1. Sami Thaçi, Gjermani

Sami Thaçi është me prejardhje nga Kosova. Ai jeton në Vupertal dhe punon që prej vitit 1987 si mësues i MGJP-së shqipe në Vupertal, Remshajd dhe komuna të tjera. Pjesë të shkëputura nga deklarata e tij:

Në Gjermani MGJP-ja nuk organizohet njëlloj në të gjitha landet. Nordhein Westfalen-i (NRW) ndryshon nga landet e tjera sepse MGJP-ja këtu organizohet nga Ministria e Arsimit dhe Kualifikimit. Megjithatë edhe këtu ndjekja e MGJP-së është në mënyrë vullnetare. Për të rinjtë në profesion Instituti Rajonal i Arsimit vë në dispozicion oferta të ndryshme (seminare, ushtrime praktike në lidhje me procesin mësimor etj.), tek të cilat fitohen njohuri në metodikë dhe didaktikë.

Në mënyrë që të jemi koherent për zhvillimet në didaktikë, ne kemi nevojë për aktivitete të lidhura me zhvillimet më të fundit të realizimit të procesit mësimor, p.sh. për sa u përket koncepteve aktuale të orientimit standard të procesit mësimor. Për këto dhe risi të tjera metodike zyrat arsimore ofrojnë aktivitete trajnuese 1-ditore, të cilat unë i ndjek me kënaqësi sepse ato me të vërtet sjellin diçka. Me vlerë është edhe shkëmbimi i përvojave që zhvillohet këtu.
Oferta në fushën e profesionalizimit bëjnë gjitha- shtu edhe Instituti Rajonal në Soest dhe specialistë të shkëlqyer të institucioneve të ndryshme të NRW-së. Këtu hyjnë gjithashtu workshop-e të ndryshme, tek të cilat ne mund të shkëmbejmë dhe prezantojmë material në lidhje me tema të ndryshme.

Një burim i rëndësishëm informacioni janë edhe seminaret disa ditore, të cilat organizohen çdo verë nga Ministria e Arsimit të Kosovës në Kosovë, Shqipëri ose Maqedoni. Në qendër është këtu shkëmbimi ndërmjet kolegëve të MGJP-së shqipe nga e gjithë Evropa.


2. Yinying Kong, Zvicër

Yinying Kong është me prejardhje nga Kina. Ajo jeton që prej 3 vitesh në Cyrih, ku gjithashtu prej shumë kohësh punon si mësuese e MGJP-së kineze. Pjesë të shkëputura nga deklarata e saj:

Më bëhet shumë qejfi që këtu ekziston një aktivitet i detyrueshëm kualifikues, përkatësisht hyrja në sistemin shkollor të Cyrihut. Këtu kam mësuar me të vërtetë shumë mbi sistemin shkollor të kantonit të Cyrihut. Diçka e tillë nuk duhet të jetë vetëm në Cyrih, por në të gjithë Zvicrën.

Përveç kësaj që prej shumë kohësh uroj që të ketë më shumë mundësi për trajnim pedagogjik për njerëz si mua, pra për mësues të MGJP-së, të cilët dëshirojnë të kenë një vështrim të përgjithshëm mbi pedagogjinë dhe baza të fushave të veçanta teknike.

Unë e vlerësoj si pozitive që në kuadër të sistemit shkollor zviceran ne po na kushtojnë seriozisht vëmendje si mësues të MGJP-së. E pyes veten shpesh se çfarë ka bërë në të vërtetë për ne vendi ynë i prejardhjes. Jo edhe aq shumë. A nuk do të ishte mirë p.sh. nëse do të ofroheshin shkolla verore ose qëndrime të shkurtra në Kinë? Në këtë mënyrë nxënësit mund të trajnonin gjuhën e tyre dhe të mësonin të njihnin dhe të kuptonin më mirë vendin dhe kulturën e tij. Në të njëjtën kohë ne mësuesit do të mund të aktualizonim njohuritë tona në lidhje me profesionin.


