Shënim paraprak
Shumica e nxënësve/-eve të mësimit në gjuhën e prejardhjes e njohin nga familja një dialekt/të folme dialektore të gjuhës së parë. Në këtë sekuencë ata do të reflektojnë se cilat elemente të gjuhës standarde janë të rëndësishme për ta për t‘i mësuar. Në të njëjtën kohë, ky reflektim mësimor i bën ata të ndërgjegjshëm në punën e tyre në mësimin e gjuhës së prejardhjes, veçanërisht për rëndësinë e gjuhës standarde (si medium i shkrimit dhe i qasjes në fushën e letërsisë) që tashmë është sqaruar në sekuencat e mëparshme.
Meqenëse pretendimet dhe kërkesat në këtë drejtim ndryshojnë varësisht nga grupmoshat dhe parakushtet, ky reflektim bëhet me të tri nivelet.
Çështje metodike:
Pas hyrjes dhe formulimit të detyrës, mësuesi/-sja e shoqëron dhe moderon pyetjen fillimisht për grupin e fillestarëve, pastaj sheh nëse dy grupet e tjera kanë nevojë për mbështetje.
Rrjedha:
- Mësuesi/-ja njofton:
- «Ne tashmë kemi folur disa herë për dialektet dhe gjuhën tonë standarde. Ne e dimë se gjuha standarde është e rëndësishme për t‘u kuptuar në të gjithë zonën tonë gjuhësore, për lexim dhe shkrim dhe për qasje në letërsinë dhe kulturën tonë. Është gjithashtu e qartë se gjuha standarde nuk është e lehtë për të gjithë ne, sepse pjesërisht ndryshon prej dialekteve tona.
- Sot, ne duam të mendohemi dhe ta bëjmë të qartë se çfarë duam të mësojmë fillimisht nga gjuha standarde: veçoritë e shqiptimit, fjalët, karakteristikat e veçanta në gramatikë, drejtshkrimi etj. Këto mësime do t‘ju ndihmojë juve që t‘i bëni këta hapa në të mësuar!
- Këto shoshitje do t‘i bëjmë në tri grupe (fillestarët, të mesmit, të përparuarit), sepse, natyrisht, kërkesat nuk janë të njëjta për të gjithë. Secili grup do të marrë një letër të madhe (‚pllakat‘) në të cilën do të shënojnë çfarë duan ose, më saktë, çfarë duhet të mësojnë nga gjuha standarde në të ardhmen e afërt.»
- Detyrë (në grupe të vogla ose punë me partner):
- «Mendohuni dhe shënoni në pllakatin tuaj se çfarë është veçanërisht e vështirë për ju në gjuhën standarde dhe në drejtshkrim. Merruni me katër pyetjet e mëposhtme!» (Pyetjet duhet të shënohen në tabelë.)
- Çfarë doni të mësoni më pas?
- Cilat janë qëllimet tuaja? Si mund të kontrolloni nëse i keni arritur qëllimet?
- Si mund t‘ju ndihmojë mësuesi/-ja?
- Çfarë mund të bëni vetë për t‘i arritur qëllimet tuaja?
- Në fund të mësimit, secili grup paraqet pllakatin e vet, kurse nxënësit tjerë e komentojnë atë.