Se sa e rëndësishme është që të mund të lexosh dhe të shkruash në gjuhën e prejardhjes, është e qartë: kush nuk i zotëron këto aftësi letrare, mbetet në mënyrë të pashmangshme analfabet/e në gjuhën e tij të parë, e humb lidhjen me kulturën e tij të të shkruarit dhe rrezikohet seriozisht në zhvillimin e tij dykulturor-dygjuhësor-dyletrar. Përkundrazi, kush i zotëron kompetencat letrare edhe në gjuhën e parë, atij i hapen mundësi të pasura dhe të shumëllojshme. Ato varen nga kontakti me literaturën e popullit të vet e deri te mundësia që, në mërgim dhe në vendin e prejardhjes, të marrë pjesë në jetën e të shkruarit dhe, ndoshta, t‘i plotësojë përfitimet e tij profesionale me një aspekt shumë të vlefshëm.

Së paku tek ato gjuhë të para, të cilat e përdorin alfabetin latin, në shikim të parë, nuk do të duhej të presim edhe aq probleme për sa i përket të lexuarit. Kjo nuk është e drejtë: probleme dhe vështirësi ka mjaft. Ne mund t‘i përmbledhim në tri grupe:

a) Problemet me inventarin e grafemave (shkronja të veçanta dhe theksa) dhe radhitja e shkronjave

Shumica e gjuhëve kanë shenja të veçanta (ë, ç, đ, č, ş, ğ, ı, â, æ, ç, ã etj.). Këto grafema nuk mësohen në kuadër të mësimit të rregullt në shkollat e vendeve mikpritëse. E njëjta gjë vlen edhe për vlerat fonetike të grafemave të veçanta (Shembull: <z> ka në gjermanisht vlerën fonetike ts, kurse në shumicën e gjuhëve të tjera përfaqësohet si s e zëshme; <c> në turqisht ka vlerën fonetike dsch, në gjuhët sllave ka vlerën fonetike ts dhe në gjermanisht vlerën fonetike ts ose k). Disa vlera fonetike rikthehen në mënyra të ndryshme sipas gjuhës. Kështu <sch> së gjermanishtes i përgjigjet p.sh. <sh> në anglisht dhe në shqip, në turqisht <ş>, në gjuhët sllave <š> etj. Edhe renditja e shkronjave në fjalor nuk është kudo e njëjtë; kështu, p.sh. fjalët me ö dhe me ü në turqisht qëndrojnë pas fjalëve me o- dhe u-, kurse në gjermanisht ato janë të integruara te këto, kurse në anglisht dhe në portugalisht nuk paraqiten fare. Të gjitha këto veçori fëmijët duhet t‘i mësojnë në shtëpi ose në MGJP, nëse duan që gjuhën e tyre ta lexojnë dhe ta shkruajnë rrjedhshëm. Në mënyrë që t‘i menjanojnë këto pështjellime, shumë mësues/e të MGJP ua mësojnë nxënësve këto veçori në përfundim të klasës së parë ose në fillim të klasës së dytë. Tek alfabetet jolatine është e kuptueshme që i tërë alfabetizimi të zhvillohet në gjuhën e parë.

b) Problemet me variantin e standardit të gjuhës së parë:

Shumë fëmijë dhe të rinj e flasin gjuhën e tyre të parë vetëm në një variant dialektor. Kjo ndryshon nga- njëherë aq fort nga gjuha standarde (p.sh. tek disa të folme gojore të Italisë Jugore ose të Shqipërisë Veriore), saqë sjell probleme serioze, sidomos tek të lexuarit. (Tek të shkruarit ato janë pak më të vogla, sepse këtu mund të shkruhet edhe në dialekt.) Një hyrje e kujdesshme në variantin standard dhe të shkruar të gjuhës amtare është një prej detyrave më të rëndësi- shme të mësimit MGJP, kur bëhet fjalë për të siguruar hyrjen në kulturën e të shkruarit të gjuhës amtare. Kjo është veçanërisht e vlefshme për fëmijët nga familjet me arsimim të ulët, të cilat në shtëpi kanë pak ose aspak kontakt me variantin e shkruar ose standard të gjuhës së tyre.

c) Problemet në lidhje me mungesën e traditës letrare dhe të përkrahjes nga ana e familjes

Ky lloj i vështirësive dhe problemeve nuk është i veçantë për MGJP, shumë më tepër ka të bëjë me arsimimin e lartë apo të ulët të prindërve. Në mënyrë të përgjithshme mund të thuhet: Fëmijët dhe të rinjtë të cilët nga mjedisi shtëpiak janë mësuar të merren me librat dhe shkrimin, në mënyrë të qartë kanë parakushte më të mira në shoqëritë dhe shkollat tona të orientuara nga teksti dhe shkrimi, se sa tek ata te të cilët mungojnë këto parakushte. Natyrisht këtu preket posaçërisht të lexuarit në gjuhën e parë, ndërsa të lexuarit në gjuhën e shkollës përkrahet vite me radhë nëpërmjet mësimit të rregullt. Tek kompensimi i këtyre mangësive, MGJP mund të luajë një rol të rëndësishëm. Kjo është edhe më e rëndësishme, sepse të mësuarit e nxënësve përkatës, nuk është vetëm në dobi të MGJP, por edhe të të mësuarit rregullisht.

