Kjo fletë të tregon ty se si mund t‘i zgjidhësh disa probleme në të shkruar.

  • Nëse ti nuk ke ide se çfarë do të mund të shkruash, ose nëse ke vështirësi me ndërtimin dhe ndarjen e tekstit, atëherë shiko fletën e punës M 12!


Problemi 1
Unë kam vështirësi të shkruaj në gjuhën time amtare.

  • Tek mbledhja e ideve ose tek skica mund të përdorësh fjalë edhe nga gjuha shkollore (p.sh. gjermanisht), nëse për ty është më e lehtë.
  • Nëse ke vështirësi me dialektin ose gjuhën e shkruar në gjuhën amtare ose me format korrekte: Shkruaj në skicë ashtu si ti mundesh. Diskutoje skicën pastaj me mësimdhënësin ose me dikë i cili e zotëron gjuhën e shkruar. Lejo që të të sqarohet se çfarë duhet të ndryshohet dhe pse.
  • Ndoshta mund të merresh vesh që ti të shkruash vetëm një tekst të shkurtër, por mundësisht korrekt, ose që ti t‘i përpunosh pesë fjalitë e para mundësisht në mënyrë korrekte.
  • Për drejtshkrim do të duhej të shfrytëzosh një fjalor në gjuhën tënde.

Problemi 2
Unë nuk po gjej një fillim interesant ose hyrje atraktive.

  • Është me rëndësi, që para fjalisë së parë, teksti yt të ketë një titull interesant! Referatet dhe tekstet e gjata do të duhej gjithashtu t‘i ndash përmes nëntitujve.
  • Tek një tekst tematik ose tek një referat, në fillim, qëndron një vështrim i shkurtër mbi përmbajten e tekstit. Ai u ndihmon lexuesve/eve ose dëgjuesve/eve për t‘u orientuar më mirë.
  • Edhe një tregim ose një përjetim mund të fillojë me një formë të një vështrimi të përgjithshëm: «Unë dua t‘u tregoj juve, se si unë njëherë …», «Në rrëfimin tim bëhet fjalë për …»
  • Por një tregim mund të fillojë edhe nga «brendia e mesit», që nganjëherë zgjon shumë kurreshtje: «Unë shtrihesha si i vdekur në tokë. Çfarë kishte ndodhur? Ngadalë më kujtohej …»
  • Edhe një pyetje drejtuar lexuesve/eve ose dëgjuesve/eve mund të krijojë një fillim të mirë: «A dëshironi të dini se çfarë përjetova verën e fundit? Dëgjoni mirë! Ishte në një …»

Problemi 3
Unë nuk e di se si dhe çfarë duhet të shkruaj më tutje.

  • Lexoja dikujt ose tregoja dikujt se çfarë ke shkruar deri tash. Diskutoje më këtë person se si mund të shtjellohet teksti yt më tutje.
  • Tek një tekst tematik ose referat: Mendoje një aspekt të ri të temës sate ose një nëntemë të re, të cilën nuk e ke trajtuar ende.
  • Tek një tregim: Mendohu se çfarë dëshirojnë të dinë lexuesit/et edhe më saktësisht. Shkruaj diçka për këtë: («Tomi u shtri në krevat dhe fjeti.» → «Ju doni të dini se si dukej krevati i Benit dhe dhoma? Këtë mund t‘ua them juve me kënaqësi: …».)
  • Lexoje fjalinë e fundit të tekstit tënd. Shkruaje një fjali tjetër, në të cilën e merr një fjalë nga fjalia e fundit: Tomi u shtri në krevat dhe fjeti.» → «Ai fjeti thellë, derisa papritur u hodh përpjetë, sepse iu kujtua, se …».)

Problemi 4
Unë nuk gjej përfundim të mirë për tekstin tim.

  • Tek një tekst nga fusha e dijeve është shpesh mirë që në fund të shkruhet një përmbledhje («Pikat më të rëndësishme të temës sime janë …».)
  • Është shpesh mirë që në fund të tekstit të jepet një mendim personal: «Mua më pëlqen në këtë tregim/te kjo temë veçanërisht, …», «Sipas mendimit tim …».
  • Në fund mund t‘i drejtohesh edhe lexuesve/eve: «Unë shpresoj që ishte e qartë se çfarë desha t‘u them», «Si do të ishit sjellur ju këtu?».

Problemi 5
Ndihmë, teksti im është tepër i shkurtër!

(Shiko më lart edhe njëherë tek problemi 3!)

  • Tek tregimet: Sajoje një figurë plotësuese (p.sh. një mace), e cila herë pas here del në sipërfaqe.
  • Shkruaj tek disa fjali të tekstit tënd një zgjerim ose një fjali plotësuese (Shembull: «Atëherë isha ende shumë i vogël» → «Atëherë, para rreth pesë vjetësh, unë isha shumë i vogël. Unë isha më së shumti gjashtë vjeç dhe shkoja së pari tek në kopsht parashkollor.»
  • Zgjeroje përfundimin e tregimit tënd. Tek një tekst tematik p.sh. me një përmbledhje të mirë, tek një tregim me një qëndrim personal.

 


Tabela e pëmbajtjes