Kush planifikon një udhëtim së pari duhet ta dijë cili është qëllimi i tij dhe në cilat etapa ai mund të arrihet. Pikërisht kështu është edhe me mësimnxënien. Ti duhet të kesh një qëllim dhe po ashtu rrugën deri te ky qëllim duhet ta ndash në etapa ose në pjesë të qëllimit, në mënyrë që të mund t’ia dalësh me sukses.

Shembull:

  • Brenda dhjetë ditëve duhet ta mbash një referat për luanin. Qëllimi yt është ta mbash vërtet një referat të mirë dhe të fitosh notë të mirë. Tash këtë qëllim e ndan në etapa vijuese për ditët e ardhshme:

E hënë Merr në bibliotekë libra për luanin dhe shikoji me kujdes. Mbaj shënime.
E martë Kërko në internet. Hapi vegëzat (linket) e rëndësishme. Mbaj shënime.
E mërkurë Shikoji shënimet. Bëje skicën e parë për ndërtimin e referatit.
E enjte Puno më tej ndërtimin e skicës. Siguroji informatat e munguara.
E premte Shkruaje referatin si projekt/skicë.
E shtunë dhe e diel Kërko fotografi që do të dëshiroje t’i tregoje në referat.
E hënë Lexoje edhe disa herë tejetej referatin dhe përmirësoje tekstin.
E martë Mbaje referatin dy herë në shtëpi dhe po ashtu tregoji edhe fotografitë për të. Mate kohën.
E mërkurë Ushtroje përmendsh 2 deri 3 herë referatin në shtëpi.
E enjte Mbaje referatin në shkollë!
  • Te çdo punë më e madhe shoshite se cili është qëllimi dhe në cilat pjesë të qëllimit apo në ç’etapa/hapa mund ta ndash rrugën deri në fund!
  • Po ashtu, çdo ditë në fillim të kohës/orës tënde të detyrave, shoshite se cili është qëllimi apo cilat janë pjesët e qëllimit për sot.

Këshillë
Çdo ditë, në fillim të orës së detyrave, bëje një plan pune në të cilin i shënon punët dhe qëllimet apo etapat për sot!

Këshillë
Te punët më të mëdha të planit tënd javor shëno, po ashtu, edhe etapat/hapat që u përkasin këtyre punëve! Shembulli sipër ta tregon si bëhet kjo.


Ushtrimi 7

Mendoje mirë se cilat detyra më të mëdha duhet t’i kryesh në dy tri javët e ardhshme. Punoje një plan me qëllimin dhe etapat/hapat (si më sipër). Nëse nuk ke ndonjë punë më të madhe në duar, atëherë shtroja vetes detyrën në vijim: Brenda dy javësh duhet ta mbash një referat për Londrën. Si do të veproje? Bëje një planifikim të hapave/etapave të veçanta!


Tabela e pëmbajtjes