Rreth çështjes «Ku qëndrojnë problemet kryesore të nxënësve/eve në fushën e leximit në gjuhën e parë në MGJP?» ne kemi hartuar paraprakisht një pyetësor me mësuesit/et e MGJP. Përgjigjet u shkojnë përshtat tri kategorive, ashtu siç e tregojnë shembujt vijues:


  • «Nxënësit/et, në gjuhën shqipe, nuk mund t’i da- llojnë shqiptimet e shkronjave q, ç, gj, xh, sh etj, gjithashtu ata kanë vështirësi me gjuhën tonë standarde.»

  • «Nxënësit/et kanë vështirësi me shenjat e veçanta të gjuhës turke. Për më tepër ata nuk i dinë shumë fjalë, sepse leksiku i tyre është shumë i varfër.»

  • «Një problem janë pasiguritë tek shkronjat e ve- çanta të gjuhës sonë dhe tek shqiptimi i shkro- njave të ndryshme. Nxënësit/et natyrisht nuk i kanë mësuar këto dallime në mësimin e rregullt. Unë duhet që këto t’i përpunoj dhe t’i ushtroj me të vegjlit me shumë kujdes, sepse, në të kundërtën, ata bëjnë gjithnjë shumë gabime në të shqiptuar ose i ngatërrojnë disa shkronja.»

  • «Numri i pakët i orëve gjatë javës dhe, si pasojë, kontakti i rrallë i nxënësve/eve me gjuhën standarde, e vështirëson përvetësimin e të lexuarit. Shumica e nxënësve/eve flasin në shtëpi në dialekt dhe nuk përkrahen pothuajse fare nga prindërit.»

  • «Tek të lexuarit në gjuhën e parë kemi një problem, sepse nxënësit/et e bëjnë këtë kryesisht në MGJP dhe pothuajse fare në shtëpi. Një vështirësi tjetër është që ata flasin variantin dialektor në shtëpi. Prandaj ata kanë vështirësi t’i lexojnë fjalët në gjuhën standarde, madje edhe nuk i kuptojnë ato plotësísht.»

  • «Problemet kryesore të nxënësve/eve burojnë edhe nga rrethana se ata kanë pak përvojë leximi. Mund të përmenden arsyet vijuese:
    a) Edhe prindërit lexojnë pak; fëmijët rrallë i shohin ata duke lexuar.
    b) Fëmijëve nuk u lexohen (ose u lexohen rrallë) tregime.
    c) Edhe gjatë të qëndruarit në vendin e prejardhjes praktikohet, kryesisht, gjuha e folur.»

  • «Në përgjithësi motivimi i nxënësve/eve për të lexuarit është i ulët. Edhe më i ulët është në raport me të lexuarit në gjuhën amtare, sepse me të ata kanë edhe më shumë vështirësi.»

Kompetenca në të lexuar (si edhe kompetencat në të shkruarit dhe shumë teknika dhe strategji mësimore) nuk janë të lidhura me një gjuhë të caktuar. Kush i ka mësuar ato në një gjuhë, mund t‘i transferojë mirë edhe në gjuhët e tjera të tij dhe t’i përdorë ato. Për këtë arsye ndihmesa e MGJP në fushën e të lexuarit në gjuhën e parë, është e dobishme për nxënësit/et edhe në shkollimin e përditshëm të rregullt. Njëkohësisht do të ishte veçanërisht e dëshirueshme, që MGJP dhe mësimi i rregullt për sa i përket zhvillimit të kompetencës së të lexuarit dhe kënaqësisë që ngjall kjo, mundësisht të bashkëpunojnë sa më ngushtë. Edhe kjo është shtruar në pyetjet e anketës sonë:


  • «Nxënësit/et, të cilët flasin rrjedhshëm në gjuhën shkollore, e bëjnë këtë më mirë edhe në gjuhën e parë. Kompetencat në të lexuar janë gjuhësisht të transferueshme.»

  • «Të lexuarit është një teknikë e cila duhet të ush- trohet. Kush e zotëron këtë teknikë në një gjuhë, mund ta përdorë atë për secilën gjuhë tjetër. Dhe: Nëse një fëmijë lexon me dëshirë, lexon me dë- shirë në të gjitha gjuhët. (…) Është me rëndësi që të lexuarit global, i qëllimshëm dhe i qartë, të li- dhet me të gjitha gjuhët, të provohet në të gjitha gjuhët. Për mësimdhënësit dhe nxënësit/et duhet të jetë e qartë që shumicën e strategjive të të lexuarit dhe teknikat e të lexuarit, mund t’i përdorin në të gjitha gjuhët.»

  • «Do të ishte me shumë përparësi një bashkëpunim i ngushtë mes mësuesve/eve të MGJP dhe atyre të mësimit të rregullt. Nëpërmjet kësaj, të dy palët do të mund të punojnë në mënyrë konkrete edhe të frytshme në përkrahjen e nxënësve/eve në fushën e të lexuarit.»

 


Tabela e pëmbajtjes