Parashtrimet vijuese lidhen me didaktikën e sotme të të shkruarit në vendet gjermanishtfolëse, por natyrisht i reflektojnë edhe zhvillimet ndërkombëtare. Karakteristike për konceptin e ri të 30 vjetëve të fundit është nocioni «Didaktika e të shkruarit të tekstit» i cili e ka zëvendësuar termin e mëhershëm «Mësim hartimi». Me këtë lidhet një nocion teksti shumë më i gjerë, larg nga hartimi shkollor klasik.

Në pikat thelbësore të didaktikës së shkrimit të tekstit (i cili ndoshta pjesërisht dallohet edhe nga ajo që e sjellin shumë mësimdhënës të mësimit në gjuhën e prejardhjes nga arsimimi i tyre personal) numërohen pesë pikat vijuese. Ne po i paraqesim ato në raport me mësimin në gjuhët e prejardhjes dhe do t‘i sqarojmë disa pika plotësuese në kapitullin 4, të cilat janë specifike dhe shumë të rëndësishme për këtë mësim.

a) Të mundësohet që të shkruarit të përjetohet si kategori sociale: të sqarohet për kë dhe për çka shkruhet!

Me përjashtim të rasteve të pakta (p.sh., ditari, fletë blerëse) të shkruarit është një proces komunikues njerëzor me të cilin njeriu i drejtohet një apo më shumë njerëzve, për t‘iu thënë diçka ose për të arritur diçka. Këtë karakteristikë të procesit të të shkruarit do të duhej që nxënësit/et të mund ta përjetojnë vetëdijshëm si praktikë dhe veprimtari sociale që nga fillimi. Me fjalë të tjera: nëse nga nxënësit/et do të kërkohet të shkruajnë, ata duhet të dinë, për kë dhe për çka shkruajnë, gjegjësisht çfarë ndodh me tekstin pasi që të shkruhet. Vetëm që të shkruhet thjesht për mësimdhënësin dhe lapsin e tij të kuq, kjo definitivisht nuk është e mjaftueshme si referencë adresimi.

Në vend të kësaj mësimdhënësi duhet të mendohet (eventualisht bashkë më nxënësit-et) në çdo rast të të shkruarit, çfarë duhet të ndodhë me tekstet (të lexohen ose të paraqiten para klasës, të lidhen në një libër, të përdoren në formë të korespondencës etj.). Idetë për referencën e adresimit gjenden në kapitullin 12, ato natyrisht lejojnë që të përdoren në situata dhe raste të ndryshme të të shkruarit.

b) Raporti me botën jetësore dhe të fantazisë së nxënësve/eve, detyra motivuese në të shkruar

Temat e rasteve të të shkruarit duhet të qëndrojnë në raport të ngushtë me botën jetësore të nxënësve/eve por edhe me dëshirat e tyre, ëndërrat dhe fantazitë. Për ta arritur këtë raport duhet së pari dhënia e detyrave përkatëse, motivuese. Të tilla gjenden me bollëk në propozimet vijuese mësimore, duke filluar nga të thjeshtat, shembuj shkrimi të një niveli të ulët e deri te projektet e mëdha. Është e nevojshme, së dyti, një përgatitje përmbajtësore paraprake (të shumtën gojarisht) dhe një dakordim i nxënësve/eve. Këtu përfshihen udhëzime të qarta, të prera, si dhe pritjet dhe kriteret, në të cilat nxënësit/et mund të orientohen. Planifikimi përmbajtësor dhe i saktë i detyrave me shkrim, me vështrim referencën/at e adresimit, i takon pa kurrfarë dyshimi profesionalitetit të mësuesve/eve të sotëm/të sotme.

c) Nocioni i zgjeruar për shumëllojshmëritë e tekstit, mediat dhe funksionet e të shkruarit

Derisa më herët në shkollë para së gjithash janë shkruar hartime përjetimi, nxënësit/et e sotëm përgatiten për një varg shumë më të gjerë të shumëllojshmërisë së teksteve, ashtu si edhe i përgjigjet jetës reale: sipas situatës do të duhej të përmblidhen raporte, formulare, sms, letra, pllakate, poezi të thjeshta, kërkesa, tekste fantazie, tregime me ilustrime etj.

