Kur komunikojmë, ne nuk shkëmbejmë vetëm informacione. Ne gjithmonë dërgojmë sinjale edhe për llojin e marrëdhënies që kemi me ata që janë përballë nesh. Përveç kësaj, stili ynë i komunikimit është – qoftë në përmbajtje apo në nivelin e marrëdhënieve – gjithmonë i ndikuar edhe kulturalisht. Kjo ka të bëjë, për shembull, me ngritjen e zërit, gjestet, afërsinë ose largësinë ndaj personit që kemi përballë, kontaktit trupor me bashkëbiseduesin, elementet «rituale» në fillim dhe në fund të komunikimit (pyetje në lidhje me shëndetin etj.), të biseduarit drejtpërdrejt me të cilin njeriu mund të paraqesë një shqetësim etj. Të gjitha këto aspekte janë kulturalisht të veçanta. Kjo nuk vihet re tek dikush brenda kulturës së vet, por në komunikimin ndërkulturor, d.m.th. në komunikimin me anëtarët e një kulture tjetër mund të çojë në keqinterpretime, pasiguri dhe keqkuptime. Përveç kësaj, në kontekstin e migracionit mund të ndihmojë edhe fakti se komunikimi këtu shpesh karakterizohet nga asimetritë e pushtetit dhe klishetë për të huajt. Edhe më e rëndësishme është një marrëdhënie e ndërgjegjshme, e ndjeshme diferencuese me komunikimin ndërkulturor, e cila ndihmon për një aftësi të lartë vepruese në kontekste multikulturore dhe multigjuhësore.
Një ndihmesë të rëndësishme në ndërtimin e kompetencës ndërkulturore të komunikimit mund dhe duhet ta japë edhe shkolla. Kjo vlen si për mësimin e rregullt në klasat heterogjene kulturore, ashtu dhe për mësimin në gjuhën e prejardhjes në grupin homogjen në aspektin kulturor dhe gjuhësor. Kjo njësi jep nxitje dhe shembuj se si mund të zhvillohet ndjeshmërizimi dhe kompetenca ndërkulturore në proceset e komunikimit në MGJP. Duke përdorur ushtrime të ndryshme, simulime dhe luajtje të roleve, nxënësit/et i perceptojnë proceset e komunikimit dhe reflektojnë sjelljen e tyre të komunikimit, mësojnë t’i njohin kurthet e komunikimit ndërkulturor dhe të zhvillojnë strategjitë për përmirësimin e sjelljes personale komunikuese. Sigurisht një rol të rëndësishëm luajnë edhe vetë burimet dhe përvojat e nxënësve/eve, të cilët për çdo ditë duhet të lëvizin në kultura dhe mes dy kulturave, të orientohen dhe të kuptohen.