Basil Schader, Saskia Waibel
1. Hyrja: Gjetja e materialeve sot dhe më parë
Më parë me mësimdhënie shpesh do të kuptohej thjesht puna e vazhdueshme me një mjet mësimor dhe me ushtrimet që lidheshin me të. Materialet e tjera vështirë se mund të shqyrtoheshin. Sot, gjithashtu edhe në këtë aspekt, kërkesat për një mësimdhënie të mirë janë shumë më të larta. Postulatet si orientimi drejt nxënësve, lidhja me jetën dhe botën përreth, individualizimi, (shih kapitullin katër dhe pesë) vlejnë edhe në përzgjedhjen e materialeve mësimore (tekstet, fletët e punës, mediat elektronike etj.). Orientimi drejt nxënësve, lidhja me jetën dhe botën përreth dhe orientimi që synon kompetencën ndërkulturore nënkuptojnë që në mësimdhënien e MGJP-së duhet të trajtohet situata specifike të nxënësve të rritur brenda dhe ndërmjet dy kulturave, duke ndaluar një rikthim te tekstet e përdorura në shkollat e vendit të prejar- dhjes. Sidoqoftë një rikthim i tyre vështirë se do të ishte i mundur, duke marrë parasysh klasat heterogjene dhe nivelet e ndryshme në shumicën e klasave. Ai gjithashtu nuk do të përshtatej dot me gamën e gjerë të formave të mësimdhënies dhe mësimnxënies, me të cilën nxënësit janë ambientuar në mësimin e rregullt (Shih kapitullin gjashtë.). Edhe atje ku janë vënë në dispozicion mjete mësimore të mirëfillta të MGJP-së, të sjella nga vendi i prejardhjes, mësim- dhënësi duhet që të gjejë materiale shtesë, të cilat i referohen situatës specifike në vendin përkatës të emigrimit dhe aktualiteteve politike. Për fat të mire e gjitha kjo tani nuk sjell patjetër një mbingarkesë të plotë të mësimdhënësit.
Angazhimi i nxënësve në mënyrë aktive në gjetjen e materialeve për tema të caktuara është ndryshe nga më parë jo vetëm e lejueshme, por në lidhje me postulatet e orientimit drejt nxënësve, e të qenit i pavarur, lidhjes me jetën dhe botën përreth dhe kompetencës mediatike, është madje edhe shumë e dobishme.
Në klasën e parë dhe të dytë kjo mund të nënkuptojë që nxënësit të sjellin me vete figura, libra me figura ose objekte për temat si «Koha e lirë» dhe «Kujtime nga pushimet». Nga klasa e tretë dhe e katër nxënësit kryesisht mund të kërkojnë vetë pa problem në biblioteka dhe internet dhe këtu mund të përfitojnë edhe nga kompetencat që kanë në të dyja gjuhët.
2. Çfarë quhen «materiale të përshtatshme»? Gjashtë kriteret.
Duke iu referuar titullit të kapitullit, pyetja se çfarë kuptohet me materiale mësimore të përshtatshme, mbetet ende e hapur. Për këtë mund të shkruhen libra të tërë. Ne po kufizohemi te lista e shkurtër me pyetje që ndodhet më poshtë. Pikat, të cilat mund të përgjigjen me «po», duhet të vlejnë si kritere për «materialet e përshtatshme».
- A i përgjigjet materiali (teksti, figurat, website-i) moshës së nxënësve, me të cilët unë dua të punoj? (Kriteri i përputhshmërisë me moshën).
- A ka materiali ngjyra ideologjike, fetare ose polemike? A do të paraqiten çështjet dhe faktet kritike njëanshmërisht ose të shtrembëruara? (Kriteri i një neutraliteti sa më të madh fetar dhe ideologjik, ashtu siç e kërkojnë edhe shumica e vendeve të emigrimit).
- A e përkrah materiali të menduarit e pavarur të nxënësit? (Kriteri i orientimit drejt nxënësve dhe i përkrahjes së të qenit i pavarur).
- A i referohet materiali, atje ku është e mundur dhe e arsyeshme, realitetit, tërësisë së përvojave dhe kompetencave dygjuhësore dhe dykulturore të nxënësve, të cilët rriten brenda dhe ndërmjet dy gjuhëve dhe dy kulturave? (Kriteri i orientimit drejt nxënësve e lidhur posaçërisht me MGJP-në).
