Të lexuarit nuk mësohet nga sot e deri nesër. Rruga nga zbërthimi i shkronjave të veçanta e deri tek të lexuarit e rrjedhshëm të një libri të tërë është e gjatë. Bëhet fjalë për një proces tek i cili shumica e fëmijëve dhe e të rinjve duan të shoqërohen dhe të mbështeten vazhdimisht. Të rëndësishëm në këtë proces janë të rriturit – prindërit dhe mësimdhënësit – shtresa që merr pjesë në interesat e nxënësve/eve në të lexuar, shpesh krejt të ndryshme, e që janë të rëndësishme dhe me të cilët nxënësit/et mund të shkëmbejnë mendime mbi përmbajten e librave. Kjo mund dhe duhet të nisë para fillimit të shkollës: nëse prindërit tashmë me fëmijët e tyre krejt të vegjël shikojnë libra të ilustruar dhe i komentojnë, ose u lexojnë atyre tregime dhe diskutojnë për to, kjo paraqet një formë veçanërisht të frytshme të përkrahjes së hershme në të lexuar. Nëse u besojmë raporteve të përvojave të lexueseve dhe lexuesve, atëherë ekziston tek të rinjtë përkrahja efektive shkollore në të lexuar tek një mësimdhënës/e, që vetë njihet si lexues/e, që interesohet për parapëlqimet në të lexuar dhe të lexuarit tek nxënësit/et, që njeh shumë libra të ndryshëm dhe të cilit i pëlqen që me nxënësit të inicojë dhe moderojë diskutimet stimuluese mbi librat e lexuar.

Të lexosh me kënaqësi dhe të lexosh mirë – të dyja këto aspekte janë parakushte të rëndësishme për zhvillimin e suksesshëm të të lexuarit dhe gjithashtu janë të lidhura njëra me tjetrën: vetëm kush e ka gjetur kënaqësinë për tekstet dhe për atë çka tregohet në to, do të bëjë më tutje hapa të tjerë, të mundimshëm. Dhe e kundërta, nxënëset dhe nxënësit duhet të kenë disa aftësi në trajtimin e teksteve, ilustrimeve dhe përmbajtjeve, në mënyrë që të vazhdojnë me qejf dhe të jenë kureshtarë për lexime të tjera.

Mësimi në të lexuarit e përkrahur duhet t‘i ketë parasysh pjesët e ndryshme të fushave të të lexuarit. Këtu lënë të dallohen tri fusha: përkrahja e të lexuarit, ushtrimi në të lexuar dhe arsimimi letrar-kulturor. Këto tri fusha plotësojnë njëra-tjetrën, por kompetencat e nevojshme për to shpesh nuk mund të ushtrohen njëkohësisht në të njëjtin tekst. Kjo vlen, natyrisht, edhe për mësimin dhe të lexuarit në gjuhën e prejardhjes. Por fushat individuale mund të ushtrohen dhe të përkrahen në mënyra të ndryshme, me tekste dhe detyra të ndryshme. Kjo ndikon pozitivisht për përvetësimin letrar në gjuhën e parë, si dhe në gjuhën e vendit pritës. Kjo fletore përmban një përmbledhje të ideve dhe të detyrave të gatshme për të tria fushat.

a) Përkrahja e të lexuarit

Qëllimi i përkrahjes së të lexuarit është që nxënëset dhe nxënësit t‘i aftësojmë për të lexuarit. Ata duhet të jenë kureshtarë për tekstet dhe librat, duhet të kenë mundësinë të zgjedhin sipas shijes individuale, ata duhet të dinë se si librat dhe tekstet e tjera janë të shumëllojshme dhe sa emocionuese mund të jetë kur përmbajtjet shtjellohen përmes të lexuarit. Objektivi do të ishte që të lexuarit për nxënësit/et të bëhet një veprimtari e vetëkuptueshme dhe e përditshme – si në shkollë ashtu edhe në shtëpi, si në gjuhën e parë, ashtu edhe në gjuhën e shkollës.

Me rëndësi në lidhje me këtë qëllim është për- zgjedhja e mirë dhe stimuluese e teksteve, në mënyrë që mundësisht të gjithë nxënësit/et të gjejnë një lektyrë, e cila u intereson dhe në të cilën dëshirojnë të thellohen. Në kuptim të një përzgjedhjeje të pasur përfshihen jo vetëm libra, por edhe revista, gazeta, comics, libra të ilustruar me fotografi dhe, natyrisht, një gamë e tërë tekstesh elektronike – nga faqet e internetit, me informacione për tema faktike e deri te chat forum dhe tek e-book-u.

