukturore (ku mund të bëhen fotokopje, si duhen lënë klasat pas mësimit, etj)

  • Të sigurohen për vënien në dispozicion të klasave mësimore adekuate (ndonjëherë MGJP-së i lihen në dispozicion klasa të papërshtatshme, sepse fëmijët e huaj ngacmojnë çdo gjë dhe bëjnë zhurmë)

  • Në rast konflikti të kontaktohen vendet e koordinimit të MGJP-së përkatëse (konsullata, shoqata e mësuesve …), institucionet vendore të shkollimit ose sindikatat

Këshilla rreth marrëdhënieve me kujdestarin e konviktit

(Kujdestari/ja e konviktit zë një vend të rëndësishëm në mjediset e shkollës dhe asnjëherë nuk është thje- sht një nëpunës/e)

  • Lënia e një takimi dhe prezantimi me të

  • Informimi rreth rregullave të shtëpisë dhe mbajtja parasysh e tyre (cilat janë rregullat për vendin e pushimit, pajisjet e lojërave, ushqimi dhe pijet në dhomë, mbeturinat …)

  • Marrja e çelësit të shkollës dhe ruajtja e tij me përgjegjësi

  • Të kërkohet falje në rast se diçka nuk shkon siç duhet …

Këshilla rreth marrëdhënieve me mësuesit e mësimit të rregullt.

  • Prezantimi (p.sh në sallën e mësuesve ose në një nga konferencat e shkollës), kërkimi dhe lidhja e kontakteve

  • Të tregohet gatishmëri dhe interes për bashkëpunim

  • Të tregohet gatishmëria ndaj shkollës si një specialist në një fushë dhe kulturë të caktuar

  • Të mos mërziteni nëse disa nga mësuesit vendës në fillim janë të distancuar dhe të rezervuar, ose kur lihet përshtypja e të qenit «i pasigurtë»

  • Të pyetet rreth pajisjeve brenda shkollës (makineria e kafesë, fotokopja, etj.)

  • Të mundoheni të shpjegoni funksionin dhe kuptimin e MGJP-së, të ftoni të interesuarit për një shkë- mbim të ndërsjellë të vizitave të shkollave

Këshilla rreth marrëdhënieve me prindërit

  • Kujdesi ndaj një komunikimi të mirë nëpërmjet bisedave dhe mbrëmjeve prindërore (të paktën dy herë në vit)

  • Prezantimi i përmbajtjes, qëllimeve dhe mënyrës së të vepruarit të mësimit

  • Shpjegimi i pikave të rëndësishme pedagogjike dhe metodiko-didaktike

  • Sqarim i rolit të prindërve dhe mësuesve (= person i specializuar për mësimdhënie)

  • Pavarësisht kritikave eventuale, të mbani qëndrim të drejtë, të qetë, të hapur por edhe të qartë e të vendosur

Këshilla rreth kualifikimeve

  • Informim rreth mundësive lokale të kualifikimeve si dhe përdorimi i tyre (mundësi të shkollave të larta pedagogjike, të drejtorive arsimore, etj. Informacione të mëtejshme mund të japi dhe drejtori i shkollës)

  • Eventualisht frekuentimi i kurseve për të përmirësuar zotërimin e gjuhës së vendit ku punohet (e rëndësishme për integrim dhe bashkëpunim)

  • Të informohen rreth jetës kulturore të vendit të ri (programe kulturore, muze, biblioteka, shoqata, panaire, mundësi për nxënësit etj.)

Para dhe pas mësimit

  • Të paktën dhjetë minuta para mësimit të jeni në klasë (keni kohë për të përgatitur çdo gjë)

  • Pas mësimit rregullim dhe sistemim patjetër, çdo gjë të lihet siç ishte më parë (tabela, tryeza, dyshe- meja …)

 


Tabela e pëmbajtjes