- A nuk do t’u mëshohet klisheve të roleve në material, a vijnë të dyja gjinitë të barabarta? (Kriteri i së drejtës të gjinisë).
- A mund që materiali, atje ku është e mundur dhe e arsyeshme, të përgatitet në atë mënyrë që të jetë interesant dhe i qasshëm për nxënës me nivel të dobët, të mesëm dhe të lartë? (Kriteri i përshtat- shmërisë për një mësimdhënie individuale dhe të orientuar optimalisht drejt nxënësve).
3. Arkivimi i materialeve mësimore
Përpara se të komentohen poshtë një sërë burimesh për gjetjen e informacionit, duhen njëherë të jepen udhëzime se çfarë do të thotë arkivim dhe ruajtje e materialeve. Sidomos në mësimdhënien e ndërlikuar të MGJP-së, ku i jepet mësim shumë klasave njëkohësisht, është shumë e vlefshme që për sa i përket këtij procesi të veprohet që në fillim në një mënyrë sa më të qartë dhe sa më efektive. Nëse bëhet kjo, materialet do t’i keni në dispozicion pa problem edhe për vitin tjetër. Nëse nuk veprohet kështu, do t’ju duhet të qëndroni përpara një grumbulli dokumentash të pasistemuara dhe do të humbisni shumë kohë duke kërkuar.
Një arkiv eficient përfshin sot dy dimensione. Së pari një «folder» elektronik në kompjuter me dosje dhe nëndosje të emërtuara qartë për temat dhe klasat e ndryshme. E rëndësishme është: Të bëhen rregullisht kopje reserve. Dhe i dyti është ai «reali» me modele, figura, fletë pune, lojëra etj.
Një variant i thjeshtë është krijimi i një zarfi ose një kutie arkivuese të madhe për çdo temë. Më pas brenda kutisë ose zarfit mund të ruhen p.sh. në katër qese dokumentash materialet për nivelin e ulët, të mesmin, të lartin dhe së fundmi ato materiale të cilat mund të përshtaten për të gjitha nivelet.
Ndërtimi dhe mirëmbajtja e një «arkivi» të tillë kërkon pak kohë dhe disiplinë vetjake, por e lehtëson punën në mënyrë të jashtëzakonshme.
4. Burime të mundshme për materialet mësimore
a) Mjete mësimore nga vendi i prejardhjes
Te mjetet mësimore bëhet një dallim ndërmjet atyre që përdoren në mësimin e rregullt në vendin e prejardhjes dhe atyre që krijohen dhe përpunohen në vendin e prejardhjes posaçërisht për MGJP-në e gjuhës përkatëse.
Të pasurit në dorë si burime potenciale materialesh mjetet mësimore, të cilat përdoren në mësimin e rregullt në vendin e prejardhjes (p.sh. libra për gjuhën ose libra për t’u lexuar), është sigurisht e dobishme. Megjithatë përshtatja e tyre është e kufizuar për të paktën këto dy arsye: Së pari ato janë si nga ana gjuhësore dhe pjesërisht nga përmbajtja me kërkesa të larta. Në përgjithësi nxënësit e MGJP-së nuk e zotërojnë gjuhën e tyre amtare (kryesisht në variantet e shkruara dhe standarde) po aq mirë sa edhe moshatarët e tyre në vendin e prejardhjes. Së dyti librat shkollor të mësimit të rregullt logjikisht nuk i referohen realitetit, tërësisë së përvojave dhe kompetencave të nxënësve të MGJP-së, të cilët rriten në një mjedis të ndryshëm kulturor. Përkundër gjithë kësaj këto libra mund të shërbejnë herë pas here si burime për tekste, figura etj., nëse ne jemi të vetëdijshëm për të dyja kufizimet dhe tregohemi të kujdesshëm për të shmangur paraqitjet e njëanshme ideologjike dhe politike (p.sh. në libra historik).
