1. Božena Alebić: Marrëdhënia ime me parimin e individualizimit

Božena Alebić Ajo është me prejardhje nga Kroacia (Split-i). Në vitet 2004–2008 dhe 2010–2014 ka punuar si mësuese në MGJP-në për gjuhën kroate në Cyrih.

Në mësimdhënien e gjuhës kroate jashtë vendit është domosdoshmërisht i nevojshëm zbatimi i parimit të individualizimit për arsyen se fëmijët janë mësuar me një mësimdhënie normale ku zhvillohet diskutimi me të gjithë klasën. Për këtë arsye unë përpiqem gjithmonë që për një kohë sa më të shkurtër të njihem me çdo fëmijë dhe me kompetencat e tij gjuhësore, njohuritë paraprake, aftësitë dhe vështirësitë e tij.

Individualizimi fillon që me përzgjedhjen dhe planifikimin e temave. Kam vënë re që një temë mund të trajtohet në nivele, në shkallë vështirësie dhe për mosha të ndryshme. Unë zakonisht filloj më një fazë të përbashkët, në të cilën të gjithë nxënësit sqarohen në gjuhën kroate për kërkesat dhe konceptet themelore që janë të nevojshme për temën. Këto janë kryesisht koncepte të zakonshme dhe të konsumuara edhe më parë, por ka edhe të tjera, të cilat duhen të bëhen të njohura për ta. Më tej pason një ushtrim individual me shkrim, i cili duhet të përpunohet vetëm ose me partnerë. Për këtë krijoj fletë pune për nivele të ndryshme kërkueshmërie dhe vështirësish. Unë sigurohem që çdo version dhe çdo fletë pune të fillojë me ushtrime të thjeshta dhe vështirësia të rritet shkallë shkallë, në mënyrë që në fund të ngelen detyrat më të ndërlikuara. Kështu edhe nxënësit më të dobët mund të përjetojnë shijen e suksesit, duke ia dalë me ushtrimet e para (të thjeshta). Në kontrollet gjatë të mësuarit dhe gjithashtu në provime i kushtoj rëndësi këtij shkallëzimi. Pastaj mund të kërkoj p.sh. që nxënësit më të dobët t’u përgjigjen të paktën pesë pyetjeve të para, mesatarët dhjetë prej tyre, ndërsa më të mirët t’u japin përgjigje 15 pyetjeve. Qëllimi kryesor i këtij procesi është që çdo fletë pune të përshtatet në mënyrë optimale me nevojat dhe mundësitë e nxënësve.

Principin e individualizimit e kam parasysh edhe në ushtrimet e gjuhës dhe në detyrat me gojë. Fillimisht tregohem gjithmonë e kujdesshme që çdo nxënës të ketë kuptuar përmbajtjen e referuar. Shpesh u shpjegoj ushtrimet e njëjta në mënyra të ndryshme dhe ka raste që ua shpjegoj ato nxënësve të pasigurtë edhe njëherë individualisht. Përmbajtjet e detyrave dhe temave që diskutohen në klasë i zhvilloj në atë mënyrë që të jenë të afërta me botën e çdo fëmije. Unë përpiqem që të zgjedh tema dhe çështje, të cilat u interesojnë atyre dhe që prekin përvojat, kompetencat dhe njohuritë paraprake të tyre. Për arsyen se nxënësit dhe nxënëset janë të ndryshëm nga njëri-tjetri nga vetë mosha, gjinia, interesat etj., disa tema nuk i lë që të diskutohen në klasë, por në grupe të vogla. Çdo grup në fund prezanton shkurtimisht se çfarë ka zbuluar dhe përvetësuar.

Në krahasim me mësimin e rregullt në Republikën e Kroacisë, heterogjeniteti i nxënësve është një sfidë e madhe në MGJP. Shpesh në të njëjtin grup gjenden fëmijë nga kopshti deri në klasën e tetë. Në një grup të tillë është shumë e vështirë për të gjetur një motivim të përbashkët për të punuar, madje edhe atëherë kur bëhet fjalë thjesht për t’u përqendruar në një lojë.

Krahas individualizimit, në tiparet e mësimdhënies sime bëjnë pjesë edhe parime të tjera pedagogjike. Si më të rëndësishmet po përmend parimin e të qenit i pavarur, parimin e mësimnxënies në formën e lojës dhe parimin e kreativitetit. Parimet e të mësuarit në formën e lojës dhe kreativitetit përpiqem t’i përdor sa herë më jepet mundësia, sepse që nga emri «lojë» ajo bëhet motivuese për nxënësit. Në këtë aspekt ne zhvillojmë lojëra të ndryshme gjuhësore, lojëra memorizuese, lojëra të të mësuarit përmendësh, lojëra përqendrimi etj., të cilat kanë sigurisht një efekt të madh në mësimnxënie. Për ta zhvilluar mësimnxënien në këtë mënyrë kërkohet shumë angazhim dhe kreativitet. Gëzimi dhe pjesëmarrja e nxënësve tregon megjithatë se e gjitha kjo ia vlen medoemos.


