Nxënësit/et e MGJP, ashtu si gjithë fëmijët dhe të rinjtë e tjerë, kanë biografi të veçanta. Ajo që i dallon ata nga fëmijët dhe të rinjtë «vendas» të rritur në mjedisin njëkulturor dhe i bën ata të veçantë, është historia e tyre – qoftë kur ata e kanë përjetuar vetë migrimin, qoftë kur janë rritur si fëmijë apo nipa/mbesa të prindërve ose gjyshërve të emigruar. Në të dyja rastet, sfondi i emigrimit është një burim i pranishëm tek këta të rinj, edhe pse këta nuk e marrin vlerësimin përkatës në shoqëri.

Në MGJP, sfondi i emigrimit, origjina e kulturës dhe jeta në kultura dhe mes kulturave të ndryshme përbëjnë temat kryesore. Nëpërmjet trajtimit të historisë personale të emigrimit, pasqyrohet ndikimi i emigrimit në biografinë personale dhe kështu nxënësit/et bëhen të vetëdijshëm për sfidat me të cilat ata duhet të përballen në vendin mikpritës. Nga ana tjetër, ata bëhen të vetëdijshëm për resurset e tyre specifike dhe mësojnë se si mund t‘i përdorin këto në jetën e përditshme. Ata mësojnë ta njohin procesin e emigrimit, si pjesë të historisë së familjes së tyre, dhe zhvillojnë respektin dhe vlerësimin për veten e tyre, për të arriturat dhe përvojat e prindërve dhe të gjyshërve.

Përveç historisë së vet të migrimit, nxënësit/et duhet të ballafaqohen edhe me atë të kolegëve/eve dhe njerëzve të tjerë nga rrethet e kulturave të ndryshme në lagje, në mënyrë që të mund të përjetojnë diversitetin kulturor në mënyrë të vetëdijshme dhe ta bëjnë atë të dukshëm. Në bazë të analizës së biografive të huaja të migrimit, ata mund të mendojnë sërish në lidhje me historinë e vet, si dhe të kenë gjithashtu mirëkuptim për të tjerët. Ky mësim biografik ua mundëson atyre për t‘i njohur shkaqet e shumta dhe pasojat e migrimit, si dhe për të mësuar mbi shanset dhe sfidat në bashkëjetesën e njerëzve me kultura të ndryshme. Në të njëjtën kohë ata mësojnë, në këtë ballafaqim me biografitë e migrimit në nivele të ndryshme, për të kuptuar raportin shoqëror, politik dhe ekonomik me migrimin dhe për të zhvilluar strategjitë dhe mundësitë e tyre për veprim. Ata zhvillojnë tolerancën dhe miratimin për diversitetin kulturor dhe gjuhësor dhe me këtë zgjerojnë edhe kompetencat e veta ndërkulturore.

Bazën për të shtatë propozimet mësimore në vijim e formojnë përvojat identitare, resurset dhe potencialet e nxënësve/eve. Sigurisht, një rol të rëndësishëm luan edhe mësimdhënësi me përvojat personale dhe të jashtme, të cilat i ka si resurs për shfrytëzim në përgatitjen e njësive mësimore.

Kategorizimet për klasat dhe nivelet janë shumë të gjera; shumica e propozimeve mund të zbatohen me përshtatje përkatëse në nivelet e veçanta.

Tri propozimet (2.7 a-c) kanë të bëjnë me projekte më të gjera, të cilat janë veçanërisht të përshtatshme si projekte bashkëpunimi me mësimin e rregullt në kuadër të ditëve të projektit apo javëve të projektit.


Tabela e pëmbajtjes