Mjetet mësimore, të cilat u zhvilluan posaçërisht për mësimdhënien e gjuhës së prejardhjes, zotërohen p.sh. nga MGJP-ja e gjuhës shqipe dhe portugeze (shih ilustrimet në pjesën B). Krijimi dhe përpunimi i mjeteve mësimore të gjuhës shqipe u arrit përmes një ekipi të përzier me mësues të MGJP-së nga katër vende të ndryshme dhe me specialistë nga Kosova. Kjo garantonte që në fillim një përqasje praktike me situatën e emigrimit. Për çdo nivel (të ulët, të mesëm dhe të lartë) u krijuan gjashtë fashikuj, aty bën pjesë edhe një broshurë për arsimin parashkollor. Të gjashtë fashikujt për çdo nivel përfshijnë secili në gjysmën e vet tema specifike për Shqipërinë (gjeografi dhe histori, gramatikë, letërsi) ose përkatësisht tema të lidhura me jetën në atdheun e ri («Puna dhe koha e lirë», «Unë dhe të tjerët», «Një botë për të gjithë»). Mjetet mësimore të posaçme për MGJP-në nuk do të thotë që janë automatikisht të mira dhe funksionale. Kjo u vërtetua p.sh. në tekstet e mëparshme në gjuhën shqipe, të cilat ishin përpiluar ekskluzivisht nga ekspertë në vendin e prejardhjes dhe i mbingarkonin nga ana gjuhësore nxënësit në MGJP.
Materialet e projektuara mirë dhe në mënyrë specifike për MGJP-në (në hartimin e tyre duhet të përfshihen edhe mësuesit e MGJP-së), janë padyshim një ndihmë dhe lehtësim tepër i madh dhe duhen mundësisht të synohen nga të gjitha grupet e gjuhëve.
b) Materiale nga internet
Interneti luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm gjatë kërkimit për materiale mësimore të përshtatshme dhe aktuale. Mësuesit dhe nxënësit e MGJP-së kanë avantazhin e madh që mund të shfrytëzojnë të dyja ofertat gjuhësore, atë të gjuhës së prejardhjes dhe të vendit të emigrimit.
Te kërkimi dhe tek ofertat dallohen dy forma.
Së pari kërkimi në faqet e internetit që është specifik për mësuesit dhe ku mund të gjendet material didaktik (fletë pune, planifikimi seancave mësimore etj.) për të gjitha temat. Këto faqe janë në shumë gjuhë te prejardhjes dhe në gjuhë të vendit të emigrimit. Shembuj për të dyja kategoritë gjenden në pjesën praktike (kapitulli 10B.1 dhe 2). Është patjetër me vlerë të kërkosh në këto faqe interneti edhe nëse shpesh herë orientimi është fillimisht pak i ndërlikuar.
Lloji i dytë i kërkimit dhe ofertës lidhet me tema dhe koncepte fikse të përcaktuara mirë, për të cilat kërkohen me kënaqësi materiale. Një tekst pragmatik për qentë në gjuhën kroate, diçka rreth gjeografisë së Sri Lankës, poezi për pranverën në gjuhën ruse.
Duke filluar nga klasa e tretë dhe e katërt, kërkimi në internet mund të kryhet edhe nga nxënësit. Duke marrë parasysh rëndësinë e edukimit mediatik dhe kompetencës mediatike në shumicën e vendeve, nxënësit vijnë me disa kushte të mira paraprake të plotësuara në mësimin e rregullt.
Atje ku këto mungojnë, mundet që nxënësit më të rritur të ndihmojnë gjatë procesit mësimor të MGJP-së ata më të vegjëlit. Gjatë kërkimeve nëpër faqet e internetit të gjuhës amtare mund të lindin probleme, nëse konceptet fikse për të cilat po kryhet kërkimi të shkruhen gabim nga ana drejtshkrimore. Këtu ndoshta mund të jap një ndihmë mësuesja ose të ketë së pari një konsultim për një fjalor (elektronik).
c) Materiale nga libra, revista, gazeta, fletëpalosje etj.
Krahas kërkimit në internet, burime gjithnjë të rëndësishme dhe shumë të dobishme për materiale mësimore janë sigurisht edhe mediat tradicionale të shty-
pura si librat, revistat, gazetat, vëllimet me figura, librat me figura etj. Në përputhje me situatën dy gjuhësore në të cilën rriten nxënësit e MGJP-së, krahas mediave në gjuhën e prejardhjes mund të përdoren më së miri edhe të tilla në gjuhën e vendit ku jetojnë.