Tek nxënësit/et, të cilët kanë pak motivim në të lexuar, herë pas here duhet të kërkohet qartë qetësia e nevojshme gjatë të lexuarit. Edhe këta fëmijë dhe të rinj duhet të ulen në vendin e tyre, në qetësi, për t‘i lexuar librat apo tekstet e tyre dhe duhet të japin llogari se çfarë dhe sa kanë lexuar. Vetëm kështu ushtrohet një këmbëngulje e ndërgjegjshme dhe do të mënjanohet ndërprerja e librit, të cilin e kanë zgjedhur vetë.

Tek një mësim i leximit përkrahës bën pjesë edhe ajo që nxënëset dhe nxënësit t‘i përceptojnë kujdestarët e rritur dhe bashkëmoshatarët e tyre si lexuese e lexues dhe të shkëmbejnë me ta përmbajtjet dhe përvojat e tyre në të lexuar, në mënyrë të ndërsjellë. Në klasat me grupmosha ose grupe të ndryshme, nxënësit/et më të moshuar, mund të luajnë rol të rëndësishëm me shembullin në të lexuar.

Përkrahja në të lexuar ndjek para së gjithash qëllimet vijuese:


  • Ajo duhet, në rend të parë, të zgjojë interesimin për librat dhe për mediat e tjera me shkrim dhe me fotografi.

  • Ajo duhet që marrëdhënien me ofertat e mëdha të teksteve ta bëjë zakon, për të siguruar një marrëdhënie kompetente, por edhe për të ofruar ndihmën dhe strategjitë në të mësuar.

  • Ajo duhet që të hapë të gjitha rrugët për tek fusha e shkrimit dhe të tregojë që leximi mund të jetë një aktivitet me rëndësi të menjëhershme praktike dhe me shumë pikëmbështetje në botën e tyre individuale (Tekste për interesat personale, mediat e ndryshme për temën e njëjtë, përdorimi i teksteve nga gjuha e parë dhe e dytë etj.). Me këtë mund (dhe duhet) të afrohen e të motivohen edhe lexuesit/et e rinj.

  • Përkrahja në të lexuar duhet të çojë përfundim- isht tek ajo që fëmijët dhe të rinjtë të lexojnë me kënaqësi, që ata të marrin tekste e libra jo vetëm në shkollë, por që të lexuarit dhe marrëdhënia me tekstet në gjuhën e parë dhe të dytë t’i përkasin natyrshëm jetës së tyre të përditshme.

b) Ushtrimi në të lexuar

Me një ushtrim të mirë në të lexuar do të ushtrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë të lexuarit e rrjedhshëm dhe të kuptueshëm. Të mund të lexosh mirë dhe rrje- dhshëm si dhe të kuptosh të lexuarit, është detyrë e kërkesave të larta. Shumë fëmijë e të rinj – para së gjithash ata me familje me arsimim të paktë – janë shpesh të mbingarkuar në këtë fushë, nëse nuk përkrahen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për këtë arsye, mësimit të të lexuarit përkrahës, i përket ushtrimi i formave të ndryshme të të lexuarit, në të gjitha nivelet e klasave. Në qendër të këtij mësimi janë ushtrimet për shkathtësitë në të lexuar (shkathtësitë bazë), për të lexuarit e rrjedhshëm (saktësia në të lexuar dhe rutina), si dhe strategjitë në të lexuar (ndihmat, se si mund të kuptohen më mirë tekstet e vështira).

Tek ushtrimi në të lexuar nuk qëndron në plan të parë dëshira për të lexuar. Shumë më tepër këtu, para së gjithash, bëhet fjalë që nxënësit/et të ushtrojnë dhe të përmirësojnë aftësitë e tyre në të lexuar.

Në didaktikën e të lexuarit theksohen tri fusha qendrore të të ushtruarit, të cilat vlejnë natyrisht edhe për ushtrimin e të lexuarit në gjuhën e parë:

  • 1. Shkathtësitë në të lexuar

Në këtë fushë bëhet fjalë më shumë për mundësitë teknike në të lexuar të shkronjave-, fjalëve- dhe të fjalive. Shumë nxënës/e – kryesisht më të rinjtë – janë ende pak të sigurtë tek deshifrimi. Ata kanë probleme tek njohja e shkrimit në gjuhën e prejardhjes, tek njohja e fjalëve dhe te lidhjet e pjesëve të fjalisë dhe fjalive. Kjo shfaqet para se gjithash nëse sistemi i shkronjave dhe i shenjave ndryshon nga ai i gjuhës së shkollës (shih për këtë edhe më sipër). MGJP mund të ofrojë shumë përkrahje me një hyrje të kujdesshme në shkrimin dhe shenjat e veçanta të gjuhës së vet, por edhe nëpërmjet punës sistematike në leksik dhe nëpërmjet përqasjes me strukturat komplekse sintaksore.

