Mësimi, në përgjithësi, dhe mësimi në gjuhën e prejardhjes, në veçanti, kanë për qëllim që t‘i integrojnë të gjithë fëmijët dhe të rinjtë, me tregimet, ndikimet, parakushtet dhe vetitë individuale të tyre në një realitet të përbashkët në kuadër të klasës dhe të shkollës. Është e vlefshme të zhvillohen rregullat dhe mënyrat e të sjellurit që çojnë bashkërisht në bashkëpunime të frytshme. Mësimit dhe M i takon detyra për t‘i përceptuar konfliktet e shfaqura dhe për t‘i tematizuar në atë mënyrë që të gjenden mundësitë e të sjelljurit në përshtatje me zgjidhjen e mundshme të problemeve.

Konfliktet ndodhin në jetën e përbashkët të përditshme në shkollë në mënyrë të pashmangshme. Kjo ndodh sa herë që interesat e individëve apo të grupeve janë në kundërshtim me interesat e individëve apo grupeve të tjerë. Arsyet mund të jenë mospërputhjet në bashkëpunim apo edhe paragjykimet dhe mendimet, të cilat përplasen me njëra-tjetrën.

Krahasuar me klasat e rregullta multikulturore, grupet e MGJP kanë veçorinë se janë homogjene në aspektin gjuhësor dhe të kulturës së prejardhjes. Por, edhe në MGJP fjala është për të parë komunitetin shumëkulturor dhe shoqërinë e vendit mikpritës si një realitet dhe një gjë të natyrshme. Vetëm kështu konfliktet e shfaqura mund të zgjidhen brenda kuadrit të një qasjeje reflektuese dhe të arsyeshme. Çdo nxënës/e i takon një grupi të caktuar etnik, por është, para së gjithash, edhe pjesë e një grupi tjetër më të madh.

Prandaj, zgjidhja e konflikteve nuk duhet të orientohet sipas përkatësisë së një grupi etnik, por në përkatësinë reale të një bashkësie shoqërore të vërtetë multikulturore. Për ngritjen e kompetencës ndërkulturore, për të cilën bëhet fjalë këtu, edhe MGJP mund të japë një ndihmesë të rëndësishme.

Ndër detyrat e mësuesit është që konflikteve t‘u kushtojë vëmendje dhe që nxënësit/et t‘i shkollojë në kompetencën e tyre perceptuese, reflektuese dhe vepruese. Qëllimi për këtë është që të gjenden dhe të provohen strategjitë e menaxhimit të konflikteve dhe zgjidhjet, të cilat janë të rëndësishme për bashkëpunimin dhe shëndetin mendor të të gjithë atyre që janë të përfshirë. Natyrisht, zgjidhjet e tilla të konflikteve nuk duhet të krijojnë tëhuajësime të reja, nuk duhet të betonojnë stereotipet, nuk duhet t‘i thellojnë ndarjet ndërmjet palëve në konflikt. Këtu nuk është fjala vetëm për harmoninë aktuale në klasë. Shumë më tepër këto përmbajtje mësimore mund të shihen si përgatitje shumë e mirë për jetën në shoqëri.

Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj teme, një bashkëpunim mes mësuesve të MGJP dhe të atyre të klasëve të rregullta do të ishte këtu veçanërisht për t‘u përshëndetur. Nëntë propozimet mësimore në vijim tregojnë, se si nxënësit/et në nivele të ndryshme e në fushat e pjesshme të kompetencës së perceptimit, reflektimit dhe veprimit mund të punojnë në kompetencën e tyre sociale dhe atë të zgjidhjes së konfliktit. Për kompetencat e pjesshme në të cilat është përqendruar kjo njësi, gjendet një pasqyrë në fund të broshurës.

Propozimet për klasat dhe nivelet janë shumë të gjera dhe duhet të kuptohen si këshilla, të cilat edhe mund të modifikohen. Gjëja më e
rëndësishme këtu është roli i mësimdhënësit, i cili tek formimi i këtyre kompetencave të përmendura, pikëpamjeve dhe mënyrës së sjelljes edhe një herë, është më shumë se vetëm një ndërmjetës, trajner dhe shoqërues i kujdeshëm dhe i vëmendshëm i proceseve të të mësuarit dhe të sjellurit.


Tabela e pëmbajtjes