Zhvillimi i shoqërive moderne shtron një pyetje të rëndësishme. Ajo ka të bëjë me faktin se e drejta për liri e mbështet automatikisht edhe zhvillimin e shoqërive laike, pluraliste dhe të hapura. Ky zhvillim përkrah një jetesë gjithnjë e më shumë të individualizuar. Pyetja: Si munden këto shoqëri pluraliste, në raport me vlerat thelbësore, megjithatë të gjejnë një marrëveshje minimale, e cila të jetë e detyrueshme për të gjithë qytetarët/et? Nëse mungon pra një marrëveshje a konsensus i tillë, shoqëria përbëhet vetëm nga individë pa marrëveshje të detyrueshme dhe rrezikohet të bjerë.

Themelet e demokracisë, si dhe të drejtat e njeriut dhe të drejtat e fëmijëve, janë të pranuara dhe të vlefshme pothuajse në të gjitha shtetet. Ato ndihmojnë që qytetarët/et të diskutojnë mes tyre. Përveç kësaj, ato kanë ndihmuar në masë të madhe në modernizimin e sistemeve politike, ekonomike dhe kulturore në botë. Megjithatë, themelet e demokracisë dhe të drejtat e njeriut dhe të drejtat e fëmijëve nuk duhet të merren si të vetëkuptueshme. Çdo brez duhet të japë ndihmesën e vet për zhvillimin e tyre, duhet të negociojë rishtas dhe të angazhohet që këto parime të lidhura dhe me të drejtat, të respektohen edhe në të ardhmen.

Të drejtat e njeriut, mbi të cilat mbështeten të drejtat e fëmijëve, kanë një traditë të gjatë. Pararendës dhe paralele mund të gjenden në besimet fetare të mëdha botërore dhe në shumë rryma filozofike. Të drejtat moderne të njeriut u prezantuan për herë të parë gjatë kohës së Iluminizmit dhe frymëzuan revolucionin amerikan dhe francez. Në ditët e sotme ato janë të sanksionuara si ligje themelore në kushtetutat e shkruara (apo të pashkruara) të demokracive moderne. Që nga fillimi, të drejtat e njeriut ishin veçanërisht të rëndësishme për t‘i mbrojtur anëtarët e dobët në shoqëri nga ata të fortit. Kjo është arsyeja pse të drejtat e fëmijëve janë aq të rëndësishme: të miturit janë në mesin e grupeve ku statusi i tyre ligjor ndaj pushtetit ekzekutiv është më i butë.

Modelet e mëposhtme mësimore u japin mësuesve dhe nxënësve mundësinë për të shkuar bashkërisht në rrugën drejt një demokracie të përjetuar në shkollë dhe t‘i zbulojnë drejtpërdrejt të drejtat e fëmijëve.


Shënim:

modelet e mësimdhënies rrjedhin nga versioni në gjermanisht i përpunuar nga Gollob, Rolf; Peter Krapf; Wiltrud Weidinger (editors) (2008): Teaching democracy. A collection of models for democratic citizenship and human rights education. Council of Europe Publishing.


Tabela e pëmbajtjes