2. Saliha Salih Alcon: Individualizimi dhe përkrahja e të qenit i pavarur. Disa arsye dhe një shembull

Saliha Salih Alcon e ka prejardhjen nga Spanja. Ajo jeton që prej 9 vitesh në Vjenë dhe punon atje që prej 2 vitesh si mësuese e gjuhës amtare për arabisht dhe spanjisht.

Në mësimdhënien time të gjuhës arabe ka nxënës me kërkesa dhe nivele të ndryshme gjuhësore.
Shumë fëmijë vijnë nga martesa të përziera, tek të cilët kryesisht babai flet arabisht. Këta fëmijë mezi flasin edhe kuptojnë arabisht. Në më të shumtën e rasteve MGJP-ja i ofron atyre mundësinë e vetme për ta mësuar arabishten «siç duhet».

Veç kësaj në klasën time ka nxënës, të cilët i kanë të dy prindërit arabë. Po për arsyen se ata vijnë nga vende të ndryshme të Arabisë dhe flasin dialekte komplet të ndryshme, kanë zakonisht edhe vështirësi për të kuptuar gjuhën letrare arabe ose arabishten standarde. Disa nga nxënësit e mi mund të shkruajnë, por nuk janë në gjendje të lexojnë dhe njëkohësisht të kapin kuptimin e asaj që lexojnë. Disa të tjerë kanë një shqiptim, që duhet menjëherë të përmirësohet. Ka nga ata që flasin mirë dhe kuptojnë shumë, por nuk dinë as të shkruajnë edhe as të lexojnë. Në përgjithësi gati çdo fëmijë ka kompetenca të ndryshme në gjuhë dhe në lexim, nevoja të ndryshme mësimore, kërkesa dhe njohuri të ndryshme. Detyra ime e parë është të dalloj se çfarë niveli ka secili prej nxënësve dhe në cilat fusha duhet të përkrahen ata.

Në lidhje me këtë parimet pedagogjike të individualizimit dhe të të qenit i pavarur janë shumë të rëndësishme. Trajtimi i klasës si «grup homogjen» dhe të ofruarit për të gjithë nxënësit të të njëjtin material për të mësuar, do të ishte absolutisht i pamundur. Nuk mund të konceptohet mësimdhënia pa individualizimin dhe diferencimin. Unë i nxis nxënësit të jenë të pavarur, në mënyrë që ata jo vetëm të mësojnë për të përballuar vetëm ose në grup detyrat që do t’i jepen, por edhe të zhvillojnë aftësinë për të reflektuar mbi nivelin e tyre të njohurive dhe mbi nevojat e tyre mësimore.

Një parim tjetër i rëndësishëm është orientimi drejt kompetencave të mësimdhënies. Për mua kjo nënkupton që unë duhet të mendoj thellë para çdo mësimi ose renditje temash, se çfarë kompetencash faktike, gjuhësore, personale dhe sociale përvetësojnë nxënësit ose cilat duhet të thellohen tek ata dhe si mund ta përcaktoj më vonë, nëse është arritur ndërtimi i këtyre kompetencave. Një shembull do të ishte: Planifikimi i një mësimi për klasat fillore duke aplikuar diferencimin e brendshëm. Tema: «Bashkëjetesa fetare».


  1. Hyrja: Fillimisht pyes fëmijët nëse kanë qenë ndonjëherë në kishë ose në xhami dhe i lë ata të tregojnë rreth kësaj. U sqaroj atyre që sot do të shpjegojmë së bashku këtë temë dhe u tregoj se si do të organizohet mësimi.

  1. Zhvillimi: Shikojmë të gjithë së bashku një video në gjuhën arabe për kishat dhe xhamitë. Pasi kemi sqaruar problemet kuptimore, i ndaj fëmijët në dy grupe. Fëmijët që janë të aftë në lexim marrin një tekst me vende bosh dhe bashkë me të fjalët që mungojnë për t’i prerë dhe për t’i ngjitur në tekst. Kur të kenë mbaruar duhet të vinë tek unë. E diskutojmë së bashku se si e kanë zgjidhur detyrën, çfarë mund të bëjnë mirë dhe ku mund t’i përmirësojnë më tej kompetencat e tyre. Më pas ata marrin një figurë të një xhamie ose të një kishe për ta pikturuar. Fëmijët e tjerë i caktoj të shkruajnë në arabisht dhe të ushtrohen me shkronjat e para të koncepteve «xhami» dhe «kishë» duke i kopjuar nga dërrasa. Pasi të kenë mbaruar më tregojnë punimet e tyre dhe marrin një feedback për to. Më pas marrin edhe ata një figurë për ta pikturuar.

  1. Rishikimi i gjërave kryesore: Duke u bazuar në ki-shat dhe xhamitë e pikturuara kontrolloj konceptet e përmendura në video (kulla/minare, priftërinjtë)

  1. Përmbyllja: Ne diskutojmë si klasë temën se të jesh arab nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh mysliman sepse shumë arabë janë të krishterë. Një marrëdhënie me respekt ndaj njëri-tjetrit është e rëndësishme për një bashkëjetesë në harmoni.

