1. Violeta Brakus: Cilat janë problemet me të cilat ballafaqohen mësuesit e MGJP-së, si sillem unë me probleme të tilla?
Violeta Brakus vjen nga Serbia. Ajo punon në zonën frengjishtfolëse të Zvicrës (Lausanne, Crissier, Clarens, Leysin, Neuchatel) si mësuese e MGJP-së serbe.
Problemet me të cilat ballafaqohen mësuesit e MGJP- së janë të natyrave të ndryshme. Do të përmend këtu disa prej tyre. Në vendet e prejardhjes (p.sh. në Ballkan) ofrohen kualifikime për mësuesit, të cilat i përgatisin ata për punën e tyre jashtë vendit (të tilla si: program masteri, që do t’u mundësonte mësuesve përvetësimin e kompetencave socio-kulturore, metodike dhe didaktike). Në shumicën e rasteve, mësuesit e MGJP- së ballafaqohen vetëm pas mbërritjes në vendin e emigrimit me një model krejtësisht të ri mësimdhënie të MGJP-së. Duke pasur parasysh kushtet e ndryshme organizative të mësimit, si dhe grupin e nxënësve, të cilëve gjuha mëmë shpesh u përcillet si gjuhë e huaj, mësuesit e MGJP-së detyrohen deri diku të bëjnë rolin e nxënësve duke improvizuar, duke sjellë risi apo duke vazhduar studime kualifikuese si dhe duke u orientuar sipas konteksteve të reja kulturore, didaktike dhe pedagogjike.
Librat e mësimit, librat dhe fletët e ushtrimeve, si dhe literatura edukative e vendit tonë bazohen në një qasje njëgjuhëshe dhe monokulturore. Për fëmijët e emigrantëve, të cilët kanë lindur në një trevë të re, këto materiale janë zakonisht të pamjaftueshme, shumë të vështira nga ana gjuhësore dhe praktikisht vështirë për t´u përdorur, pasi ata nuk bazohen në një përdorim dygjuhësh. Gjithashtu ndihet mungesa e fletëve të ush- trimeve, të cilat janë konceptuar jo në mënyrë të diferencuar, pra jo të shkruara në dy-ose shumë gjuhë. Të shumëdëshirueshme do të ishin materialet mësimore, të cilat bazohen në metodikën bilinguale, të shoqëruara nga libra ushtrimesh, të ilustruara me të dhëna për historinë, qytetërimin, muzikën dhe artin e vendit të prejardhjes.
Gjendja aktuale e MGJP-së (në Zvicër) nuk është aspak motivuese. Pas mësimit të rregullt në shko-
lla shpesh edhe pas aktiviteteve sportive, vazhdohet me mësimin e gjuhës së prejardhjes në orarin 17.00-20.00. Frekuentimi i këtij mësimi ndodh kryesisht (më tepër tek nivelet e përparuara) pasi nxënësit detyrohen nga prindërit dhe jo se ata kanë dëshirë për ta bërë një gjë të tillë. Heterogjeniteti i madh i klasave (për sa i përket moshës, niveleve gjuhësore etj.) si dhe shkëputja apo largimi nga mësimi (sikur thjesht edhe dy orë në javë), përbën për mësuesit një sfidë të madhe dhe vështirëson planifikimin e mësimit.
Shembull: Në të njëjtin grup unë kam nxënës të të gjitha moshave, që nga parashkollorët deri tek të rriturit. Kështu gjatë mësimit unë ndodhem rregullisht midis grupeve të ndryshme jo vetëm për sa i përket moshës por edhe nivelit. Duke qenë se unë jap mësim në shkolla dhe komuna të ndryshme, mund të thuhet se jam gjithashtu vazhdimisht «mbi shina» si një lloj udhëtar i përjetshëm.
Të gjitha këto probleme bëjnë, që mësimi i gjuhës së prejardhjes të jetë shpeshherë i mërzitshëm dhe lodhshëm. Për një brez nxënësish, të cilët rriten në një mjedis shumëgjuhësor, mësimi do të ishte, si nga ana e përmbajtjes ashtu dhe nga ana organizative, jo shumë tërheqës.
