Dialektet/të folmet dialektore dhe gjuha standarde janë variante/varietete të barasvlershme të po asaj gjuhe. Megjithatë, ato ndryshojnë për sa i përket disa aspekteve gjuhësore dhe funksionale dhe, varësisht nga gjuha, edhe për sa i përket famës së tyre.
Dallimet dhe veçoritë gjuhësore mund t‘iu referohen aspekteve të ndryshme: shqiptimit, fjalorit, gramatikës etj.
Vetëkuptohet që të dy varietetet (si në çdo gjuhë) kanë gramatikën e tyre. Gramatika e gjuhës standarde, pjesë e së cilës janë shqiptimi dhe drejtshkrimi, është e përshkruar në detaje dhe e normuar në rregulla dhe tekste mësimore, të cilat vlejnë për një zonë të tërë gjuhësore. Përshkrimet e karakteristikave gramatikore, fonetike dhe leksikore ekzistojnë gjithashtu në shumë dialekte dhe të folme dialektore. Megjithatë, këto nuk kanë karakter normativ, por deskriptiv (përshkrues) dhe zakonisht i përkasin vetëm gjuhës së folur.
Në aspektin funksional dhe pragmatik të dy varietetet dallohen në mënyrë koncize: dialekti, gjegjësisht e folmja dialektore është funksional dhe i rëndësishëm në nivel regjional e lokal si medium i komunikimit joformal (p.sh. familjar). Gjuha standarde është funksionale dhe e rëndësishme si medium i përdorimit gjuhësor formal, veçanërisht në të shkruar. (Në aspektin e orientimit nga kompetencat mund të themi: Të komunikuarit në dialekt është me rëndësi për integrimin social; kompetenca në gjuhën standarde është e domosdoshme për integrimin shkollor dhe në fushën e profesionit e të karrierës.) Kështu, të dy varietetet kanë funksionalitetin dhe rëndësinë e tyre të veçantë, të cilat duhet të respektohen.
Për famën e gjuhës standarde dhe të dialekteve/të folmeve dialektore shih më lart tek 2. Varësisht nga gjuha dhe regjioni gjuhësor ka dallime të qarta. Vlerësimet e lidhura me to nuk duhet të kalohen më tutje pa një reflektim. Kjo ka të bëjë p.sh., me shprehjet normuese dhe vlerësuese si: «Ne duhet ta flasim gjuhën tonë në formën e pastër/të kulluar». Paraqitja e një gjuhe si ‚e kulluar‘, ‚e pastër‘, ‚e papërzier‘ është thjesht konstrukt romantik. Që nga kohët e lashta gjuhët kanë qenë dhe janë në kontakt me njëra-tjetrën dhe nëpërmjet lëvizjeve tregtare dhe të migracionit zhvillohen vazhdimisht. Më pak të kualifikuara janë edhe deklaratat e tilla si: «Ai e flet gjuhën ‚me gramatikë‘». Zhvlerësimi i nënkuptuar i dialektit si formë gjuhësore pa gramatikë është, siç u pa më lart, i paqëndrueshëm dhe joadekuat. Një formulim pozitiv i asaj që mund të thonë këto dy deklarata mund të jetë: «Tani duam t‘u përmbahemi normave të gjuhës standarde (për shkak se situata specifike e komunikimit e kërkon një gjë të tillë) dhe fjalët nga gjuhët e tjera t‘i përdorim vetëm nëse gjuha jonë nuk e ka fjalën e vet për atë që po mendojmë.»