  • 2. Rrjedhshmëria në të lexuar

Fusha e ushtrimit të fluency (rrjedhshmëria, zhdër- vjelltësia) në praktikën shkollore nuk është futur pothuajse fare. Kjo nuk është e drejtë , ngase është me rëndësi të konsiderueshme. Kush lexon me rutinë dhe përmes një teksti «kalon» relativisht shpejt e pa gabime, ka gjithashtu më pak vështirësi për ta kuptuar përmbajtjen. Arsyeja qëndron në atë se lexuesit/et e ushtruar përqëndrohen më mirë në të kuptuarit e përmbajtjes, sepse pjesa teknike e procesit të të lexuarit tek ata është gjerësisht e automatizuar. Nga ana tjetër, lexuesit/et me fluency ose zhdërvjelltësi të dobët duhet të investojnë një pjesë të energjisë së tyre për deshifrimin dhe aspektet e tjera teknike të procesit të të mësuarit. Të dhënat e reja nga Gjermania tregojnë gjithashtu se shumë nxënës/e gjatë ushtrimit të zhdërvjelltësisë mund të ndërtonin një koncept të ri ose koncept personal rrënjosur në raport me aktivitetin e tyre si lexues/e. Ata, pas përfundimit të kësaj faze të ushtrimit, ndiheshin më kompetentë dhe e quanin veten më shpesh si lexuese ose lexues të mirë dhe të motivuar. Kjo çon përsëri tek një motivim më i lartë në të lexuar. Në thelb është një e vërtetë e përgjithshme: kush lexon mirë, lexon me dëshirë. Kush lexon me dëshirë, lexon shumë. Kush lexon shumë, lexon mirë.

  • 3. Strategjitë e të lexuarit

Lexueset dhe lexuesit e mirë e të ushtruar e dinë se çfarë mund të bëjnë për ta kuptuar një tekst mundësisht shpejt dhe saktë. Ata përdorin (shpesh në mënyrë të pavetëdijshme) strategji të ndryshme për zbërthimin e tekstit dhe nuk e lexojnë thjesht sipas rastësisë. P.sh., ata bëjnë një lloj plani të leximit dhe e lexojnë tekstin sipas këtij plani dhe qëllimeve të tij në mënyra e forma të ndryshme. Në fushën e didaktikës dallohen tri mënyra të leximit dhe të kuptimit të të lexuarit, të cilat duhet të praktikohen vetëdijshëm në shkollë – dhe natyrisht edhe në MGJP – në bazë të teksteve të përshtatshme:


  • Të lexuarit e qëllimshëm: Këtu bëhet fjalë për kërkimin me qëllim të caktuar për një informacion specifik, p.sh. në fjalor ose në librin e numrave telefonikë, në orarin e udhëtimeve ose në një tekst me përmbajtje faktike.

  • Të kuptuarit e të lexuarit global: Qëllimi këtu është që të kapet thelbi i një teksti, pa e memorizuar me çdo kusht çdo detaj. Kjo mënyrë e të lexuarit është veçanërisht e shpeshtë p.sh. në lidhje me tekstet letrare ose me artikujt e gazetave.

  • Të kuptuarit e të lexuarit të detajuar: Këtu është me përparësi që të mund të kuptohet çdo detaj tek një tekst (p.sh. tek një recetë ose te një udhëzues apo para një provimi).

Lexuesit/et e ushtruar e mbikëqyrin vazhdimisht procesin e të kuptuarit gjatë të lexuarit të lektyrës dhe e dinë ku të kërkojnë ndihmë në rast vështirësie. Njohja dhe përdorimi i pavarur i strategjive të të lexuarit është një aspekt thelbësor i kompetencës në të lexuar. Në të vërtetë, dhënia e kësaj strategjie ndodh më së miri në bazë të përpunimit të teksteve në mësim, p.sh. në kuadër të një bisede të zhvilluar mësimore. Pastaj është e vetëkuptueshme që duhet të bëhet zbatimi i kujdesshëm i strategjive dhe ato duhet të ushtrohen vazhdimisht derisa të përvetësohen nga nxënësit/et. Në varësi të formës dhe përmbajtjes së tekstit duhet të veprohet ndryshe, duke zbatuar strategji të tjera (p.sh. të tilla për të kuptuar dhe vlerësuar tekstet faktike, për të përmbledhur tregimet, për të kuptuar grafikat etj.) Materiale dhe udhëzime për këtë ofron edhe broshura «Materiale didaktike 5: Dhënia e strategjive dhe teknikave mësimore në MGJP», ku në kapitujt 2 dhe 3 gjenden strategji të tjera për përdorimin e mjeteve ndihmëse (fjalorë, libra këshillues etj.) në të lexuar.

