Shumë vepra referimi janë ndërtuar sipas alfabetit: fjalorët për drejtshkrim, fjalorët dygjuhësorë, leksikonët, libri i numrave të telefonit, regjistrat etj. Këta libra janë shumë të nevojshëm për ne, sepse përmbajnë të dhëna të rëndësishme. Mirëpo këtë mund ta bëjmë vetëm nëse e dimë përmendsh ABC-në dhe i njohim disa truke.

Kujdes: Renditja e shkronjave nuk është e njëjtë në të gjitha gjuhët, dhe mjaft gjuhë kanë shkronja të veçanta. Bisedoni për këto në shkollë!

Këtu i gjen «rregullat e lojës» më të rëndësishme dhe këshillat për përdorimin sipas rendit alfabetik të veprave të referimit. Bisedoni për këto në shkollë!


5.1
Mëso ABC përmendsh

Mëso ABC përmendsh deri sa të mund ta thuash pa ndonjë problem.

Këshilla për ushtrime:

  • Mësoji shkronjat në grupe:
    a b c ç
    d dh e ë
    f g gj h
    i j k l
    ll m n nj
    o p q r
    rr s sh t
    th u v x
    xh y z zh
  • Këndoje një këngë ABC që ti e di, ose trilloje vetë një!
  • Bëje një shirit të gjatë me të gjithë ABC. Mbuloje me gisht një shkronjë, pa e shikuar. Cila shkronjë është fshehur?
  • Shkruaje secilën shkronjë në një copëz të vogël letre. Përzieji copëzat e letrave. Tërhiqi dy copëza letre dhe vendos shpejt: Cila shkronjë është më përpara në ABC?
  • Bëje të njëjtën me tri copëza letre; caktoji ato sipas renditjes përkatëse në ABC.
  • Merri copëzat e letrës, tërhiqe një shkronjë dhe vendos shpejt: A është kjo shkronjë më shumë në fillim / në mes / apo në fund të ABC?
  • Tërhiqe një shkronjë dhe përpiqu pastaj, të hapësh fjalorin atje ku janë fjalët me këtë shkronjë (p.sh. B-fjalët më tepër në fillim, V-fjalët më tepër në fund).
  • Shkruaje një listë, për shembull, me emrat e kafshëve ose të bimëve dhe renditi ato sipas alfabetit!

5.2
Fjalorët dhe veprat e tjera të referimit janë ndërtuar kështu:

Të gjitha fjalët janë të renditura sipas alfabetit, duke filluar nga shkronjat e para (së pari i gjejmë fjalët me A, pastaj fjalët me B etj.; abetare – baba – cak …).

Brenda shkronjës së parë fjalët janë renditur sipas shkronjës së dytë (te A-fjalët së pari gjenden ato me aa, pastaj ato me ab, pastaj ac, aç, ad etj.: abetare – acar – açik – adresë).

Brenda shkronjës së dytë ato janë renditur sipas shkronjës së tretë: abdikim – abetare – absolut – abuzim etj.

Këshilla për ushtrime (më mirë është vetë i dytë!)

  • Puno lista me emra, kafshë ose vende, që fillojnë të gjitha me shkronjën e njëjtë (p.sh. Italia, India, Iraku, Islanda). Renditi pastaj sipas alfabetit me shkronjat e dyta!
  • Merr skeda të vogla dhe kopjo prej fjalorit fjalë, të cilat fillojnë me shkronja të njëjta. Përziej skedat dhe pastaj renditi sipas shkronjave të dyta dhe të treta!
  • Merreni fjalorin dhe shtroni të dy së bashku pyetje të tilla: «Cila fjalë vjen e para: mësoj apo mëtoj? ditë apo dritë? parakaloj apo parandaloj?»

M.3
Përdori fjalët ballore!

Fjalët ballore janë fjalët që, në shumicën e fjalorëve, qëndrojnë në pjesën e sipërme të çdo faqeje apo faqeje të dyfishtë. Ato të dëftojnë që, p.sh., në këtë faqe (apo faqe të dyfishtë) qëndrojnë fjalët prej «mësimdhënës» deri «mëtoj». Në këtë mënyrë mund të dallosh shpejt se a gjendet në këtë faqe fjala jote e kërkuar.

Këshilla për ushtrime:

  • Shënoji disa fjalë. Pastaj kërkoji në fjalor, duke shikuar posaçërisht në fjalët ballore.
  • Shtroni të dy së bashku pyetje të këtilla: «Cilat janë fjalët ballore në faqen ku qëndron fjala «elefant?» – «Ndërmjet cilave fjalë ballore qëndron fjala ‹dëfryes›?»


5.4
Edhe këtë duhet ta dish, nëse ti kërkon në fjalor:

  • Ndonjëherë fjalët e përbëra nuk i gjen fare në fjalor. Shiko për secilën fjalë, veç e veç! (Shembull: Kur nuk e gjen dot «babagjysh», atëherë shiko ndaras për «baba» dhe «gjysh»!)
  • Emrat në fjalor gjithnjë qëndrojnë në numrin njëjës. Nëse e kërkon shumësin e një emri (p.sh., «libra») duhet të shikosh njëjësin («libra» e gjen te «libër»).
  • Foljet në fjalor (në gjuhën shqipe) gjithnjë qëndrojnë në veten e parë njëjës të mënyrës dëftore. Nëse e kërkon një folje në një formë të caktuar (p.sh., «ai sheh»), në fjalor duhet ta kërkosh në veten e parë njëjës të mënyrës dëftore («ai sheh» e gjen te forma «shoh»).

Tabela e pëmbajtjes