Për mua si praktikante, do të ishte urgjentisht e nevojshme, që vendet e prejardhjes dhe ato të emigrimit të bashkëpunonin më mirë. Duhet të zhvillohen strategji të përbashkëta dhe të krijohet një institucion, i cili të merret me ruajtjen e identitetit kulturor të fëmijëve me sfond emigrimi. Gjatë punës së përbashkët të ekspertëve dhe praktikantëve të të dyja vendeve duhen bërë përmirësime organizative dhe përshtatje metodologjike të kurrikulave ekzistuese, si dhe duhet të përpunohen materiale të përshtatshme. Ekziston një nevojë urgjente për forma të reja organizative të mësimdhënies, për krijimin e një pune më dinamike, për përdorimin e mjeteve mësimore dhe mediave moderne në mësim. Përveç kualifikime të mëtejshme të përkohshme në vendin e prejardhjes ose të emigrimit, është e nevojshme që të iniciohen projekte të përbash- këta arsimore, si p.sh. projekte kërkimore apo dhe seminare profesionale. Tashmë vërtet ka projekte të rralla, por shumica janë projekte pilot të pamjaftueshme dhe shumë të shkurtra.
Unë vetë, pas përfundimit në vendin e prejardhjes, unë gjatë punës sime kam zbuluar gjithnjë e më tepër «të fshehtat» e mësimit të gjuhës së prejardhjes, kam mësuar përveç punës dhe i kam raportuar problemet e mësimit të gjuhës së prejardhjes në seminare të shumta në vendin e prejardhjes si dhe në Zvicër; jam kualifikuar më tej, kam krijuar materiale të shkruara në dy gjuhë si dhe kam marrë pjesë në projektet pilot të MGJP-së dhe të shkollave zvicerane. Në mënyrë që mësimi i gjuhës së prejardhjes të jetë sa më i qëndrueshëm dhe sa më cilësor, ai ka nevojë për një mobilizim sa më të plotë të mësuesve dhe një bashkëpunim gjithëpërfshirës në këtë mjedis arsimor. Jo më pak e rëndësishme është edhe një përfshirje e MGJP-së dhe problemeve apo shanseve të saj në rrjetin mediatik si dhe në diskutimet publike mbi çështjet arsimore dhe shkollore.
2. Yergahem Belay: Tri sfida të mëdha
Yergahem Belay vjen nga Etiopia. Ajo jeton që prej vitit 1995 në Londër, ku prej vitit 2001 jep MGJP-në në gjuhën Tigrinya.
Qysh në vitin 2002 kam filluar si mësuese e MGJP-së në gjuhën etiopiane. Që në tri javët e para u ballafaqova me çështjet dhe problematikat e mëposhtme:
Si mund të merrem me pritshmëritë e grupeve të ndryshme (grupeve të nxënësve, prindërve, mësuesve të shkollave shtetërore)? Për të filluar rregullisht me mësimin, ne duhet të fillojmë të bisedojmë me nxënësit, t’i ndajmë ata në tri grupe dhe tua komunikojmë këtë gjë prindërve. Kjo qe e vështirë, pasi ndarja në grupe e nxënësve sipas moshës nuk kishte ndonjë kuptim: Disa nxënës (edhe më të rinjtë) e dinin gjuhën që në fillim, kurse të tjerët (gjithashtu edhe më të rritur) nuk kishin njohuri. Pra ne na duhej t´i ndanim grupet, jo sipas moshës, por sipas njohurive të gjuhës amtare, gjë e cila do të krijonte të tjera probleme.
Çfarë më duhet të bëj nga ana metodike dhe didaktike? Duke pasur parasysh heterogjenitetit e madh të grupmoshave, dhe stilet e ndryshme të të mësuarit sipas moshës, unë duhet të isha shumë kreative, për të ndjekur interesat e të gjithë nxënësve. Shumë shpejt e kuptova që mënyra më e mirë ishte mësimi interaktiv, duke i bërë nxënësit më aktiv.
Çfarë më duhet të bëj me sfidat në lidhje me librat dhe materialet shkollore? Nga ana e autoriteteve etiopiane nuk m´u vu në dispozicion asnjë material për mësimdhënien jashtë vendit. Krijimi i një programi, i cili do të merrte parasysh dhe do të kapërcente barrierat ndërkulturore, ishte pa ndihmën e mjeteve të tjera, tejet e vështirë dhe kërkuese. Në fillim u mbështeta vetëm tek librat shkollor etiopian. Pasi njoha më mirë historikun e nxënësve, e kuptova se përdorimi i një teksti të caktuar në Etiopi, nuk do të ishte i përshtat- shëm për situatën në Angli. Por diçka e re ishte e nevojshme, diçka që kishte të bënte me marrëdhënien midis Etiopisë dhe Anglisë. Si rezultat krijova vetë materiale me temë «Tradita dhe kultura etiopiane», për t’i ndërgjegjësuar nxënësit me çështjet e identitetit dhe vlerave kulturore. Kjo punë kërkonte shumë kohë, edhe për faktin se «qasja Top-Down» e punuar në Etiopi, nuk funksionon në Angli, por edhe sepse shumë tekste ekzistuese nuk përshtaten përsa i përket përmbajtjes. Shpesh kam qenë e pakënaqur, por tash- më jam e lumtur, që këto vitet e fundit kam mësuar të përdor internetin si burim për gjetjen e materialeve.
