11.1
Metoda kllaster (kllaster do të thotë grumbull idesh)
Kjo teknikë i lë rrugë të lirë imagjinatës tënde dhe përfytyrimeve tua. Kjo të ndihmon në mënyrë krijuese për të mbledhur idetë dhe për të gjetur rrjedhën e veprimit.
Pra, kllasterin e bën kështu:
- Merr një fletë (A4 ose më të madhe), dhe vendose para vetes tërthorazi. Shkruaje në mes me të mëdha temën ose fjalën kryesore, për atë që bëhet fjalë (p.sh. «mall për atdhe», «diskriminimi»). Rrethoje këtë fjalë ose këto fjalë.
- Shkruaj tani për këtë fjalë rreth e rreth e përmbledhtas çdo gjë që të vjen në mendje (të gjitha përfytyrimet tua, idetë, mendimet). Rrethoji, gjithashtu, fjalët e reja dhe lidhi me fjalën kryesore në mes.
- Për çdo fjalë të rrethuar, ti mund të shkruash përsëri fjalë të reja dhe t‘i rrethosh. Kështu në fund ndërtohet një rrjet i tërë me ide dhe përfytyrime.
Dhe kështu shkohet më tej – prej kllasterit tek teksti:
- Vështroje kllasterin tënd në qetësi.
- Mendoje, pastaj, se cilat fjalë të rrethuara ndërlidhen, në mënyrë që do të mund të krijohet një tekst (hartim, raport, prezantim). Këto lidhje ose logjikime ngjyrosi me një ngjyrë tjetër. Ndoshta ke nevojë për më shumë ngjyra për pjesë të ndryshme. Ndoshta duhet të shkruash edhe rrathë të rinj ose lidhje të reja.
- Vazhdo të punosh kështu për aq kohë derisa të shohësh qartë se si do të mund të ndërtohej teksti yt. Vendos numra për rendin e mendimeve nëse kjo të ndihmon.
- Fillo tani për t‘i shkruar në letër. Shumë sukses!
11.2
Metoda Mind-Map
Kjo teknikë është veçanërisht e përshtatshme në qoftë se ke për të shkruar një tekst faktik ose referat, në të cilën struktura dhe ndërtimi janë të rëndësishme që nga fillimi.
Kështu e bën një hartë idesh:
- Merre një fletë (A4 ose më të madhe), dhe vendose para vetes tërthorazi. Shkruaje në mes me shkronja të mëdha temën ose fjalën kryesore për të cilën bëhet fjalë (p.sh. «Energjia atomike po ose jo», «Historia e Shqipërisë»). Këtë fjalë ose këto fjalë rrethoji.
- Pas kësaj fjale kryesore puno disa degë kryesore (vija të trasha) për aspektet/fushat/nëntemat më të rëndësishme të temës sate. Shkruaji emrat e degëve kryesore. (Tek energjia bërthamore p.sh.: rreziku / përfitimet / krahasimi me burime të tjera të energjisë.)
- Nga degët kryesore mund të zgjerohet me nëndegë anësore.
- Edhe degët anësore mund të degëzohen më tej.
Dhe kështu shkohet më tutje:
- Vështroje Mind-Map-in tënd në qetësi, mendohu se a mos mungon diçka e rëndësishme. Mind Map-i është i gatshëm dhe i suksesshëm atëherë kur të jep një ide për temën tënde si një hartë.
- Në varësi të përdorimit, ia vlen të përpunohet mind-map-i edhe më tutje (për shembull, nëse e ke bërë atë si përgatitje për një tekst apo prezantim):
- Përdor ngjyra të ndryshme dhe shigjeta për t‘i nxjerrë në pah gjërat që shkojnë së bashku.
- Numëroji degët kryesore dhe anësore, ashtu si do t‘i përshkruash ato më pas në tekstin tënd.
- Përdor eventualisht simbole; për shembull, për të nxjerrë në pah gjërat që do t‘i ilustrosh në referat me figura.
- Bëje pastaj në hapat e ardhshëm punën tënde.
11.3
Metoda e skedave
Preji rreth 20 skeda të vogla dhe vëri ato para vetes. Mbylli sytë dhe prit derisa të mund të vijë ndonjë ide për temën tënde. Shkruaje atë në skedë. Secila ide shënohet në një skedë të vetme. Ndoshta duhet të presësh pak, apo të ecësh nëpër dhomë, derisa të t` kenë ardhur në kok` ide të mjaftueshme. Nëse ke 10–15 skeda të shkruara atëherë shiko se çfarë shkon së bashku dhe mund të të japë një tekst. Vazhdo me skeda të tjera pa u ngutur dhe plotësoji ato me skeda të reja, derisa përafërsisht mund të paramendosh që nga to mund të dalë një tekst.