Nxënëset dhe nxënësit, që e vijojnë MGJP, rriten në dhe mes dy traditave pedagogjike: asaj të vendit të migrimit, në të cilin e marrin pjesën më të madhe të arsimimit të tyre, dhe të asaj të MGJP. Varësisht nga mosha, personaliteti, vendi i arsimimit dhe vendi i prejardhjes së mësimdhënësve, të dy traditat dallohen më pak apo më shumë. Në përceptimin e nxënësve/eve kjo p.sh., mund të bëhet një problem, nëse ata janë të mësuar nga mësimi i rregullt me format e përparuara mësimore ose janë të mësuar me format e të mësuarit të vetëdrejtuar, kurse në MGJP janë më tepër të drejtuara e të udhëhequra nga mësimdhënësi. Padyshim do të ishte optimale në aspektin e të mësuarit të frytshëm dhe të qëndrueshëm, nëse mes MGJP dhe mësimit të rregullt do të kishte pak thyerje të tilla. Pikërisht kjo lidhje më e mirë është, ashtu siç u tha edhe më lart, në parathënie, qëllimi i serisë «Materiale për mësimin në gjuhën e prejardhjes».

Dhënia dhe trajnimi i strategjive dhe teknikave të të mësuarit janë një fushë në të cilën MGJP dhe shkolla e rregullt mund të punojnë së bashku në mënyrë të frytshme dhe të dobishme për të dyja palët dhe duke e plotësuar njëri-tjetrin. Nga njëra anë, nxënësit e MGJP sjellin sigurisht nga klasat e rregullta tashmë një numër të teknikave dhe strategjive, të cilat natyrisht mund të përdoren dhe të thellohen edhe në MGJP. Në anën tjetër, strategjitë e të mësuarit mund të zbatohen dhe të provohen në MGJP, të cilat natyrisht janë të dobishme për nxënësit/et edhe në mësimin e rregullt. Arsyeja për këtë bashkëpunim veçanërisht efektiv në fushën e strategjive dhe teknikave të të mësuarit, është se këto strategji janë kryesisht të pavarura nga gjuha apo mbigjuhësore: kush e zotëron teknikën, që të orientohet në fjalorët dhe enciklopedinë shqipe, këtë mund ta transferojë lehtë edhe në vepra referimi në gjuhën e shkollës; kush e di se si të organizojë punën e tij për një provim apo një referat, këto aftësi mund t‘i përdorë për provime dhe referate në të gjitha gjuhët e mundshme.

Një pikë tjetër që duhet të përmendet dhe që ka rëndësi të madhe është roli i MGJP tek dhënia e strategjive dhe teknikave të mësuarit, si dhe tek puna me to: Shumë fëmijë «vendas» dhe të rinj në vendet pritëse (sidomos ata nga familjet më të arsimuara ) kanë tashmë nga shtëpia disa teknika të caktuara të mësimit dhe të strategjive të punës. Kjo bazë u mungon shumë fëmijëve dhe të rinjve, prindërit ose gjyshërit e të cilëve kanë emigruar nga vende me kulturë të ndryshme të të mësuarit. Në rend të parë të prekur janë kryesisht nxënësit/et nga familjet më pak të arsimuara, të cilët nuk kanë një sfond të përshtatshëm. Ata kanë veçanërisht nevojë për mbështetje, dhe atyre, gji-
thashtu, mund t‘u ndihmojë veçanërisht MGJP, sepse ai vjen nga gjuha e tyre e parë dhe nga një zonë mëpak stresuese. Në mënyrë të veçantë këtyre fëmijëve dhe të rinjve, u drejtohet programi i trajnimit 10-ha-pësh për mësim të suksesshëm në pjesën II të kësaj broshure (krahaso më poshtë këtë në kreun 4).

Në përfundim të këtij kreu, ne paraqesim dy aspekte të rëndësishme për punë konkrete: bashkërendimi me mësimin e rregullt dhe pikat kryesore metodike-didaktike.

