Se njohja e nxënësve me gjuhën standarde është një nga detyrat kryesore të mësimit në gjuhën e prejardhjes, u theksua edhe më lart. Megjithatë, kjo nuk duhet ta përjashtojë ballafaqimin me varietetet e tjera – sidomos me dialektet, të cilat nxënësit i sjellin si gjuhë familjare. Përkundrazi, fakti se gjuha jonë përfshin varietete të ndryshme, shërben si pasuri për situata mësimore interesante dhe në aspektin didaktik aktuale. Këto situata mësimore ndjekin parimet e zbulimit, njohjes, veprimit dhe të të nxënit kreativ si dhe përf-
shijnë në mënyrë optimale njohuritë paraprake dhe resurset e nxënësve.

Nëse nxënësit/-et për shembull përkthejnë tekste nga dialekti në gjuhën standarde (ose kur krijojnë skena në të cilat njëra ose tjetra formë gjuhësore është në vend të përshtatshëm ose të gabuar), ato bëhen në përputhje me qasjen ‚krahasuese‘ me karakteristikat e veçanta dhe normat e gjuhës standarde, në një mënyrë vetëvepruese, zbuluese, që është dukshëm më e lartë se sa dhënia e thjeshtë e njohurive të rregullave dhe normave gjuhësore. Shumë nga propozimet tona mësimore nxisin situata mësimore të këtij lloji; shih p.sh. 1.1–1.3, 2.2, 3.1–3.3. Natyrisht, në këtë formë të mësimdhënies, mësuesi/ja luan rol gjithashtu të rëndësishëm: nga njëra anë në planifikimin dhe udhëheqjen e situatave përkatëse mësimore, nga ana tjetër si instancë kompetente, p.sh. tek pyetjet për normat gjuhësore standarde dhe përdorimin e përshtatshëm të të dy varieteteve.

Një numër të këshillave konkrete për mësimdhënien, të cilat përkrahin ndërgjegjësimin dhe orientimin mes dialektit dhe gjuhës standarde dhe në të njëjtën kohë i mbështetin aftësitë gjuhësore, veçanërisht në ndërtimin dhe zgjerimin në fushën e gjuhës standarde, janë të shënuara në kapitullin 7. Këto pika vlejnë në masë të madhe analoge për mësimin në gjermanisht në zonat dialektore, si p.sh. në Zvicrën gjermanishtfolëse, dhe kjo për të lehtësuar hyrjen në gjuhën gjermane standarde. Sidoqoftë, shumëllojshmëria dialektore e nxënësve zakonisht është më e vogël se në mësimin në gjuhën e prejardhjes, i cili shpesh vijohet nga nxënës/e të rajoneve të ndryshme dialektore.

Duhet shtuar se mësimi në fushën e gramatikës, e cila përfshin dhënien e njohurive dhe ushtrimin e normave të gjuhës standarde, nuk është temë e kësaj broshure. Përmbajtja e kësaj fushe është e ndikuar fuqimisht nga gjuhët veç e veç; e vetmja gjë me një shtrirje më të gjerë është se ky mësim duhet të bazohet gjithashtu në parimet e një mësimi me nxënësin/-en në qendër, të një mësimi veprues e zbulues. (Për veçoritë e një numri të gjuhëve më të përfaqësuara të migrimit, shih Schader (2013): Gjuha juaj – gjuha ime; krahaso bibliografinë).


Tabela e pëmbajtjes