Jo çdo tekst duhet ta kuptosh deri në të gjitha detajet. Por, nëse ti ke nevojë ose do për ta kuptuar një tekst me themel (p.sh. për një provim ose një prezantim), teknika 5-hapëshe e të lexuarit të ndihmon në mënyrë të shkëlqyeshme. Kjo teknikë funksionon kështu:
Hapi 1
Lexoje fluturimthi teksin, krijo një ide për të.
Qëllimi është që ti të kesh për tekstin një ide në vija të trasha. Për këtë lexoji titullin dhe të gjithë nëntitujt, shikoji ilustrimet, shikoji të gjithë kapitujt veç e veç. Tek librat: Lexoji rezymetë në ballinën prapa ose në faqen e parë të brendshme, lexoje pasqyrën e përmbajtjes, shikoje tejetej parathënien ose hyrjen.
Hapi 2
Shtro pyetje për tekstin.
Çfarë dëshiron të dish për temën e tekstit, çfarë të intereson ty?
Çka di tashmë ti? Shënoji pyetjet tua në një fletë dhe lë vend për pyetje të tjera.
Hapi 3
Lexoje tash tërë tekstin me vëmendje.
Lexoje tërë tekstin me koncentrim. Tekstet e gjata ose librat i ndan në pjesë më të vogla, të cilat mund t‘i zotërosh (ndarjet, faqet, kapitujt). Pas çdo pjese, merre fletën me pyetje nga hapi 2 dhe mendohu se për çfarë mund të përgjigjesh tashmë. Ndoshta shënon edhe pyetje plotësuese ose pjesë të rëndësishme.
Hapi 4
Shenjo gjërat e rëndësishme, përgjigju pyetjeve, përmblidhe tekstin.
a) Kur të kesh përfunduar së lexuari tekstin: Shiko pyetjet nga hapi 2 dhe 3, përgjigju atyre, nëse është e mundur.
b) Shënoje çdo gjë të rëndësishme në tekst (nëpërmjet asaj që ti e nënvi- zon ose e shenjon me laps vezullues, me vija anash, me shënime anash). Tek librat, në të cilët ti nuk ke të drejtë të shkruash, përdore lapsin ose vendos copëza fletësh brenda.
c) Bëje një përmbledhje të tekstit me fjalët e tua. Kjo të ndihmon ty, që ta shoshitësh në mendje saktësisht tërë tekstin.
Hapi 5
Përsërite përmbajtjen.
Një ose dy ditë më vonë: Shikoje edhe një herë tekstin me shenjimet nga hapi 4b. Përpiqu që ta riprodhosh përmbajten në kokë ose në një letër në mënyrë sa më të plotë të mundshme. Kontrolloje përmes tekstit origjinal, mos ke harruar diçka.