Ndonjëherë njeriu është i disponuar për të gjitha, por vetëm për të mësuar jo. Por, megjithatë, detyrat duhet të kryhen! Për fund, këtu po të japim disa këshilla se si mund ta përmirësosh përsëri pakëz motivimin tënd.
Shumë sukses!
- Shikoje edhe një herë mirë planin tënd të punës për sot (shih më sipër hapat 6 dhe 8). E ke punuar kujdesshëm planin tënd të punës? Fillon ai me diçka që e bën mirë dhe me kënaqësi? Te punët më të mëdha, a i ke ndarë etapat apo pjesët e qëllimit asisoj që të mund t’i kapërcesh mirë?
- Mendoje mirë për ç’arsye të mungon dëshira? Je i mërzitur, ke ndonjë problem? Frikësohesh prej diçkaje në shkollë? Mendon se nuk mund t’ia dalësh? Mbase do të duhej të bisedoje për ndjenjat e tua me dikë, i cili i të kupton. Ose jepi kurajë vetes duke formuluar mendime pozitive, si për shembull: «Mund ta bëj këtë!», «Kam një vrull të ri dhe do t’ia dal!».
Mirëpo, nëse thjesht nuk ke dëshirë për të punuar, atëherë bëje një hop të ri apo mendoje mirë që si përjashtim orën tënde të ushtrimeve ta zhvendosesh për më vonë!
- Nëse gjatë orës sate të ushtrimeve rregullisht je i lodhur dhe pa dëshirë për punë, atëherë mendoje mirë nëse do të ishte më mirë që ta vendosje atë në një kohë tjetër. Në rrjedhën ditore, çdo njeri ka kohën më pasive dhe kohën më aktive (shumica e njerëzve janë aktivë prej orës 16 deri në orën 18/19). Mendoje mirë, cila do të ishte koha më e mirë për ty!
- Njeriu, po ashtu, mund ta motivojë veten duke e kërkuar një shëmbëllesë. Kjo mund të jetë një personalitet i famshëm (Albert Ajnshtajni, Nëna Tereze, …). Por mund të jetë edhe dikush nga klasa jote apo të njohurit, të cilët të bëjnë përshtypje. Të bëheshe si ai ose ajo – sa mrekulli! … Mirëpo, pa punë kjo nuk ecën, prandaj vazhdoje punën!
- Një ide e mirë është ta mbash një ditar apo zhurnal të mësimit. Çdo ditë në këtë fletore, në fund të orës së ushtrimeve, do ta shënosh si ishe me mësimin dhe si ndihesh tash. Çdo dy deri tri javë lexoje ditarin tënd mësimor dhe mendo mirë a je duke mësuar diçka prej saj, apo mbase mund të përmirësosh diçka në mënyrën tënde e të mësuarit.
- Posteri mësimor është gjë e dobishme te temat më të mëdha. Ai të ndihmon ta ruash vështrimin e përgjithshëm. Bashkoji me ngjitës katër fletë A4 dhe shkruaj në mes emrin e temës tënde (p.sh. «Romakët» ). Përvijo rrethe apo kuadrate duke i shënuar në to të gjitha pjesët e fushës për të cilat duhet të mësosh diçka (ushqimi, tregimi etj.). Çdo rreth, që e ke përpunuar, ngjyrose me të verdhë. E sheh si arrin këtu dhe si rrathët gjithnjë e më tepër bëhen të verdhë. Shih po ashtu këtu edhe teknikën mësimore T4 «Formimi i një posteri».
Shembull:
Urime! Programi i trajnimit tash është (pothuajse) gati.
Të lumtë, nëse e ke përpunuar deri tash programin e trajnimit. Ke mësuar një mori gjërash dhe tash vepron ashtu si e bëjnë profesionistët e vërtetë të mësimit. Të dëshirojmë shumë fat dhe mësim të suksesshëm!
Nëse (ende) nuk i ke përpunuar të gjitha me themel, atëherë thjesht këtë bëje tash. Dhe do ta shohësh: Do t’ia dalësh; ia vlen!
Dhe tash, krejt në fund, pason edhe ushtrimi i fundit. Ai të ndihmon për t‘i kujtuar mirë të gjitha dhe për të menduar a ka akoma diçka që ndoshta mund ta përmirësosh.
Ushtrimi 10: Ushtrimi përfundimtar!
Duam që, pas përfundimit krenar të programit tonë të trajnimit, ta rishikojmë edhe një herë punën e bërë. Në disa ushtrime (1, 2, 4, 5 dhe 8) ke mbajtur shënime. Lexoji ato tejetej edhe një herë. Mendo për të gjitha ditët e programit të trajnimit dhe shfletoji edhe njëherë faqet përkatëse.
Mendo për pyetjet vijuese dhe mbaj për to edhe disa shënime:
- Çka ke mësuar në këtë program dhe çka di tash më mirë se përpara?
- Çka nuk ecën sa duhet mirë dhe çka duhet të përmirësosh?
- Si do të mund ta përmirësoje këtë dhe çka nuk ecën sa duhet mirë? Bëje një propozim.