Udhëzime:

  • Ky ushtrim më së miri është që të ndahet në dy javë: në javën e parë të bëhet një hyrje në temë dhe në javën e dytë do të mbahen referatet. Gjetja e një objekti të mirë dhe përgatitja e referatit prej 5–10 min. pasojnë si detyrë shtëpie.
  • Nëse janë në shfrytëzim kompjuterët, natyrisht mund të përdoren programet e prezantimit si PowerPoit ose Prezi.
  • Është e kuptueshme që kompetencat e fituara tek ky ushtrim hyjnë në shërbim edhe për referate të tjera në MGJP dhe në mësimin e rregullt.

Rrjedha:

  • M i informon N (klasën ose grupin e nivelit) për projektin, për mbajtjen e referateve të shkurtra për një objekt ose një personalitet nga kultura e prejardhjes (p.sh. një send i veshmbathjes, një specialitet ushqimor, një suvenir nga pushimet, një fotografi nga një ndërtesë, pikturë ose të një personaliteti..). Si model dhe hyrje M e mban vetë një referat të tillë të shkurtë (maksimum 5–10 min.) Është e përfytyrueshme që ai/ajo gjatë referimit në pjesë të caktuara të bie ndesh me disa rregulla dhe p.sh. flet me zë të qetë ose monoton.
  • Në bazë të referatit të M, do të përpunohen këshillat për një referat të suksesshëm, ose nëse kjo tashmë është bërë, përsëriten. Krahaso për këtë hap më lart nr. 30, me një listë përkatëse të këshillave.
  • Si ndihmë plotësuese M e përpunon bashkë me N se si është ndërtuar një referat i suksesshëm; këtu ai/ajo vë në dispozicion për pjesë të veçanta të referatit edhe mjete shprehëse, gjegjësisht pjesë të ndërtimit të fjalive në gjuhën e parë ose i përpunon këto me N:
    • Përshëndetja, hyrja dhe sqarimi i rrjedhës. Shembull: «Unë ju përshëndes ju me rastin e referatit tim mbi XY. Së pari do t‘ju tregoj diçka për A, pastaj për B …».
    • Tri deri katër pjesë të temës të prezantohen në mënyrë të ilustruar; në këtë rast deklarohen kalimet në to («Kaq për këtë pikë. Tash do të vijmë tek pjesa tjetër e temës, pra …»).
    • Përfundimi, në të cilin bëhet edhe njëherë një kthim tek fillimi dhe/ose pikat kryesore edhe njëherë do të përmblidhen. Të jepet rasti për t‘i sqaruar pyetjet. Të falënderohen dëgjuesit/et. («Unë u kam treguar juve për XY. Unë shpresoj që ju para së gjithash e keni kuptuar ….. A keni edhe ndonjë pyetje? Shumë faleminderit për dëgjimin e vëmendshëm.»)
  • Si përkrahje për mbamendje, N e marrin një fletë me këshillat më të rëndësishme (shih tek nr. 30) ose një kopje (eventualisht të thjeshtë) të materialit M14, nga broshura «Strategjitë dhe teknikat mësimore».
  • Nëse mbetet ende kohë, N duhet të mendohen tashmë për objektin e tyre dhe ta skicojnë referatin në formë të një mind-maps (harte të mendimeve). Detyrë për javën tjetër: referati i shkurtër (5–10 min) të përgatitet dhe të ushtrohet.
  • Në javën tjetër do të mbahen referatet dhe pastaj do të diskutohet në aspekt të përmbajtjes si dhe të kualitetit të gjuhës dhe respektimit të këshillave të referatit.

Tabela e pëmbajtjes