3. Gaca Radetinać: Një shembull i vogël i orientimit drejt nxënësve dhe roli im si trajnere e mësimnxënies.

Gaca Radetinać është me prejardhje nga Bosnja. Ajo jeton në Karlskrona (Suedi) dhe punon atje prej shumë vitesh si mësuese e gjuhës amtare për gjuhën boshnjake, kroate dhe serbe.

Gjatë mësimdhënies unë përpiqem të jem sa më e tërhequr për t’i lënë hapësira nxënësve që të jenë sa më aktiv që të jetë e mundur. Kjo vlen gjithashtu edhe për mësimet relativisht «konvencionale». Këtë lloj mësimdhënie nuk e njoh duke u nisur nga arsimi im. Megjithatë kjo është mundësia e vetme për vetë faktin se nxënësit janë mësuar në shkollat suedeze me këtë formë të punuari. Këtë lloj mësimdhënie dhe rolin e ri të mësuesit e kam njohur këtu në Suedi, gji- thashtu edhe në bisedat dhe gjatë orëve mësimore të kolegëve të mi suedezë.

Tema e mësimit (2 orë mësimi)

Të drejtat e fëmijëve

Viti shkollor

Nga klasa e 2-të deri te klasa e 6 (më të rriturit punojnë me një projekt tjetër); 14 nxënës.

Prejardhja dhe qëllimet

Pavarësisht nëse je nga një vend me mirëqenie të lartë si Suedia ose nga një vend i varfër, ndodh që fëmijët të përballen me situata të këqija. Kryesisht ata dinë shumë pak rreth UNICEF-it (Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve). Çdo shkollë mban përgjegjësinë për të informuar fëmijët mbi të drejtat e tyre. Në Suedi madje kjo kërkohet edhe me një ligj në arsim.

Si mësuese e MGJP-së është e rëndësishme që të jepen këto informacione gjithashtu edhe në gjuhën e parë dhe të diskutohet me fëmijët për to.

Materiali


  • Rreth 20–30 figura fëmijësh (të marra p.sh. nga revistat ose interneti me shprehi të ndryshme të fytyrës si: i gëzuar, i trishtuar, i plogët etj.

  • Pesë copa letre me pika për t’u diskutuar: «Përshkruani gjendjen emocionale të fëmijëve nëpër figurave me të paktën 3 mbiemra. Mundohuni të kuptoni se përse fëmijët ndihen kështu; Krijoni nga një histori të shkurtër për çdo figurë, të cilat do na ndihmojnë të kuptojmë shprehitë e fytyrës së fëmijëve.»

  • Kopje të neneve më të rëndësishme të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve. Mundësisht në një version të thjeshtëzuar.

Rrjedha e mësimit


  1. Fillimisht informoj klasën shkurtimisht mbi temën dhe qëllimin e mësimit.

  1. I vendos 20–30 figurat mbi dysheme. Për këtë më ndihmojnë një ose dy fëmijë.

  1. Fëmijët ndahen dy nga dy në grupe. Çdo skuadër zgjedh dy ose tri fotografi dhe i caktohet një fletë me pika diskutimi dhe i kërkohet që pas 10 minutash të tregojnë shkurtimisht se çfarë përfundimesh kanë nxjerrë. (Gjatë krijimit të skuadrave kam parasysh që fëmijët me vështirësi më të mëdha gjuhësore të punojnë së bashku me fëmijët me aftësi më të mira në këtë fushë)

  1. Rreth 10 minutash diskutim dhe mbajtje shënimesh në skuadër.

  1. Krijoj dy grupe të vendosura në formë rrethi. Në njërin grup bëjnë pjesë tri dhe në tjetrën katër skuadra (14 nxënës). Në të dy grupet skuadrat shfaqin figurat e tyre dhe tregojnë se çfarë përfundimesh kanë nxjerrë rreth tyre. Unë qëndroj e tërhequr thjesht si dëgjuese

  1. Disa të dhëna nga unë shkurtimisht rreth Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve. (Çfarë është ajo, kur është themeluar etj.)

  1. Çdo fëmijë merr nga një letër me të drejtat e fëmijëve (http://unicef.se/barnkonventionen). Ata krijojnë grupe prej tre vetash dhe secili grup zgjedh tri të drejta rreth të cilave ata dëshirojnë të diskutojnë dhe pastaj t’ua prezantojnë të tjerëve. (Çfarë kërkon kjo e drejtë, çfarë rastesh konkrete na vinë në mendje etj.). Unë sigurohem që çdo e drejtë të trajtohet të paktën njëherë.

  1. Prezantimi bëhet në plenum.

  1. Unë u tregoj atyre për aplikacionin e ri «Alla Barns Rätt» (të gjitha të drejtat e fëmijëve) dhe u rekomandoj që t’i shohin ato në shtëpi. Vështrim: Javën tjetër do të diskutojmë të drejta të tjera.

 


Tabela e pëmbajtjes