Rrjedha:
- Një sasi librash do të shpërndahen në klasë, në mënyrë që secila nxë- nëse/secili nxënës (ose grupet nga 2–3 N) t’i ketë para vetes 3–4 libra. Sigurisht, që do të merret parasysh mosha e N gjatë shpërndarjes, për këtë arsye duhet që fillestaret/ët natyrisht të mbështeten. Të gjithë kanë nga pesë minuta për t’u njohur nga afër me librat. Ata i shikojnë ballinat me përpikëri, e lexojnë tekstin në faqen e brendshme të ballinës dhe shfletojnë librin. Ndoshta librat kanë ilustrime, një tabelë të përmbajtjes, janë të ndarë në kapituj ose ka një portret të shkurtër për autorin etj. Qëllimi është që N në këtë fazë të përpunojnë karakteristikat rreth librave, të cilët ata mund t‘i përdorin më vonë në lojë.
- Kështu M e vendos të parin një libër dhe e karakterizon në bazë të veçorive të identifikuara. Ai mund për shembull të thotë: «Është një libër me fotografi, është me ngjyra, tema është natyra në vendin tonë të prejardhjes.» Pastaj, si në lojën tradicionale të dominos, do t‘i shtohet një «gur» i përshtatshëm, d.m.th. një libër i dytë me një ose më shumë karakteristika të përshtatshme (shih më poshtë). Kush do që të shtojë një libër, shpjegon se pse ai e ka vendin atje. Zgjedhja duhet të përligjet me një karakteristikë të njëjtë; grupi vlerëson nëse kriteri i përshtatet. Janë të lejueshme karakteristika të thjeshta (p.sh., kapakët janë gjithashtu blu, ajo është shkruar gjithashtu nga një grua, edhe titulli fillon gjithashtu me «të …»), deri te arsyetimet më komplekse, ndoshta të lidhura me përmbajtjen (të tilla si: libri është edhe një triller, personazhet kryesore janë gjithashtu vëllezër e motra, ngjarja zhvillohet gjithashtu në Shqipëri).
- Loja vazhdon aq gjatë derisa të gjithë librat të jenë përfshirë në domino, ose ndërpritet pas 10–15 minutash. Në vazhdim mund të zhvillohet një bisedë e shkurtë në pyetjen: «Cilin nga librat që janë vendosur poshtë, ti do të doje ta lexoje veçanërisht me kënaqësi?»