Vërejtje paraprake:

Sugjerimet e mëposhtme marrin më shumë kohë dhe janë veçanërisht të përshtatshme, para së gjithash, për ditët e projektit. Ditët e projektit ose projektet ditore në MGJP, me dy ose tri orë në javë, tradicionalisht nuk zhvillohen fare. Megjithatë, idetë e mëposhtme janë të përsosura për bashkëpunim mes MGJP dhe mësimit të rregullt, ose në mes të grupeve të ndryshme të MGJP, qoftë në kontekstin e ditëve të veçanta të projektit, qoftë si ditë brenda një jave të projektit të shkollës përkatëse. Një tjetër kontekst për sugjerimet e mëposhtme janë pushimet e verës ose kurset verore, të cilat i ofrojnë disa bartës të MGJP.


2.7a Historia e migrimit e familjes sime

Rrjedha:

  • Projekti është i ndarë në të paktën dy faza (p.sh. në dy gjysmëdita të një jave projekti). Në fazën e parë, do të sistemohen pyetjet në lidhje me historinë e migrimit të familjes dhe do të përpilohet një pyetësor (shembujt për pyetjet shih më poshtë). Këtyre pyetjeve N u përgjigjen vetë në një punë individuale. Pastaj do të bëhet një shkëmbim në grupe të vogla.
  • Si detyrë shtëpie do të intervistohen prindërit ose gjyshërit apo të afërmit e tjerë. Përgjigjet do të regjistrohen në formë të shkruar dhe do të sillen në shkollë.
  • Në fazën e dytë rezultatet do të dokumentohen dhe vlerësohen. Për këtë qëllim mund të bëhen pllakate dhe pastaj të prezantohen, diskutohen dhe të krahasohen. Aspekte të rëndësishme: shkaqet e migracionit; paraqitja në një hartë të botës apo të Evropës; ndikimi i migrimit mbi familjen në aspektin ekonomik, kulturor dhe gjuhësor. Pllakatet mund të plotësohen me fotografi, objekte, grafika.

  • Shembuj të pyetjeve të intervistës:
    • Pyetjet në lidhje me sfondin personal të emigrimit (Ku ke lindur? Kur ke ardhur këtu? Sa vjeç ishe në atë kohë? Çfarë kontaktesh ke me të afërmit e tu? Si kujdesesh për këto kontakte? Si flet ti me prindërit e tu, vëllezërit dhe motrat e tua? etj.
    • Pyetjet për historinë e migrimit të prindërve/gjyshërve/fqinjëve (Ku keni lindur, ku jetoni tani? Pse keni ardhur këtu? Si flitet në familjen tënde për vendin e prindërve të tu, gjyshërve të tu? Çfarë festash të veçanta festoni në familje; kush merr pjesë në ato festa; çfarë hahet? Në cilat grupe, shoqata, institucione ndjeheni se i përkisni? Cilat kontakte i mbani në vendin e prejardhjes dhe në vendin e emigracionit? Si e vlerësoni nga perspektiva e sotme vendimin tuaj për të emigruar? Cilat ëndrra dhe dëshira janë përmbushur, cilat jo?)

2.7b Shumëllojshmëria kulturore në lagjen tonë

Rrjedha:

  • M do të informojë klasën: Në bazë të intervistave dhe një reportazhi në lagje, do të bëhet ndërgjegjësimi dhe reflektimi ndaj diversitetit kulturor dhe shkaqeve të migrimit në një kontekst më të gjerë se sa vetëm në familjen personale dhe grupin etnik. Projektin e çon më tutje propozimi 2.7a në mënyrën më optimale.
  • Me tërë klasën ose në grupe do të formulohen pyetjet për intervistat me fqinjët/et dhe njerëzit e tjerë të lagjes. Si bazë shërbejnë pyetjet nga intervistat në projektin 2.7a. Ato do të plotësohen me të dhënat mbi vendin e prejardhjes, gjuhën, kohën e migrimit.
  • Vlerësimi kryhet në mënyrë analoge me atë në projektin 2.7a, shih më lart.

2.7c Emigrimi ka të bëjë me ne të gjithë!

Rrjedha:

  • Si një vazhdimësi autentike e intervistave nga projekti 2.7b do të ftohen në mësim migrantë/e nga rrethe të ndryshme kulturore (p.sh., të njohurit apo fqinjët/et nga mjedisi i M, ose N) për të treguar historinë e tyre të emigrimit. Paraprakisht M mund të diskutojë me N fazat më të rëndësishme dhe aspektet e biografisë së emigrimit dhe të hartojë një model, që mund të përmbajë pikat si p.sh., prejardhja, arsyet për emigrim, udhëtimi, ardhja, situata e tanishme, dëshirat.
  • N mbajnë shënime gjatë të rrëfyerit në modelin e tyre. Mbi gjendjen e vendit gjatë migrimit mund të bëhet edhe një hulumtim si detyrë shtëpie, ose mund të lexohet një tekst-bazë.
  • Diskutim përfundimtar për pikat e përmendura dhe për krahasim me situatat personale të migrimit dhe motivet.

Tabela e pëmbajtjes