Gjuha – veçanërisht gjuha e parë ose amtare – është element qendror i identitetit të njeriut. Gjuha e parë e shumë fëmijëve dhe të rinjve në migracion është dialekti i tyre/e folmja dialektore e tyre. (Së dyti, ata kryesisht e mësojnë variantin rajonal/dialektor të gjuhës së vendit ku jetojnë; së treti (që nga viti i parë shkollor) mësojnë variantin standard të asaj gjuhe; dhe së katërti, sidomos në mësimin në gjuhën e prejardhjes, variantin standard të gjuhës së tyre të parë).
Nëse mësuesi, në punën me nxënësit, me apo pa vetëdije e zhvlerëson gjuhën të cilën e përdorin prindërit e nxënësve në shtëpi, kjo në aspektin pedagogjik është kundër produktive: në këtë mënyrë gjuha e fëmijës dhe e familjes së tij zhvleftësohet dhe e bën fëmijën të pasigurt dhe dekurajues në një fushë identitare tepër të rëndësishme, shih për këtë më lart në 3. Në aspektin pedagogjik është më e përshtatshme që mësuesi/-ja t‘i bëjë të vetëdijshëm nxënësit për të dy varietetet, dallimet mes tyre dhe fushat e ndryshme të zbatimit.
E njëjta gjë vlen edhe për praktikimin e «përdorimit të përzier të gjuhës» (Code-Mixing) nga shumë nxënës/-e, ku elementet e gjuhës së parë dhe të dytë kombinohen ose «përzihen». Për një kohë të gjatë kjo ishte një gjemb në sy për shumë mësues/-e. Kurse në ndërkohë është bërë e qartë se kjo praktikë (pjesërisht shumë kreative) korrespondon pikërisht me situatën dygjuhësore në të cilën rriten nxënësit në fjalë. Në vend që të zhvlerësohen këto përdorime gjuhësore ose dialekte si «të papastër», ato përdoren më mirë për përmbajtjet interesante mësimore.