3. Hyrije Sheqiri: Aktualisht problemi më shqetësues për mua
Hyrije Sheqiri vjen nga Kosova. Ajo jeton që prej vitit 1995 në Suedi, ku fillimisht ka qenë përgjegjëse e mësimit të gjuhës së prejardhjes në shqip në Ronneby, Karlskrona dhe që prej vitit 2007 në Karlshamm. Teksti i mëposhtëm është paragrafi i fundit i rrëfimit të saj në kapitullin 1B.2.
Aktualisht problemi më shqetësues për mua, i sigurt edhe për shumë prej kolegëve të mi, është pjesëmarrja e sa më shumë nxënësve në mësimin e gjuhës së prejardhjes. MGJP-ja përbën një rol të rëndësishëm për fitimin e njohurive dhe suksesin në shkollat suedeze, në të cilat hulumtimi shkencor dhe pedagogjik nuk lë vend për dyshim. Unë shpresoj, se me një përkushtim më të madh dhe me një vetëdije të sigurt nga ana e prindërve, do mund ta kalojmë edhe këtë pengesë. Pjesëmarrja e gjerë e nxënësve shqiptarë në mësimin e gjuhës së prejardhjes, ashtu edhe siç është ofruar në mënyrë të integruar në sistemin shkollor suedez, në të vërtetë varet nga prindërit. Kjo lidhet me interesat e tyre, që fëmijët ta mësojnë gjuhën mëmë, sepse në këtë mënyrë ata e kanë më të lehtë të mësojnë lëndët e tjera dhe në të njëjtën kohë të forcojnë identitetin e tyre dygjuhësor dhe dykulturor. Kemi të bëjmë këtu me një gjuhë të dyfishtë dhe me përfitime kulturore. Si individë, nxënësit e MGJP-së zgjerojnë aftësitë dhe vlerat e tyre personale. Në këtë mënyrë ata nuk bëhen të vlefshëm dhe kompetentë vetëm për familjet e tyre, por edhe për shoqërinë dhe vendin, ashtu si dhe për vetë vendin e tyre të prejardhjes.
Unë jam e bindur, se ky shqetësim im (i cili në të njëjtën kohë është shqetësim dhe për shumë mësues të tjerë të MGJP-së), me angazhimin dhe mbështetjen e madhe të prindërve (shqiptarë në Suedi), në të ardh- men e afërt do të jetë krejt i papërfillshëm.
4. Tri jetëshkrimet e nxënësve të MGJP-së
Gulcani (f, 8), jeton në Angli (Rrëfim i mësueses Zuleyha Toprak, London)
Gulcani u lind në vitin 2006 në Londër. Të dy prindërit janë turq. Ajo ka një motër më të madhe. Babai i saj u largua nga familja kur Gulcani qe pesë vjeçe. Kjo gjë ishte shumë e vështirë për të pasi kishte një marrë- dhënie të ngushtë me të atin. Nëna e saj është një grua e re me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore. Edhe pse ajo jeton prej më shumë se dhjetë vjetësh në Angli, ajo nuk flet anglisht. Nëna e saj nuk ka asnjë të afërt në Angli. Edhe pse familja e të atit jeton po këtu, Gulcani dhe motra e saj nuk marrin asnjë përkrahje prej tyre. Nëna e Gulcanit përpiqet t’i çojë të bijat gjatë pushimeve verore në Turqi, në mënyrë që ato të mësohen me mbështetjen dhe dashurinë e familjes së saj.
Gulcanit i pëlqejnë këto pushime, ashtu si dhe fakti i të qenit bashkë me gjyshërit, sepse atje ajo mund të luajë gjatë jashtë, aq sa dëshiron. Udhëtimin për në Turqi e paguajnë gjyshërit e saj, ndërsa pushime të tjera, për arsye financiare, janë krejt të pamundshme.
Gulcani u regjistrua nga e ëma në mësimin e gjuhës së prejardhjes, pasi në mësimin e zakonshëm e të rregullt ajo nuk binte në sy dhe kishte nevojë për mbështetje. Sipas nënës së saj, ajo u keqtrajtua në shkollë për shkak të mbipeshës por edhe sepse ajo mësonte më ngadalë se të tjerët. Ajo ka shumë pak shoqe në shkollën shtetërore, por me disa fëmijë në mësimin e gjuhës së prejardhjes, ajo kuptohet shumë mirë.
