Një e mirë në vendin e punës
Për detyrat e shtëpisë dhe përgatitjen e provimeve duhet ta kesh vendin tënd të punës.
Natyrisht më së miri do të ishte po ta kishe një tryezë personale të punës në dhomën tënde. Megjithatë, nëse nuk e ke këtë, vepro kësisoj:
Bisedo me prindërit se ku do të mund të uleshe çdo ditë një orë dhe në qetësi për t’i bërë detyrat e shtëpisë. Kjo mund të jetë në dhomën e ditës apo të ngrënies, por edhe në kuzhinë. Nëse bën disi, atëherë do të duhej të uleshe para një tryeze të mirëfilltë dhe normalisht të lartë.
Të rëndësishme janë këto tri pika:
- Në vendin tënd të punës nuk duhet të jesh i penguar. Merru vesh me prindërit dhe motrat e vëllezërit që gjatë kohës së punës mos të të shqetësojnë dhe të mos bëjnë zhurmë. Edhe nëse ju vjen dikush për vizitë, do të duhej ta vazhdoje punën në qetësi.
- Në vendin tënd të punës duhet të ketë mjaft dritë, përndryshe të prishen sytë. Kujdesu ta kesh një llambë të mirë afër vetes.
- Në qoftë se nuk ke vend të përhershëm për punë, por, për shembull, mund të punosh çdo ditë nga një orë në tryezën e kuzhinës, atëherë organizo një kuti ku mund t’i vendosësh të gjitha gjërat e tua të pu-nës. Nëse ke tryezë tënden, rregulloje pas punës. Kush ka dëshirë t’ia nisë punës në një parregullsi?
Këshillë
Bisedo me prindërit dhe motrat e vëllezërit saktësisht se ku do të mund të punoje çdo ditë një orë i/e papenguar.
Nëse dëshiron, shkruaj një marrëveshje të mirëfilltë dhe kërko prej të gjithëve ta nënshkruajnë e pastaj vare diku!
Ushtrimi 3
Përgatite vendin apo kutinë tënde të punës asisoj që çdo gjë të jetë gati për punën e mëtejshme! Mos mendo vetëm për lapsin, lapsat me ngjyra, stilografin etj., por edhe për mprehësen e lapsave dhe mjaft letër shënimesh! Kujdesu që drita të jetë vendosur mirë në tryezën tënde. Nëse është errët, merr një llambë më të fortë. Pas punës, rregulloje çdo gjë në mënyrë të përkryer, kështu që ditën tjetër i gjesh të gjitha.