Librat në gjuhën e vendit të emigrimit gjenden përveç të tjerash edhe në bibliotekë. Bibliotekat ndërkulturore, të cilat ndërkohë ndodhen në shumë qytete, përmbajnë koleksione të mëdha librash në gjuhë të ndryshme të vendeve të prejardhjes (për vendodhjen e tyre në Zvicër shih (www.interbiblio.ch/). E rëndësi- shme është gjithashtu nxitja e nxënësve për të sjellë libra, revista etj. për temat aktuale. Kërkimi i materialeve nuk duhet në asnjë mënyrë të jetë vetëm një çështje e mësimdhënësit.
Krahas librave të mirëfilltë (libra pragmatikë, vepra letrare, vëllime me figura, enciklopedi, libra me figura etj.) një shërbim të mirë kryejnë edhe revistat (këtu përfshihen revistat e fëmijëve dhe e të rinjve). Ato janë më të lehta për t‘u gjetur dhe mund të sillen (ashtu sikurse edhe librat) me vete pas pushimeve në vendin e prejardhjes.
E njëjta gjë vlen edhe për fletëpalosjet dhe reklamat e tjera të cilat, si pjesë e konceptit aktual të mësim- dhënies së MGJP-së, mund të përdoren potencialisht si veprimtari tërheqëse për nxitjen e mësimnxënies, zgjerimin e fjalorit dhe për krahasime. Ato gjithashtu mund të priten në copa të vogla dhe të përdoren p.sh. për kolazhe. Gazetat ditore janë veçanërisht për çdo gjuhë të lehta për t‘u gjetur dhe duke nisur nga klasa e katërt krijojnë veprimtari frytdhënëse dhe aktuale për nxitjen e të lexuarit dhe diskutimit në klasë. Megji- thatë këtu duhet veçanërisht të bëhet kujdes se mos është fjala për media me ngjyrë të njëanshme politike, fetare ose ideologjike. Shumë gazeta të përditshme ose javore kanë edhe një rubrikë me vizatime komike, gjëegjëza dhe artikuj të tjerë, të cilat pjesërisht janë të dobishme edhe për klasa më të ulëta.
d) Mjete mësimore dhe materiale ilustruese të vendit të emigrimit.
Kryesisht për temat, tek të cilat nuk qëndron në qendër vendi i prejardhjes, por situata e emigrimit ose krahasimi me vendin e emigrimit, ia vlen që të marrim kontakte me mësuesit e mësimit të rregullt. Është mjaft e mundur që këta të fundit të jenë të interesuar për një përpunim të përbashkët të temës (ky do të ishte rasti optimal) ose të paktën kanë materiale të përshtatshme në lidhje me temën. Disa shembuj: Krahasime ndërmjet vendit të emigrimit me vendin e prejardhjes duke iu referuar temave si «Kafshë në fermë», «Profesione», «Fëmijëria» dhe «Koha e lirë sot dhe më pare» etj.; tema etike si «Shoqëria», «Të luajmë së bashku», «Racizmi dhe diskriminimi», «Integrimi» etj.. Për projektet bashkëpunuese shih edhe kapitullin 12.
5. Materiale mësimore të krijuara nga vetë nxënësit
Siç u tha që në pjesën e parë, sigurimi i materialeve mësimore është në konceptin aktual pedagogjik një temë, tek e cila duhet dhe mund të përfshihen patjetër edhe nxënësit.
