Jo vetëm shkolla fillore, por edhe mësimi në gjuhën e prejardhjes (MGJP) synon të mbështesë të gjithë nxënësit/et në zhvillimin e identitetit të tyre. Zhvillimi i identitetit personal dhe ballafaqimi me të kushtëzon një dialog plot emocion gjatë tërë jetës së individit me veten dhe mjedisin.

Në një kontekst shumëkulturor dhe shumëgjuhësor, para nxënësve/eve shtrohen kërkesa të rrepta, kur është fjala për të pohuar identitetin e tyre dhe për të përjetuar veten si vetëveprues, në kuadrin e pluralizmit të mjediseve jetësore, të situatave ekonomiko-shoqërore e të pabarabarta dhe të vlerave të ndryshme.

Nxënësit/et e MGJP nuk mund t‘i shpëtojnë, as ballafaqimit me statusin e tyre minoritar dhe me prejardhjen e tyre kulturore, por as nuk mund t‘i mohojnë veçantitë e tyre kulturore. Në proceset e vazhdueshme të marrëveshjeve midis tyre dhe mjedisit të tyre, ata janë, në njërën anë, të varur nga pranimi në shoqëri dhe, nga ana tjetër, janë të varur nga hapësirat dhe vendet e sigurisë dhe të identifikimit, ku i tematizojnë përvojat e të qenit të përjashtuar dhe ku mund të sigurojnë identitetin e tyre.

MGJP mund t‘u ndihmojë nxënësve/eve për të pasqyruar përvojat e tyre të ndryshme dhe për t‘i përpunuar ato. Në këtë mënyrë, ky mësim, mund të luajë rol të rëndësishëm, kur është fjala për zhvillimin e çiltërsisë dhe të tolerancës në raport me diversitetin kulturor në shkollë dhe në shoqëri. Nëse ky proces do të ketë sukses, nxënësit/et do të jenë të mbështetur për të fituar përvojën e vetëveprimit dhe solidaritetit dhe për t‘i zbuluar pikat e forta të personalitetit dhe aftësitë e tyre. Ata mësojnë t‘i perceptojnë dhe t‘i vlerësojnë aftësitë dhe potencialet e tyre të identitetit kulturor, etnik dhe shumëgjuhësor, si pjesë e identitetit të tyre dykulturor. Ata ballafaqohen me përkatësitë e ndryshme personale dhe me prejardhjet kulturore, mësojnë t‘i dallojnë të përbashkëtat dhe dallimet dhe nëpërmjet kësaj zbulojnë veçantinë dhe individualitetin e tyre. Në bazë të ngjashmërive dhe dallimeve brenda grupit, ata mësojnë të njohin përkatësitë e tyre transnacionale si diçka të vetkuptueshme në shoqërinë e globalizuar botërore. Në të njëjtën kohë, ky pranim dhe vlerësim i identiteteve të të gjithë nxënësve/eve me pjesët e personalitetit të tyre të ndyshëm social dhe kulturor, e përkrah bashkëjetesën dhe të mësuarit e përbashkët në klasë.

Të nëntë propozimet mësimore vijuese ndihmojnë në promovimin e përkrahjes së përceptimit, pasqyrimit dhe të aftësisë për të vepruar në kuadër të MGJP.

Si pikënisje shërbejnë shpesh përvojat identitare, burimet dhe potencialet e nxënësve/eve. Sigurisht luan rol të rëndësishëm edhe mësimdhënësi me përvojat e tij personale dhe me përvojat me të tjerët, të cilat i sjell si një burim për përgatitjen dhe zbatimin e mësimdhënies.

Se cila pjesë e kompetencave dhe në cilën njësi qëndron në plan të parë, shihet në tabelën e dhënë në fund të librit. Kategorizimet për klasat dhe nivelet janë përfshirë gjerësisht; shumica e propozimeve mund të zbatohen me modifikime të vogla edhe në ciklin e lartë apo të ulët.


Tabela e pëmbajtjes