Në vëllimin bazë të kësaj serie (doracaku dhe libri i punës Bazat dhe arsyet) gjendet ky formulim vijues mbi sfidat dhe detyrat e mësuesve/eve të MGJP (Kap. 2 A.3):

«Veçanërisht është me rëndësi dhënia dhe trajtimi i të gjitha normave të pashkruara dhe pritjeve të cilat vlejnë në vendin e migrimit, e për të cilat nuk janë të vetëdijshëm para së gjithash prindërit e emigruar nga familjet me më pak arsimim. Këtu numërohen, për shembull, rregullat e pashkruara por natyrisht të vlefshme për kohën e ‹saktë›, kur duhet të shkojnë fëmijët e vegjël e të mëdhenj për të fjetur, çka duhet të hanë për mëngjes apo çka duhet të hanë tjetër, si praktikohet puna e detyrave të shtëpisë ose e vendit të mësimit në shtëpi etj. Për t’u informuar këtu për këto informacione dhe për t‘i dhënë ato më tutje, është një nga detyrat e rëndësishme të mësuesve/eve të MGJP»

Për këto rregulla të pashkruara dhe për normat, problemi qëndron në atë se këto rregulla për‚ vendasit‘ (së paku për ata nga shtresa me arsim të lartë) janë aq të qarta dhe të vetëkuptueshme, saqë nuk përmenden pothuajse fare në mënyrë të hapur. Tashmë si mësues/e e MGJP ka nevojë për pak kohë, për t‘i përmbledhur normat dhe pritjet më të rëndësishme; për prindërit ose fëmijët nga familjet me pak arsimim kjo është edhe më e vështirë. Programi inovativ i 10 hapave në pjesën II të kësaj broshure përpiqet të ofrojë ndihmë në mënyrë shumë konkrete dhe praktike. Lexuesit dhe lexueset i udhëheq në parakushtet bazë për punë efektive dhe sukses në shkollë. Këtu numërohen, p.sh. rregullimi i një vendi të punës, qetësia, kohë të përcaktuara të punës, puna me plan etj. Për secilin hap gjenden sqarimet, këshillat dhe ushtrimet konkrete për zbatim. Përpunimi i programit (i përfshirë në 10–14 ditë) çon në ushtrimin dhe zotërimin e pashkruar të «rregullave të lojës», më të rëndësishme, të cilat shumë fëmijëve dhe të rinjve nga familjet më pak të privilegjuara në aspektin social dhe me më pak arsimim, nuk do t‘u ishin kurrë të qarta.

Për përdorimin e programit trajnues 10 hapësh janë të mundshme skenare të ndryshme:

  • Programi do të diskutohet me tërë klasën dhe përpunohet, për shembull, si një projekt i përbashkët «Ne e optimizojmë mësimin tonë». Për nxënësit/et e rinj hapat 5–10 duhet të thjeshtohen dhe të përshtaten.

  • Programi do të përpunohet me një grup më të vogël nxënësish/esh të motivuar, të cilët natyrisht edhe i shkëmbejnë përvojat e tyre me të tjerët.

  • Programi do të përpunohet me nxënës/e veç e veç, ose disa nxënës/e, të cilët janë të dobët në shkollë dhe përkrahen pak nga familja. Prindërit dhe, nëse është e mundur, edhe mësuesi i klasës, duhet domosdoshmërisht të jenë të përfshirë. Programi ka mbi të gjitha funksionin e një mase emergjence për ta shpëtuar karrierën e rrezikuar shkollore.

Pa mbështetjen e prindërve për ta përpunuar programin, për disa nxënës/e mund të jetë një mbingarkesë. Për t‘i entuziazmuar prindërit për këtë projekt, në kuadër të MGJP, është edhe më e rëndësishme ngase mësuesi i sheh nxënësit/et zakonisht vetëm një herë në javë. Çfarë mund të bëj mësimdhënësi i MGJP në aspektin e punës së suksesshme me programin 10-hapësh mund të përmblidhet si më poshtë:

1. T‘i informojë prindërit për projektin «Përpunimi i një programi trajnues për mësim të suksesshëm» dhe për rregullat e pashkruara, por shumë relevante për suksesin shkollor. Kjo bëhet më së miri në kuadër të një mbledhjeje me prindër ose të diskutimeve prindërore. Si material mund të jepet (nëse është e nevojshme: në vend të saj) një fletë informacioni (shih më poshtë).
Ideale do të ishte sigurisht një bashkërendim me mësuesit e klasës; që këta kanë interes për këtë program 10-hapësh, është shumë e mundshme.
2. Kopjimi i programit nga pjesa II e kësaj bro- shure; fletët të përmblidhen në një fletore dhe t‘u jepen çdo fëmije.
3. Në dy (ndoshta tri) javë, gjatë të cilave nxënësit/et e përpunojnë programin, në MGJP të tematizohen përvojat përkatëse, problemet dhe sukseset, të jepet kohë për diskutime dhe shkëmbime e këshilla. Gjithashtu, të sigurohet një bisedë përfundimtare pas përpunimit të programit.

Modeli për një fletë informuese për prindërit

(i menduar si model po që mund të ndryshojë)

 

 


Tabela e pëmbajtjes