Te kërkesat e orientimit drejt nxënësve, të qenit i pavarur, përdorimit të burimeve të klasës etj. shkon më së miri përfshirja e nxënësve p.sh. në kërkimin e materialeve në internet dhe në bibliotekë, por gjithashtu edhe në krijimin e posterave, dokumentave dhe fletëve të punës. Këtë e ilustrojnë në pjesën B shembujt e pjesës 10 B.4.; një poster për pjesët e trupit (përvetësim i fjalorit),një faqe e një libri të krijuar së bashku me fjalë të ilustruara me figura, dy postera (klasa e tretë dhe e katërt) të referatit të nxënësve përkatës, 2 shembuj të fletëve të punës, të cilat këta nxënës i shpërndanë si teste të lidhura me referatet e tyre. Lista e materialeve ilustruese dhe fletëve të punës, të cilat nxënësit i krijuan për njëri-tjetrin, vazhdon edhe më tej. Ushtrime të thjeshta gjuhësore, të cilat nxënësit më të rritur, sipas një modeli të qartë, ua përgatisin atyre më të vegjëlve (p.sh. përdorimi i formave të shumësit ose shënimi i kundrinorëve), fletë pune me pyetje mbi tekstet që janë për t‘u lexuar, kontributet e tyre për një libër të përbashkët me poezi ose për një gazetë të përbashkët, një quiz për një temë pragmatike etj. Veçanërisht e rëndësishme është këtu të kuptuarit se nuk bëhet aspak fjalë thjesht për lehtësimin e barrës së mësimdhënësit, por që nxënësit të mësojnë dhe të thellohen shumë në njohuri gjatë prodhimit të materialeve të punës (si gjithashtu dhe gjatë kërkimit për materiale të përshtatshme).
6. Përdorimi i mediave elektronike nga nxënësit
Që në mësimin e rregullt, por edhe në shtëpi, pjesa më e madhe e nxënësve sot janë mësuar që herët (të paktën që nga klasa e katërt) me forma të thjeshta të përdorimit të kompjuterit. Këto kompetenca mund të vihen në përdorim edhe në MGJP dhe pikërisht në dimensionet e mëposhtme:
a) Për gjetjen e informacionit
Këtu nuk duhet të na vij në mendje vetëm interneti. Informacionet mund të merren shumë mirë edhe në formë të shkruar përmes email-it ose sms-së, nëse ka kohë të mjaftueshme në dispozicion (p.sh. nga njëra javë në tjetrën). Gojarisht informacionet merren nëpërmjet formave si intervista (ndoshta me një celular), biseda telefonike duke mbajtur shënime/protokoll, përdorimi i skype-it si alternativë më e lirë e telefonit. Nëse kërkimi zhvillohet në internet ekziston edhe mundësia për të hedhur një vështrim të për- gjithshëm mbi temën ose konceptin kyç në faqen e wikipedia-s.
b) Për shkëmbimin dhe ndërlidhjen
Rrjetet sociale përshtaten shumë mirë për grupet dhe klasat për të krijuar një platformë vetjake me qëllim shkëmbimin e ideve mbi temën e dhënë. Platforma e fotove «Flickr» është e përshtatshme për shkëmbimin dhe komentimin e fotove. Në rrjetin social «Facebook» është e mundur të formohet një grup i mbyllur për të shfrytëzuar funksionet e chat-it, e mesazheve personale, e krijimit të një albumi etj. Për klasat e MGJP-së dhe mësuesit e tyre në Zvicër është shumë e rekomandueshme platforma educanet2 (https://www.educanet2.ch). Çdo klasë ka këtu aksesin e saj me tryeza pune personale, hapësira për klasa dhe grupe. Për komunikimin këtu ekzistojnë shumë mundësi: Email, chat, forumet, wiki, blog-e, foto albume, shkëmbimi i materialeve shkollore etj.
c) Për prezantimin e informacioneve
Duke nisur nga klasa e katërt dhe e pestë nxënësit duhet të kenë mundësinë të prezantojnë përpara klasës me mbështetjen e mediave. Vizualizimi i njohurive dhe përgatitja për një prezantim është e vështirë dhe shumë kërkuese dhe duhet patjetër të ketë përkrahjen e mësimdhënësit. Prezantimet mund të zhvillohen me ndihmën e posterave, fletëve të punës, mbështetjen e Powerpoint-it ose me ndihmën e aplikacioneve nëpërmjet I-Pad-it. Disa aplikacione të përshtatshme për prezantime janë: BookCreator, ComicLife dhe iMovie.
d) Për organizimin e veprimtarive mësimnxënëse që nxisin të shkruarit.