Për të tri fushat: shkathtësitë në të lexuar, rrjedh- shmëria në të lexuar dhe strategjitë në të lexuar, do të paraqiten në këtë broshurë ushtrime të shumëlloj- shme dhe shembuj, të cilët natyrisht duhet t‘u përshtaten parakushteve të klasës apo grupit përkatës. Lexuesit/et e dobët duhet t‘i përpunojnë mundësisht sa më shumë ushtrimet në fushën e shkathtësive në të lexuar. Lexuesit/et e fortë mund t‘i mënjanojnë ushtrimet e shkathtësive dhe ta përdorin kohën për leximin e tyre personal. Për ushtrimin e rrjedhshmërisë dhe strategjive në të lexuar është veçanërisht e dobishme, nëse përdoren përmbajte me temë nga jeta e përdit- shme.

c) Arsimimi letraro-kulturor

Arsimimi letraro-kulturor ka për qëllim që nxënësit/et të fitojnë përvoja me tekstet (letrare) krijuese. Kjo ka të bëjë, p.sh. me përdorimin me kënaqësi dhe nëpër- mjet lojës të gjuhës tek poezitë dhe lojërat gjuhësore ose kënaqësia për tekstet letrare të krijuara. Natyrisht në MGJP janë parësore tekstet nga gjuha e prejardhjes për dhënien e njohurive themelore, sipas moshës, për historinë e letërsisë së tyre. Nëse në klasët e larta mund të bëhen referenca me literaturën e vendit pritës ose të literaturës botërore, atëherë kjo e zgjeron horizontin letrar.

Qëllimi kryesor për nxënësit/et është zhvillimi i një ndjeshmërie estetike, e cila është e dobishme për përvojat e reja me tekstet krijuese poetike. Kultura e një vendi dhe populli pasqyrohet në fusha të gjera në tekste dhe libra. Kjo vlen për përrallat dhe legjendat e trashëguara, si dhe për poezitë dhe tregimet ose romanet bashkëkohore. Të gjitha këto gjini, në raport me gjuhën, i plotësojnë kriteret e caktuara përmbajtësore dhe formale, të cilat dallohen qartë prej atyre të përditshmërisë ose prej teksteve faktike. Këto dallime, natyrisht mund të tematizohen me nxënësit/et më të moshuar. Por, në radhë të parë, nuk bëhet fjalë për t‘i analizuar tekstet letrare, por mbi të gjitha thjesht të njihen, të mund të përjetohen dhe të mësohen me to hap pas hapi.

Rimat, vargjet dhe ritmet gjuhësore, por edhe situatat e të lexuarit mundësojnë edhe tek fëmijët shumë të vegjël përvoja intensive, ndijimore-estetike të të dëgjuarit. Kush ka fituar përvoja të tilla të të dëgjuarit, do të dëgjojë me «veshin e brendshëm» edhe tek të lexuarit e mëvonshëm të literaturës në qetësi. Tek tekstet lirike kjo është me rëndësi të veçantë.

Me përkrahjen e mësimdhënësit dhe në bazë të dhënies së detyrave të përshtatshme, të lexuarit në bashkësinë e klasës mund të jetë bazë, që gjuha e krijuar – p.sh. një poezi ose një tregim – jo vetëm të përjetohet, por edhe të kuptohet gjithashtu në nivele të ndryshme. Gjatë shkëmbimit të ndërsjellë do të plotësohen zbrazëtitë në të kuptuar, dhe ajo që qëndron mes rreshtave, do të sillet në vetëdije dhe në gjuhë. Bashkërisht do të imagjinohen pamje ose do të ripërsëriten skenat (ripërsëritja është një formë e shkëlqyer e kontrollit të të kuptuarit dhe e thellimit të të kuptuarit). Karakteret dhe mënyra e të vepruarit të figurave të veçanta mund të interpretohen dhe të diskutohen dhe bashkërisht mund të tematizohet se çfarë ndiejmë tek leximi i një teksti letrar të krijuar. Të pasqyruarit e përbashkët, diskutimi dhe përpunimi u ndihmon nxënësve/eve që ta kuptojnë vërtet brendinë e një teksti. Është pa diskutim më produktive, tërheqëse dhe komunikuese sesa të menduarit në qetësi ose detyra klasike si «Shkruaj si dhe pse të ka pëlqyer teksti».


Tabela e pëmbajtjes