3. Rizah Sheqiri, Suedi

Rizah Sheqiri është me prejardhje nga Kosova. Ai jeton në Suedi dhe që prej vitit 1995 është i punësuar si mësues i MGJP-së shqipe në Karlskrona. Pjesë të shkëputura nga deklarata e tij:

Një shkollë ka nevojë për mësues të aftë dhe të lartë në aspektin profesional, të cilët zotërojnë «misterin e mësimdhënies». Për fat të mirë bordet drejtuese të shkollave në shumë komuna këtu e kanë kuptuar këtë prej kohësh dhe veprojnë tani në mënyrë aktive dhe me devotshmëri për profesionalizimin e mësuesve së bashku me universitetet dhe shkollat e larta pedagogjike. Është e kuptueshme që, gjithashtu edhe unë si mësues i MGJP-së i shfrytëzoj këto oferta dhe së bash- ku me shumë kolegë kam ndjekur kurse pasuniversitare pedagogjike dhe didaktike të nivelit C dhe D. Ne jemi shumë të kënaqur me suksesin e studimeve tona sepse vetëm mësuesit më të mirëkualifikuar mund ta tërheqin, ashtu siç bëjnë edhe lokomotivat, më tej shkollën dhe mësimdhënien dhe ta zhvillojnë atë për të ardhmen. Megjithatë formimi ynë i mëtejshëm nuk ka përfunduar ende. Përkundrazi formimi i mëtejshëm është një proces që zgjat gjatë gjithë jetës. Edhe diçka tjetër: Në procesin e zhvillimit të mësimdhënies dhe formimit të mëtejshëm edhe vetë ne mësuesit mund t’i japim dhe mësojmë shumë njëri-tjetrit. Ne mund t’i bëhemi njëri-tjetrit burim inspirimi, duke e vëzhguar dhe komentuar punën në mënyrë kritike. Këto forma të intervizionit dhe diskutimit kolegjial janë me më shumë vlerë sepse mund të ndërtohen dhe zhvillohen mirë dhe thjesht në përditshmërinë në shkollë.


4. Hazir Mehmeti, Austri

Hazir Mehmeti (ka përfunduar magjistraturën) është me prejardhje nga Kosova. Ai jeton që prej 17 vitesh në Vjenë, ku ai punon që prej 1999 në shkolla të ndryshme si mësues i MGJP-së shqipe. Pjesë të shkëputura:

Në atdheun tim nuk kisha krijuar një përvojë, të cilën mund ta kisha si bazë për ta zhvilluar këtu në mësimdhënien integruese dhe në MGJP. Kështu që unë duhej të shihja se ku të përftoja njohuritë e duhura për një mësimdhënie dhe mësimnxënie të përshtatshme në MGJP. Unë ndoqa seminare në lidhje me temën për sfidat e integrimit, por edhe ajo çfarë mësova aty nuk mjaftonte. Me duhej të «shpikja» vetë metoda që përshtateshin me kushtet e veçanta të MGJP-së. E ndieja domosdoshmërinë e një trajnimi specifik për integrimin dhe për të mësuarit e gjuhës së prejardhjes. E rëndësishme është që seminare të tilla gjithmonë kanë si objekt trajtimi dhe tematizojnë zhvillimet dhe tendencat teknologjike dhe sociale, të cilat janë vazhdimisht në ndryshim. Mendoj se do të ishte mirë një formim multigjuhësor, multikulturor dhe multidimensional i grupeve të trajnimit, ku ne mund të viheshim në dijeni të konstatimeve dhe zhvillimeve më të fundit.


5. Mahamuud Ali Adam, Suedi

Mahamuud Ali Adam është me prejardhje nga Somalia, ku ai ka punuar si mësues i historisë. Ai jeton që prej 6 vitesh në Suedi. Që prej një viti ai punon si mësues i MGJP-së për Somalinë në Karlshamm. Pjesë të shkëputura:

Përsa i përket trajnimit unë kam shumë dëshirë që të kualifikohem sa më shpejt të jetë e mundur si një mësues i mirë i gjuhës amtare. Zgjidhja më e mirë do të ishin kurset intensive. Dëshira ime më e madhe do të ishte përvetësimi i një kualifikimi jo vetëm si mësues i gjuhës, por edhe si mësues i edukatës shoqërore dhe historisë.

Deri më tani unë kam ndjekur kryesisht trajnime njëditore, të cilat janë organizuar nga shkollat ku unë kam punuar. Të rëndësishme për kualifikimin tim kanë qenë edhe kontaktet me të tjerët, me mësues të MGJP- së me përvojë, nga të cilët kam marrë shumë. Për arsyen se sistemet shkollore të Somalisë dhe Suedisë ndryshojnë shumë nga njëra tjetra, kurset hyrëse në sistemin shkollor lokal janë të një rëndësie të madhe. Kjo vlen gjithashtu për vizitat nëpër shkollat dhe në mësues të tjerë. Do të ishte e mrekullueshme nëse shteti im do të më mbështeste më mirë me material dhe libra shkollorë, të cilat janë hartuar specifikisht për MGJP-në. Për fat të keq libra të tillë mungojnë plotësisht.


