Përveç të shkruarit, të folurit është fusha e dytë e madhe e përdorimit të gjuhës. (Në fakt, edhe e para: si në historinë e njerëzimit, ashtu edhe në atë të pothuajse të gjithë individëve, teknikat e kulturës së të shkruarit dhe të lexuarit paraqiten vetëm pas një periudhe të gjatë të komunikimit thjesht me gojë.)
Gojëtaria i përfshin të dy aspektet e të dëgjuarit dhe të folurit. Me këtë adresohen fusha përvetësuese (të dëgjuarit / të kuptuarit e së dëgjuarës), dhe fusha prodhuese (të folurit) në komunikimin gojor. Në veçanti, me këtë edhe është sinjalizuar se përkrahja e të dëgjuarit luan rol të barabartë dhe të rëndësishëm, kur bëhet fjalë për zhvillimin e kompetencave komunikuese.
Puna në fushën e të folurit duhet të zbatojë rregullat e veta, por nuk rrjedh veçmas nga përkrahja e të shkruarit. Përkundrazi, të dyja këto fusha të mëdha gjenden me njëra-tjetrën në një marrëdhënie që mund të përshkruhet si qarkuese: Ajo që është ushtruar në fushën e të shprehurit me gojë, i hyn në shërbim pastaj të të shkruarit dhe, anasjelltas, të shkuarit e zhvilluar ndikon në diferencimin e të shprehurit me gojë.
Tek karakteristikat e veçanta të përdorimit të gjuhës së folur përfshihen pikat e mëposhtme, të cilat janë me rëndësi edhe për punën në shkollë:
- Në situatat e komunikimit me gojë, bashkëbiseduesit /et gjenden zakonisht në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Me këtë është i mundur përdorimi i mjeteve mimike, i gjesteve dhe shenjave joverbale, të situatës (p.sh., të dhëna për një person në afërsi ose për qiellin me re). Këto mjete ndihmojnë për të mbështetur mirëkuptimin, i cili është i arsyeshëm dhe funksional kundrejt «shpejtësisë» së komunikimit gojor. Në situatat e të shkruarit, në të cilat hapat «të shkruarit» dhe «të lexuarit» zhvillohen në kohë të ndryshme dhe që, nëpërmjet përpunimit dhe rileximit, mund edhe të përsëriten, kjo është krejt ndryshe. (Një pozitë të veçantë, në të cilën ne nuk do të hyjmë këtu, marrin bisedat telefonike apo shkëmbimet me shkrim.)
- Në aspektin gjuhësor, të folurit i ndjek rregullat e veta, të cilat ndryshojnë nga ato të gjuhës së shkruar. Kështu fjalitë e paplota, ndërprerjet e fjalive, përsëritjet, ndryshimi përzgjedhës gjuhësor (për shembull, nga gjuha e parë në gjuhën e shkollës ose nga gjuha standarde në dialekt), kërcime asociuese etj., janë normale dhe nuk pengojnë në bisedat e përditshme ose vetëm në raste të jashtëzakonshme. Në rastin e të folurit «të kulturuar», si për shembull në një referat në shkollë, vlejnë normat e rrepta të drejtuara më shumë në të shkruarit. Por, edhe këtu, patjetër do të ishte gabim të kërkohet nga nxënësit/et që ata të flasin pothuajse «si libër.» Megjithatë, kjo nuk do të thotë që duhet të heqim dorë nga situatat e trajnimit, në të cilat ushtrohet qëllimisht një stil i pastër me gojë dhe i cili duhet të praktikohet në kontekste motivuese (prezantim skenik, referat etj).