Tekste, të cilat punohen në kompjuter dhe ilustrohen me fotografitë tuaja ose me imazhe të marra nga interneti lënë shpesh herë një përshtypje më tërheqëse dhe më profesionale sesa tekste të shkruara me dorë. Kjo vlen për të gjitha llojet e mundshme të teksteve: Teksti i veçantë (p.sh raport i një përjetimi) poster, fletë pune, gazeta e klasës, një libër i përgatitur së bashku. Krijimi i minibooks-ave që sqarohet në këtë adresë www.minibooks.ch (në të njëjtën kohë në këtë faqe interneti mund edhe të «publikohen» minibooks-at), kjo nuk është tërheqëse vetëm për nxënësit më të rinj. Interesant është edhe programi Talktyper (https://talktyper.com/), i cili e shndërron tekstin e folur në të shkruar, por për fat të keq kjo funksionon vetëm për një numër të kufizuar gjuhësh.
Është e kuptueshme që në MGJP shpesh mungojnë mjetet teknike dhe koha, por duke ditur që studentët mund të përdorin një kompjuter në shtëpi ose në orët e tjera mësimore, projektet përkatëse lihen kryesisht si detyra shtëpie për t’u punuar brenda një jave.
e) Për të përvetësuar ose për t’u thelluar në përmbajtjet që janë për t’u mësuar
Për këtë ka aplikacione, programe ushtrimesh, e-books-a, programe kompjuterike për mësimnxënie etj.. Nëse oferta të tilla vihen në dispozicion edhe për gjuhët e prejardhjes, kjo duhet të verifikohet rregu – llisht. Ofertat janë në ndërtim dhe në rindërtim të vazhdueshëm. Dy mundësi të ndryshme janë paraqitur këtu si shembuj:
Faqja e internetit me akses falas www.quizlet.com të jep mundësinë për të mësuar fjalë në mënyra të ndryshme. Pra ka shumë lista në dispozicion dhe të cilat mund të gjenden nëpërmjet funksionit të kërkimit. Gjithashtu është e mundur përgatitja e listave tuaja, për të cilat duhet megjithatë të regjistroheni.
Aplikacioni dhe CD-ROM-i «Multidingsda» është një program mësimnxënës për ndërtimin dhe forcimin e fjalorit bazë me ndihmën e «Wimmelbildern-it» (figura me shumë objekte). 600 fjalë do të mësohen me anë të 40 situatave të përditshme nëpërmjet dëgjimit, leximit dhe të shkruarit. Për këtë mund të përzgjidhni 14 gjuhë, të cilat janë: gjuha shqipe, arabe, boshnjake, gjermane, angleze, frënge, italiane, kroate, maqedonase, portugeze, ruse, serbe, spanjolle, gjuha tamilishte dhe ajo turke.
f) Për reflektim gjuhësor
Komunikimi i nxënësve mes njëri-tjetrit, por gjitha- shtu edhe me anëtarë të familjes ose me shokë në vendin e prejardhjes, ndodh shpesh nëpërmjet mediave dixhitale (kryesisht sms-ve dhe chat-it). Këto tekste janë të përshtatshme për krahasime tërheqëse ndërmjet gjuhës së shkruar dhe asaj së folur. Ku janë ndryshimet, ku ka paralele? A do të përzihen ato me njëra-tjetrën? Cilat shkurtime dhe simbole do të përdoren? Kjo sigurisht nuk behët për të dhënë vlerësime. Si përfundim i kësaj analize kërkohet të tregohet më shumë se, në varësi të rastit dhe formës së komunikimit, vihen në përdorim dhe janë funksionale regjistra të ndryshëm.
Bibliografia
Maloku, Nexhat; Basil Schader (2014): Zeitgemässe Lehrmittel: Ein innovatives Konzept. In: vpod Bildungspolitik (2014): Sonderheft Nr. 188/189 “Die Zukunft des Erstsprachunterrichts”, p. 53 f.
Nodari, Claudio; Sabina Wittwer (2010): Multidings- da. Training Grundwortschatz Deutsch und Erst – sprache. Zürich: Lehrmittelverlag Zürich. (CD- ROM, also available as app)
Schieder-Niewierra, Steffi (2011): Schreibförderung im interkulturellen Sprachunterricht. Der Compu- ter als Werkzeug. Frankfurt a.M.: Peter Lang.
Schrackmann, Iwan et al. (2008): Computer und Internet in der Primarstufe. Aarau: Sauerländer. The entire book as pdf: http://www.ictip.ch