Nuhi Gashi: Vërejtje për MGJP-në shqipe në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian

Nuhi Gashi, i cili ka kryer magjistraturën, ka qenë mësues dhe drejtor shkolle, pastaj mësues i MGJP-së në Berlin dhe është prej shumë vitesh përgjegjës në Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës për MGJP-në e gjuhës shqipe në Evropë dhe më tej. Përmes kontakteve dhe vizitave të tij të shumta nëpër shkolla si dhe po ashtu nëpërmjet seminareve verore të organizuara prej tij për mësuesit dhe mësueset e MGJP-së shqipe nga e gjithë bota, ai e njeh në mënyrë optimale situatën e MGJP-së në vende të ndry- shme dhe është i predispozuar për të dhënë një vështrim të përgjithshëm dhe për të bërë një krahasim në lidhje me këtë, që është i vlefshëm edhe për grupe të tjera gjuhësore. Teksti është i shkurtuar në krahasim me dorëshkrimin origjinal.

Vështrim i përgjithshëm

Mësimi i gjuhës shqipe si gjuhë e prejardhjes (MGJP- ja) ofrohet në shumë shtete ku jetojnë shqiptarë. Ajo ndiqet kryesisht nga pjesëtarë të diasporës (që prej viteve 1960) dhe më pak nga ata, të cilët u përkasin valëve më të hershme të emigrimit. Deri në vitet 1990 MGJP-ja shqipe ishte në shumë vende pjesë të mësimit plotësues jugosllav brenda së cilës ajo qëndronte pothuajse plotësisht në hije (kufizim i përmbajtjeve, ofertë aspak e plotë). Në lidhje me tensionet politike në rritje, të cilat arritën pikën më të lartë me luftën e Kosovës (1998/99) dhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, në vitet 1990-1995 u zhvilluan plane dhe mjete mësimore të veçanta për MGJP-në e gjuhës shqipe. Njëkohësisht numri i shqiptarëve në diasporë u rrit për shkak të luftës dhe refugjatëve nga Republika e Shqipërisë në atë masë sa që aktualisht një e treta e të gjithë shqiptarëve jetojnë aktualisht në emigrim.

Qëllimet e MGJP-së së gjuhës shqipe, fillimisht, para së gjithash, sigurimi i riintegrimit në shkollë pas kthimit në atdhe, kanë ndryshuar dukshëm që prej atëherë dhe mund të përcaktohen si në vijim:


  • Ruajtja e identitetit gjuhësor dhe kulturor të prejardhjes edhe në vendin e ri.

  • Mbështetja për integrimin në shoqërinë e vendit të emigrimit nëpërmjet një identiteti të mirëzhvilluar dykulturor dhe nëpërmjet kompetencës ndërkulturore.

  • Lehtësimi i integrimit në kulturën e prejardhjes në rastin e një kthimi në atdhe.

Plane mësimore, statusi ligjor, numri i nxënësve të përfshirë

Nga pala shqiptare dokumente me rëndësi të madhe për MGJP-në janë: «Kurrikula për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë» (e botuar në vitin 2007 nga Ministria e Arsimit të Kosovës), 19 fashikujt me materiale mësimore (nga gjashtë fashikuj për çdo nivel, nivelin fillor, nivelin e mesëm, nivelin e avancuar dhe një për atë parashkollor), të krijuara në bashkëpunim me Shkollën e Lartë Pedagogjikë në Cyrih 2010-2013). Po ashtu janë edhe programi mësimor dhe mjetet mësimore të tri niveleve, të cilat janë botuar nga Republika e Shqipërisë nga viti 2010 deri në vitin 2012.

Në vendet e emigrimit ka instrumenta të ndryshëm themelorë dhe në kuadër të GJKV-së, që kufizohen në parime, fusha etj. të përgjithshme. Dokumente të këtij lloji i kanë zhvilluar, ndër të tjera, edhe Suedia, Austria, disa lande të Gjermanisë dhe disa kantone të Zvicrës, ku më e mirëfillta e këtyre instrumentave është plani mësimor në kuadër të Cyrihut. Disa shtete kanë prodhuar madje edhe materiale dhe libra mësimore në gjuhën shqipe, siç është Suedia dhe Austria (krahaso http://modersmal.skolverket.se/albanska/, http://www.schulemehrsprachig.at/index.php?id=47).

Ekziston një spektër i gjerë përsa i përket statusit ligjor të MGJP-së në vende të ndryshme. Ai varion nga një mungesë e madhe e të marrit në konsideratë nga ana e shtetit mbi gjuhët dhe kulturat e prejardhjes deri te një integrim i qartë dhe i suksesshëm i MGJP-së në sistemin shkollor të vendit të emigrimit. Në varësi të kësaj mund të bëjmë një ndarje përgjithësuese të tri formave të ndryshme të organizimit të MGJP-së, të cilat janë:


  • Integrimi i MGJP-së në sistemin shkollor (p.sh. Finlandë, Suedi, disa lande të Gjermanisë)

  • Integrim i pjesshëm (p.sh. disa kantone të Zvicrës)

  • Kufizimi i bashkëpunimit vetëm në projekte të caktuara ndërkulturore deri te një organizim i realizuar plotësisht vetë nëpërmjet shoqatave shqiptare të arsimit dhe kulturës (p.sh. Italia, Greqia, Britania e madhe, Belgjika).