6. Svetlana Matić, Austri

Svetlana Matić është me prejardhje nga Serbia dhe jeton në Vjenë. Ajo punon që prej 20 vitesh si mësuese e MGJP-së për gjuhën kroate, serbe, boshnjake dhe ka shkruar libra të ndryshëm.

Një kualifikim dhe një formim i mëtejshëm profesional është i një rëndësie të madhe për mësuesit e MGJP-së, kjo me synimin drejt një realizimi inovativ të detyrave arsimore dhe edukuese. Te seminaret dhe leksionet e ofruara deri tani vëmendja u përqendrua në teoritë pedagogjike si edhe në praktikat e mësimdhënies. Unë mendoj së në të ardhmen duhet të ketë një orientim gjithnjë e më të madh drejt nevojave konkrete të mësuesve dhe nxënësve. Kjo mund të arrihet nëpërmjet më shumë hulumtimeve shkencore në këtë fushë. E rëndësishme për këtë është që edhe në fushën e pedagogjisë objekt trajtimi të jenë pyetjet aktuale teorike dhe praktike në lidhje me arsimin dhe mësimdhënien.

Austria është një nga të paktat vende, të cilat i kushtojnë një rëndësi të madhe MGJP-së. Këtu do të zhvillohet një politikë arsimore shumë e përgjegjshme. Që nga fillimi përgjegjëse për MGJP-në kanë qenë autoritetet e shkollës. Që prej vitit 1992 MGJP- ja është pjesë e sistemit shkollor austriak, kështu që duke parë p.sh. gjuhën kroate, boshnjake dhe serbe vendet e prejardhjes nuk e kanë më mundësinë për të ushtruar ndikim në organizmin e mësimdhënies. Megjithatë duhet llogaritur që këto vende do të tregojnë interes gjithnjë e më të madh për MGJP-në, për vetë faktin se në Austri jetojnë shumë njerëz nga territori i ish-Jugosllavisë. Arsimi i mëtejshëm dhe kualifikimi i personelit mësimdhënës në fushën e pedagogjisë dhe didaktikës është një domosdoshmëri për çdo shoqëri moderne. Në këtë aspekt unë jam përpjekur gjithnjë që të përmbush kërkesat dhe detyrat që më janë vendosur. Prandaj unë gjithashtu marr pjesë rregullisht në seminare dhe konferenca shkencore. Përveç kësaj unë jam e vëmendshme për të përfshirë në mënyrë konkrete njohuri të reja në mësimin tim të përditshëm. Nëpërmjet publikimeve të mia jam përpjekur që të përmbledh përvojat e mia dhe për t`i bërë të prekshme dhe gjithashtu të dobishme edhe për të tjerët. Në të njëjtën mënyrë po punoj aktualisht doktoraturën time për MGJP-në në shkollat e arsimit të detyrueshëm në Vjenë.


7. Gulderen Ozyildirim, Angli

Gulderen Ozyildirim Gulderen Ozyildirim është me prejardhje nga Turqia. Ajo jeton në Londër ku punon prej shumë vitesh si mësuese për MGJP-në turke.

Si bazë unë kam diplomën time si mësuese, të cilën e kam përfunduar në Turqi. Krahas kësaj kam qëndruar gjithmonë koherente dhe e informuar përsa i përket mësimdhënies së turqishtes me nxënës, të cilët janë rritur në Angli ose kanë ardhur këtu që shumë herët. Për kualifikimin tim kanë kontribuar edhe materiale mësimore, të cilat unë i kam zhvilluar vetë: Mjete ndihmëse për përvetësimin e alfabetit turk dhe materiale për vizualizimin e mësimit p.sh. karta memorie për alfabetin. Gjetja e materialeve mësimore është për më tepër shpesh herë e vështirë edhe pse në disa librari gjenden rezerva të vogla mjetesh mësimore për gjuhën turke. Kryesisht bëhet fjalë për materiale shumë elementare për fillestarë. Kjo ofertë duhet me patjetër të zgjerohet. Ndoshta edhe Ministria e Arsimit në Turqi mund të ndërmarrë diçka në lidhje me këtë.


Tabela e pëmbajtjes