Hobet e saj janë lojërat kompjuterike, televizioni dhe ushqimi. Ajo është e «çmendur» pas «Littlest Pet Shop Toys» (kafshët lodër për fëmijë të vegjël), me të cilat ajo mund të luajë me orë të tëra. Ajo kujdeset me shumë dashuri për to, duke të lënë një përshtypje të mirë.
Aylin (f, 10), jeton në Gjermani
Emri im është Aylin. Unë jam 10 vjeçe. Aktualisht jetoj me familjen time në Senden. Ky është një qytet i vogël në perëndim të Mynsterit në Gjermaninë perëndimore. Hobet e mia janë muzika, kërcimi, si dhe leximi. Gjithashtu mua më pëlqen të shkoj në kinema. Kohën e lirë e kaloj kryesisht me shoqet e mia që jetojnë në të njëjtën lagje. Kam shokë gjermanë dhe kurdë. Por kam edhe disa shokë nga Turqia, Rusia, Polonia, Bosnja etj.
Prindërit e mi janë nga Anadolli juglindor, në territorin kurd të Turqisë dhe janë pjesë e një grupi etnik turk. Atje ata jetonin në një fshat të vogël të quajtur Bahcin. Fshati ekziston ende dhe ndodhet në afërsi të qytetit Mardin. Ne jemi pjesë e një komuniteti fetar. Unë kam katër motra dhe vëllezër dhe jam rritur në një familje të madhe, gjë të cilën e vlerësoj shumë, pasi ne motrat dhe vëllezërit kemi qëndruar gjithmonë me njëri-tjetrin. Familja ime jeton prej më shumë se 20 vjetësh në Gjermani. Shumica e vëllezërve dhe motrave kanë lindur në Gjermani, ashtu si dhe unë. Në vështrim të parë, unë jam rritur me gjuhën kurde dhe gjermane. Në shtëpi flas me prindërit gjuhën kurde. Megjithatë me vëllezërit dhe motrat flas gjermanisht.
Behar (m, 17), jeton në Suedi
Unë quhem Behar dhe jam 17 vjeç, jam lindur dhe jam rritur në vendin tim, Kosovë, derisa erdha dy muaj para se të mbushja 10 vjeç në Suedi, ku unë tashmë jetoj dhe ndjek vitin e parë të gjimnazit. Jeta në Kosovë është jashtëzakonisht ndryshe nga ajo në Suedi. Në Kosovë ka shumë varfëri, kurse këtu në Suedi jetohet më lehtë dhe shumë më mirë. Edhe shkollat janë shumë ndryshe. Në shkollat suedeze dreka ofrohet falas, duke përfshirë këtu edhe pijet, ndërsa në Kosovë duhet të paguhet gjithçka. Në Kosovë unë bëra katër vite shkollë. Ne ishim 45 nxënës në klasë dhe kishim vetëm një mësues. Këtu në Suedi ne jemi vetëm 25 nxënës dhe për secilën lëndë kemi nga një mësues. Suedishten dhe anglishten e mësova shumë shpejt. Që nga klasa e shtatë unë mësoj gjithashtu edhe gjermanisht.
Gjithmonë kam dashur të qëndroj në Kosovë, por prindërit e mi u zhvendosën këtu dhe unë duhet të qëndroja me ata. Kur unë të rritem edhe ca dhe të kem përfunduar shkollën, do të kthehem në Kosovë, për të punuar atje. Pasi në Suedi erdhëm për të pasur një jetë më të mirë dhe për t’iu larguar varfërisë. Në Kosovë ka më shumë disiplinë, pasi atje ka respekt ndaj mësuesit. Këtu ka shumë nxënës mendjemëdhenj, të cilët e teprojnë me gjithçka dhe nuk e dëgjojnë mësuesin. Nëpër lajme është bërë gjithashtu e ditur, se cilësia e mësimdhënies këtu ka rënë. Mësimi në shkollat e Kosovës është shumë më i mirë, vetëm se shteti nuk ka shumë para që të investojë në shkolla. Kur unë të kem fëmijë, nuk do t’u lejojë atyre të harrojnë gjuhën dhe kulturën shqiptare. Më duket krejt absurde, që një fëmijë të shkojë në Kosovë dhe të mos di më të flas shqip. Kjo nuk ka për t´u ndodhur kurrë fëmijëve të mi.