Pra në disa shtete MGJP-ja (duke përfshirë edhe shpërblimin e mësuesve) është e integruar plotësisht në sistemin shkollor dhe bëhet gjithashtu objekt studimesh linguistike dhe pedagogjike, ndërsa në shumë vende të tjera ndodh ndryshe. MGJP-ja shihet si një ofertë në formë vullnetare, organizimi dhe pagesa e saj do t’u lihet shoqatave kulturore dhe arsimore të grupit gjuhësor përkatës, shoqata të cilat kryesisht nuk arrijnë një cilësi profesionale dhe mund t’i përgjigjen vetëm një numri të kufizuar nxënësish. Në këtë tip edhe mundësitë e trajnimeve për mësuesit e MGJP-së janë minimale ose inekzistente dhe kontaktet me mësuesit që punojnë në shtet janë të kufizuara në minimum. Statusi dhe kënaqësia kundrejt punës është shumë e ulët.

Për të thënë është gjithashtu që deri tani as Kosova dhe as Shqipëria nuk ia ka dalë mbanë për ta përmirësuar këtë situatë nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe me vendet e emigrimit ose nëpërmjet kontributeve financiare nga vetë ata.

Interesante është se në ato shtete, të cilat e kanë integruar MGJP-në në sistemin e rregullt shkollor, njëkohësisht është rritur dukshëm edhe suksesi në shkollë i fëmijëve dhe të rinjve me prejardhje emigriminë sistemin e rregullt shkollor. Kjo me siguri si rrjedhojë e integrimit dhe kompetencës ndërkulturore të përmirësuar. Në këtë aspekt nuk është rastësi që në universitetet e Suedisë, Austrisë ose Nordhein-Westfalen-it gjenden shumë më shumë shqiptarë të brezit të dytë të emigrantëve sesa në universitetet e Parisit, Brukselit, Romës ose Athinës, ku MGJP-ja qëndron pothuajse plotësisht në hije. Nuk ka dyshim që MGJP-ja paraqet një ndihmesë të madhe për ndërtimin e një karriere në shkollë.

Sipas të dhënave statistikore të Ministrisë së Arsimit në Kosovë rreth 30.000 nxënës shqiptarë ndjekin MGJP-në shqipe. Këta nuk janë më shumë se 2% e fëmijëve shqiptarë në diasporë që ndjekin arsimin e detyrueshëm. E rëndësishme për t’u vënë në dukje është shpërndarja nëpër vende: Përqindjen më të ma- dhe të ndjekësve të MGJP-së e zë Finlanda (MGJP-ja e integruar; rreth 80 %). Më pas vijnë Suedia (70%), Austria (50%), Gjermania (10 %, me luhatje të mëdha ndërmjet landeve), Zvicra (më tepër se 8%) etj. Për të mos u harruar është se në disa vende evropiane, pavarësisht numrit të konsiderueshëm të emigrantëve shqiptarë, nuk ofrohet MGJP-ja për shkak të arsyeve të ndryshme.

Problematika të hapura

Nga ana shkencore (ndërkulturore, didaktike, linguistike dhe psikologjike) rëndësia e MGJP-së nuk vihet aspak në diskutim. Megjithatë përpunimi dhe krijimi i një baze teorike dhe udhëzimeve të dobishme didaktike-metodike është vështirësuar masivisht në shumë vende nga statusi i saj jo i sigurt ligjor (ofertë në formë vullnetare) dhe nga kushtet e pafavorshme për krijimin dhe zhvillimin e saj (koha e kufizuar, pagesa jo të mira, ofrime të pakta trajnimesh etj.). Kësaj i shtohen edhe ngarkesa në rritje e kurrikulës së mësimit të rregullt nëpërmjet lëndëve dhe ushtrimeve të reja dhe gjithashtu «lufta» e ofruesve nga më të ndryshëm për të zënë kohën e lirë të nxënësve.

Për shkak të numrit tejet të vogël të nxënësve mësimi duhet gjithashtu shpesh të kryhet në një sistem prej disa klasash me grupe që janë shumë të ndryshme përsa i përket moshës, kompetencës gjuhësore, prejardhjes familjare etj. Puna si mësuese në klasa të tilla është jashtëzakonisht e ngarkuar dhe kërkon përgatitje dhe kualifikime, të cilat shkojnë përtej trajnimit të rregullt.

Vetëm nëqoftëse mësuesit e MGJP-së mbështeten si nga vendi i prejardhjes ashtu edhe nga vendi i emigrimit jo vetëm institucionalisht (integrim më i mirë në sistemin e rregullt shkollor, pagesë e arsyeshme etj.), por gjithashtu të mbështeten në mënyrë aktive për trajnimin e tyre p.sh. në përvetësimin dhe zbatimin e parimeve të mësimnxënies së individualizuar, mësimnxënies përmes lojërave dhe asaj dixhitale. Vetëm atëherë mund të shfaqet MGJP-ja si një ofertë tërheqëse dhe e rëndësishme.


Tabela e pëmbajtjes