Kartoteka është një kuti me pesë ndarje. Në këto ndarje mund t‘i lësh fletëzat me fjalë (ose të dhënat, formulat etj.) të cilat ti duhet t‘i ushtrosh. Kartoteka të ndihmon ty pastaj të ushtrosh, në mënyrë që përmbajtjet e fletëzave t‘i mbash vërtet mirë në kujtesë.

Një kuti për kartotekë mund ta blesh ose mund ta ndërtosh vetë (ilustrimi të tregon se si). Bëje këtë dhe preji edhe 30–40 skeda (një fletë A4 i jep 8 skeda).

Këshillë

Përdore kartotekën jo vetëm për fjalë, por edhe për lëndët e tjera shkollore (histori, matematikë, gjeografi …). Bëj për secilën lëndë kartotekë me ngjyrë tjetër, ngase ashtu ke një mbikëqyrje.

Kështu ushtron me kartotekë:

Dita 1: Bëji 10–15 skedat e para dhe vendosi në ndarjen 1. Shembulli për një kartotekë fjalësh në anglisht: Ti e shkruan përpara fjalën në gjuhën angleze dhe prapa në gjuhën tënde amtare ose në gjuhën të cilën e flisni në shkollë. Përpunoji këto skeda disa herë. Të gjitha ato të cilat i di, vëri pastaj në ndarjen 2.

Dita 2: Ushtroji skedat nga ndarja 2. Të gjitha ato që i di vijnë në ndarjen 3. Ato të cilat nuk i di më vijnë në ndarjen 1. Bëji pastaj dhjetë skeda të reja, vëri në ndarjen 1 dhe puno me to disa herë nga fillimi në fund. Të gjitha ato që i di, vëri pastaj në ndarjen 2.

Dita 3: Puno, nga fillimi në fund, me të gjitha skedat nga ndarja 3. Të gjitha që ti i di vijnë në ndarjen 4, të tjerat përsëri në ndarjen 1. Pastaj i shikon skedat te ndarja 2 nga fillimi e deri në fund. Ato që i di vijnë në ndarjen 3, të tjerat në ndarjen 1. Bëji pastaj dhjetë karta të reja, puno me to nga fillimi në fund dhe vëri ato të cilat i di në ndarjen 2.

Dita 4: (dhe kështu edhe në të gjitha ditët në vijim): Puno me të gjitha skedat nga ndarja 4 nga fillimi e deri në fund. Ato që i di, vijnë në ndarjen 5, të tjerat përsëri te ndarja 1. Pastaj, i shikon të gjitha skedat nga ndarja 3. Ato që i di vijnë në ndarjen 4, të tjerat në ndarjen 1. Pastaj, i shikon të gjitha skedat nga ndarja 2. Ato që i di vijnë në ndarjen 3, të tjerat në ndarjen 1. Bëji pastaj dhjetë karta të reja, punoji të gjitha nga fillimi në fund dhe vëri ato që i di në ndarjen 2.

Një herë në javë (ose çdo dy javë):

Shikoji të gjitha skedat nga ndarja 5. Ato të cilat nuk i di vijnë përsëri në ndarjen 1. Ato të cilat i di i mban në një zarf të veçantë dhe i përsërit ato çdo dy deri në tre muaj!


Tabela e pëmbajtjes