Bashkërendimi me mësimin e rregullt
Në kuptim të lidhjes dhe qëndrueshmërisë në zbatimin e strategjive të të mësuarit dhe të punës me to, janë të rëndësishme tri pikat e mëposhtme:

a) Sa më ngushtë të bashkëpunojnë mësim. Dhënësit e MGJP dhe të klasëve të rregullta, aq më i mirë dhe më efektiv është suksesi i të mësuarit. Kjo vlen në përgjithësi, por edhe për të punuar me strategjitë dhe teknikat e të mësuarit. Ideal do të ishte shkëmbimi i drejtpërdrejtë dhe planifikimi i bashkërenduar, te p.sh. teknika kllaster dhe Mind-Map-i ose orientimi në internet, të cilat do të provoheshin paralelisht në MGJP dhe në klasat e rregullta. Kjo mund të zhvillohet, për shembull, në bazë të një teme të përbashkët faktike nga gjeografia ose historia (lumenjt; mesjeta) ose mund të zhvillohet në bazë të një detyre të ngjashme (të mblidhen ide shkrimi për një tekst fantazie; të mblidhen dhe të përgatiten informacionet për një referat).
b) Aty ku bashkëpunimi i drejtpërdrejtë dhe intensiv nuk është mjaft i mundur, mësuesit e MGJP duhet të marrin të paktën disa njohuri për atë se çfarë strategjish të të mësuarit jepen në materialet mësimore të klasave të rregullta (sidomos në librat e gjuhës) dhe janë të njohura për nxënësit/et në njëfarë mase.
c) Për çdo strategji të të mësuarit dhe teknikë, të cilën nxënësit/et e MGJP e njohin, duhet të diskutohet se ku dhe kur duhet teknika përkatëse në MGJP, por edhe në mësimin e rregullt, lejon të përdoret (në cilat lëndë, në cilat detyra, për ushtrimin e cilave përmbajtje etj). Është gjithashtu e rëndësishme për t‘u sqaruar nëse nxënësit/et tashmë kanë përvojë me këto teknika përkatëse (ose të ngjashme), dhe si mundet që këto përvoja të zgjerohen dhe shtohen.

Pikat kryesore metodike-didaktike

Në mënyrë që strategjitë dhe teknikat mësimore të përvetësohen në mënyrë të përhershme dhe të jenë të përdorshme, janë të rëndësishme pikat e mëposhtme:

d) Strategjitë dhe teknikat mësimore duhet njëherë të paraqiten dhe të sqarohen. Me rëndësi është që gjatë paraqitjes të sqarohen saktësisht (këtu ndihmojnë natyrisht edhe materialet në pjesën I) dhe pastaj, në bazë të detyrave konkrete, mundësisht të provohen (përkatësisht të ushtrohen) shumë herë. Këshillat didaktike për materialet në pjesën I japin për këtë fushë edhe nxitje praktike.
e) Në mënyrë që teknikat dhe strategjitë të përshtaten dhe të përvetësohen veç e veç, paraqitja dhe zbatimi i tyre duhet të bëhet me kujdes (shih më lart) dhe të kryhet në një periudhë prej disa javësh. Nëse paraqiten përnjëherë disa teknika mësimore ose në një periudhë të shkurtër kohore, rreziku është i madh për t‘i ngatërruar dhe harruar.
f) Gjatë paraqitjes si dhe, gjithashtu, gjatë dhe pas ushtrimit, përvojat e nxënësve/eve duhet patjetër të diskutohen. Çfarë ka sjellë teknika e re? Ku kishte vështirësi? Si mund ta përsos punën time me këtë teknikë? Çfarë mund t‘u jap si këshillë për punën me këtë strategji nxënësve/eve?
g) Dhe, krejt në fund, duhet të bëhet edhe njëherë një udhëzim për pikën c të lartpërmendur, d.m.th. për bisedat rreth pyetjes se, në cilat situata të tjera në MGJP dhe veçanërisht edhe në mësimin e rregullt, stategjia dhe teknika përkatëse do të mund të përdoren.

Tabela e pëmbajtjes