Në këtë rast do të duhej të përdoreshin edhe mediat e reja si kompjuteri, ose telefoni i dorës/smatphone me mundësitë e tyre (përpunimi i tekstit, e-mail, sms, blogs, chat). Kjo është e mundur edhe në mësimin e gjuhës së prejardhjes dhe çon tek një varg i projekteve interesante në të shkruar, siç edhe tregojnë propozimet mësimore në pjesën praktike.

d) Të shkruarit i përcjellur («i drejtuar») dhe i lirë («i nxitur»)

Në kuptim të një përkrahjeje efektive do të duhej që në rastet e të shkruarit shkollor të jepen situata të përcjellura (të drejtuara) dhe të lira (të nxitura).

Tek të shkruarit e përcjellur ose të drejtuar në plan të parë qëndron ndërtimi dhe zgjerimi i kompetencave të pjesshme gjuhësore (p.sh. leksiku, fillimet e fjalive, modele të ndryshme sintaksore, ndërtimi i tekstit). Për këtë fokus nxënësit-et marrin pak a shumë specifikimet e detajuara dhe udhëzimet, të cilat ata do t‘i zbatojnë. Një formë veçanërisht e lartë didaktike është e ashtuquajtura scaffolding (nga anglishtja scaffold = skele), tek e cila nxënësit/et mbështeten fort në një strukturë të paradhënë, këtë e ndryshojnë me përmbajten e tyre personale dhe kështu e zgjerojnë kompetencën e tekstit me një aspekt të ri (p.sh. variacioni i një letre përmes zgjedhjes së një adresimi të ri, «tregime paralele», tek të cilat mbi modelin e dhënë do të ndërrohet, fjala vjen, një figurë, një vend ose një send.

Në bazë të vlerës së kësaj procedure edhe për nxënësit/et e dobët në aspektin gjuhësor në mësimin e gjuhës së prejardhjes do të merremi me këtë në mënyrë speciale në kapitullin 4 a; krahaso edhe nxitje të ndryshme praktike në pjesën III.

Si raste të lira apo nxitëse të të shkruarit do të shenjohen ato raste, në të cilat nxënësit/et do të nxiten për një temë apo projekt shkrimi (p.sh. përmes një dakordimi gojor për një temë fantazie ose përmes një bisede paraprake për një tekst tematik, por pa u orientuar ngushtë me një model të paradhënë. Pritjet e komunikuara qartë dhe eventualisht kriteret në raport me tekstin e pritur, i përkasin gjithashtu këtij lloji. – Rastet e të shkruarit krejt të lirë pa dakordim dhe përgatitje («ju keni tash një gjysmë ore të shkuani diçka») i mbingarkojnë shumë nxënës/e. Me rëndësi në këtë kontekst me të shkruarit e lirë është që nxënësit/et të inkurajohen që të shkruajnë në gjuhën e tyre edhe jashtë shkollës (letra, ditar, e-mail-e etj.).

e) Orientimi i procesit dhe përkrahja e qartë e strategjive të të shkruarit

Shumë nxënës/e ndjehen të mbingarkuar me detyrat në të shkruar, nëse ata mendojnë vetëm në produktin e kërkuar final. Është ndihmuese që në vend të kësaj të fokusohen tek procesi. Nxënësit/et duhet të mësojnë strategjitë, se si një proces të të shkruarit ta nëndajnë në hapa të dukshëm dhe të mund ta përfundojnë këtë në një renditje të kuptueshme. Hapa të tillë të rëndësishëm janë: të gjenden idetë/të aktivizohen paranjohuritë – ndërtimi i tekstit të planifikohet dhe të strukturohet – teksti të përmblidhet – teksti të përpunohet – teksti të prezentohet. Në mënyrë që nxënësit/et strategjitë e të shkruarit t‘i përvetësojnë vërtet në mënyrë të qëndrueshme, duhet që dhënia e tyre të bëhet në mënyrë të qartë. Teknikat dhe strategjitë mësimore në pjesën e dytë shërbejnë mu për këtë qëllim. Dy fletë pune i përmbledhin gjërat më të rëndësishme dhe mund t‘u jepen nxënësve/eve nga klasa e katërt si mjet për përkrahje.


Tabela e pëmbajtjes