Ky doracak i plotëson gjashtë vëllimet e mëparshme të serisë «Materiale për mësimin në gjuhën e prejar-
dhjes». Këtu trajtohet një temë e cila në kontakt me mësuesit/-et e mësimit në gjuhën e prejardhjes ka shkaktuar vazhdimisht diskutime në fokusin e së cilave ishte kjo çështje themelore: «Si t‘i përdorim ne si mësues në mënyrë sa më të mirë varietetet, gjegjësisht format gjuhësore, pra, gjuhën standarde dhe dialektet/të folmet dialektore?» Diskutime të shumta dhe pyetje të hapura në lidhje me këto çështje ishin arsyet kryesore për hartimin e këtij doracaku.
Qëllimi i këtij doracaku është që t‘i përkrahë mësuesit/-et nëpërmjet të të dhënave themelore të cilat paraqiten në hyrje të tekstit, si dhe me 17 propozimet konkrete të cilave u bashkëngjitet edhe një planifikim mësimor në pjesën praktike. Në të njëjtën kohë, këtu do të ilustrohet se si një temë e cila në shikim të parë duket e thatë, mund të paraqitet në mënyrë më kërkuese dhe të orientuar në kontekstin shkollor. Rruga për ta arritur këtë është orientimi didaktik në principet e të mësuarit veprues, zbulues e reflektues dhe integrimi i situatave mësimore, muzikore-kreative e të lojës.
Duhet shtuar se përpos varieteteve dialektore/të folmeve dialektore dhe gjuhës standarde, natyrisht ka edhe varietete të tjera brenda secilës gjuhë. Janë për tu theksuar sociolektet (varietetet gjuhësore specifike të grupeve, si p.sh., tek të rinjtë ose gjuha e akademikëve) ose gjuha e terminologjisë faktike, por edhe lartësitë e ndryshme të stilit gjuhësor (nga ai tepër shoqëror e deri shumë formal), specifika e gjuhës së folur dhe gjuhës së shkruar, dimensioni historik ose gjuha e përdorur e ‚përzier‘ (Code-Switching, Code-Mixing, shih më poshtë). Ne këtu nuk do të merremi me të gjitha këto aspekte të përdorimit gjuhësor – dhe as me temën e përgjithshme për reflektimin gjuhësor, në kuadër të së cilës do të ishin nënrenditur këto forma.
Është më kuptimplote që në kuadër të këtij doracaku përmbledhës, së pari të fokusohemi në temën aktuale dialektet/gjuha standarde. Një publikim i mëvonshëm mbi reflektimin gjuhësor dhe varietetet gjuhësore do të ishte shumë i dëshirueshëm. Megjithatë, këtu bëhet fjalë për një temë me mundësi të mëdha për një mësim të drejtuar nga resurset dhe për të mësuarit zbulues e kreativ.
Mbarështimi i këtij doracaku:
Hyrja ofron së pari një informacion të shkurtër përmbajtjesor për temën dialekti(et) – gjuha standarde dhe shanset e problemet e lidhura me të (kap. 2–4). Në vazhdim pasojnë ca udhëzime dhe ngërthimet mbi aspektet pedagogjike dhe didaktike (kap. 5–6) si dhe një seri me shembuj konkret mësimor (kap. 7). Hyrja përmbyllet me një vështrim tabelor rreth çështjeve kryesore dhe propozimeve mësimore të lidhura me këto çështje.
Pjesa praktike përfshin 17 propozime konkrete mësimore, të cilat janë ndarë në aspektin tematik në katër grupe. Propozimet konkrete do të paraqiten sikurse në broshurat e deritanishme, tashmë të provuara dhe zbatuara në praktikë. Përfundimin e kësaj pjese e përbën sugjerimi për planifikimin e tri blloqeve me nga 5, 6 dhe 4 leksione.
Falënderim:
Për këshillimet profesionale dhe vështrimin kritik të tekstit i falënderojmë (sipas renditjes alfabetike) Erica Bauhofer, Nuhi Gashi, Nexhat Maloku, Naxhi Selimi, Gjovalin Shkurtaj, Peter Sieber.