Hapi 1
Gjej ide të mira për temën tënde!

Mundësitë:

  • Merre një fletë ose copëza të ndryshme letrash të vogla. Shëno gjithçka që të bie ndër mend për temën. Nëse për ty është më e lehtë, mundesh që shënimet t‘i bësh edhe në gjuhën e shkollës.
  • Nëse ke kohë: bisedo me njerëz të ndryshëm mbi temën. Shënoji idetë e tyre.
  • Bëje një mind-map ose një cluster, nëse tashmë i njeh këto teknika.


Hapi 2
Renditi idetë, planifiko ndërtimin e tekstit tënd

 

  • Shikoji shënimet ose copëzat e letrave me radhë. Mëshoji vijë atyre që nuk të nevojiten.
  • Merre një letër dhe ndaje në tri fusha vijuese:
    • hyrje/vështrim i përgjithshëm
    • pjesa kryesore (fusha e gjerë!)
    • përfundimi/përmbledhja
  • Shkruaj në secilën fushë idetë të cilat i përshtaten asaj fushe. Mendo se çfarë mungon ende, plotësoje!
  • Rri aq gjatë te ky hap derisa mund ta parashohësh përafërsisht tekstin tënd/tregimin tënd.
  • Mendohu gjithashtu se si do ta krijosh tekstin tënd (në një fletë, në kompjuter, përmes ilustrimit …).

Hapi 3
Shkruaje një version të parë të tekstit (skicë)

  • Shkruaje tekstin.
  • Lexoje krejt skicën tënde. A është në rregull ndërtimi? A do t‘i ndryshosh që tash disa fjalë, forma ose fjali?

Hapi 4
Gjeje një titull atraktiv dhe fillim

  • Me një titull të mirë mund t‘ua zgjosh kureshtjen lexuesve/eve ose dëgjuesve/eve. «Ndihmë unë po fundosem» tingëllon për shembull më interesant se «Aventurat e pushimeve të mia»
  • E njëjta gjë vlen edhe për fjalinë e parë ose pjesën e parë të tekstit: këtu mund të futësh interesim dhe kureshtje. Në një tregim, tonin ia jep një hyrje e papritur, interesante, kurse një teksti tematik, një informacion i qartë.
  • Tek fjalitë dhe referatet e gjata është me rëndësi të vendosen mestituj të mirë dhe informativ. Ata u ndihmojnë lexuesve/eve që të ruajnë një vështrim të përgjithshëm.

Hapi 5
Përpunoje (ni) skicën

  • Kjo ndodh më së miri në grup dysh ose tresh në një «konferencë shkrimi». Në këtë formë ju mund ta këshilloni njëri-tjetrin reciprokisht dhe të ndihmoni më tutje. Por edhe vetë mund ta përpunosh teksin tënd. Tek përpunimi janë të nevojshme pyetjet vijuese:
    • A është teksi im si tërësi i kuptueshëm dhe interesant? Çfarë duhet të formuloj më qartë? Çka është mirë, çka jo aq mirë? A i jam pëmbajtur temës?
    • A ka teksti im një ndërtim të qartë (hyrja/vështimi i përgjithshëm, pjesa kryesore, përfundimi/përmbledhja); a është rrjedha e qartë? A mos kam shkruar jashtë temës?
    • A do të mundja ta riformuloja titullin e tekstit tim ashtu që të zgjojë më shumë interesim dhe kureshtje ose që ai të ofrojë një informacion më të qartë për titullin.
    • A fillon teksti me një fjali interesante ose informative, që e shton qejfin për lexim të mëtejshëm; a mundja ta bëja këtë më mirë?
    • A është secila fjali e kuptueshme dhe korrekte në aspektin gjuhësor (format, ndërtimi i fjalisë)? Shënoji pasiguritë dhe sqaroj ato me mësimdhënësin ose me dikë që i njeh këto gjëra.
    • A kam zgjedhur fjalë të qarta dhe të sakta; a mos kam tepër shumë përsëritje? A është në rregull drejtshkrimi (të përdoret si mjet ndihmës fjalori i drejtshkrimit!)?


Hapi 6
Modeloje versionin përfundimtar të tekstit

  • Shiko që teksti yt sa i përket paraqitjes të jetë tërheqës për lexuesit/et ose të jetë interesant për dëgjuesit/et!
  • Eksperimento edhe me forma të reja (krijim me ilustrime ose si kollazh, në kompjuter, si tekst-dëgjues (audio-file) etj.

Tabela e pëmbajtjes