Mësimi në gjuhën amtare ose të prejardhjes (MGJP; në Zvicër GJKA, mësimi në gjuhën dhe kulturën e atdheut) luan një rol të rëndësishëm për zhvillimin gjuhësor dhe të identitetit si dhe për përkujdesjen për shumëgjuhësinë, si një rekurs vetjak dhe shoqëror me shumë vlerë. Lidhur me këtë fakt, hulumtimet, linjat drejtuese, si edhe rekomandimet e Këshillit të Evropës R(82) 18 dhe R (98) 6, janë të qarta që prej shumë kohësh. Megjithatë ky mësim zhvillohet, në krahasim me mësimin e rregullt, ende në kushte të vështira. Kjo gjë ndodh për arsye të ndryshme:
- Mësimi në gjuhën e prejardhjes në shumë vende, përsa i përket aspektit financiar dhe institucional, qëndron në themele të dobëta. Pagesa e mësim- dhënësve në Zvicër është pothuaj si kudo çështje e vendeve të prejardhjes madje edhe e prindërve.
- Mësimi në gjuhën e prejardhjes është më së shumti i lidhur jo mirë me mësimin e rregullt. Kontaktet dhe bashkëpunimi me mësimdhënësit e klasave të rregullta, shpesh zhvillohen shumë dobët.
- Mësimi në gjuhën e prejardhjes zhvillohet në më të shumtën vetëm dy orë në javë, gjë që e vështirëson punën në vazhdimësi.
- Mësimi në gjuhën e prejardhjes është, në të shumtën, vullnetarisht, detyrimi për nxënësit nuk është shumë i fortë.
- Mësimi në gjuhën e prejardhjes, si rregull, zhvillo- het si mësim në shumë klasa, në të cilin marrin pjesë njëkohësisht nxënës që nga klasa e parë e deri në klasën e nëntë. Kjo kërkon nga mësim- dhënësit aftësi të lartë didaktike si edhe aftësi për të diferencuar nxënësit në klasë.
- Heterogjeniteti i bashkësisë së nxënësve në mësimin e gjuhës së prejardhjes është veçanërisht shumë i lartë edhe në raport me kompetencat gjuhësore të nxënësve, ndërkohë kur disa sjellin nga shtëpia njohuri të mira në variantet dialektore ose të standardit të gjuhës së parë, të tjerë e flasin këtë vetëm në dialekt. Shumica që jeton tashmë në gjeneratën e dytë apo të tretë në vendin e ri të emigrimit, gjuha e atij vendi (p.sh. gjermanishtja) është bërë gjuhë e fortë, derisa gjuhën e parë e zotërojnë vetëm në variantin dialektor, dhe atë vetëm gojarisht dhe me një leksik të kufizuar rreth temave familjare.
- Mësuesit e gjuhës së prejardhjes parimisht kanë marrë në vendet e tyre të prejardhjes një arsimim të mirë bazë, por nuk janë të përgatitur për realitetin dhe specifikat e mësimit në shkollat me shumë klasa në emigrim. Mundësitë e kualifikimit në vendet e emigrimit zhvillohen në masë ende të pamjaftueshme.
Seria «Materiale për mësimin në gjuhën e prejardhjes» i përkrah mësimdhënësit e këtij mësimi në detyrën e tyre të rëndësishme e me kërkesa të larta, e me këtë dëshiron të japë ndihmesë për një cilësi maksimale të tij. Nga njëra anë është me rëndësi dhënia e principeve dhe e arsyeve të pedagogjisë dhe didaktikës në vendet emigruese perëndimore dhe evropianoveriore, (krahaso fletoren «Bazat dhe sfondet») nga ana tjetër dhënia e shtysave dhe modeleve mësimore praktike e konkrete. Përparësi përbën këtu përkrahja e kompetencave gjuhësore. Tek shtysat didaktike në mënyrë të vetëdijshme përdoren principet dhe metodat, të cilat për nxënësit janë të njohura nga mësimi i rregullt dhe tekstet mësimore përkatëse. Për këtë do të duhej që mësimi në gjuhën e prejardhjes dhe mësimi i rregullt, mundësisht t‘i afrohen njëri-tjetrit në kuptim të një koherence të madhe. Përmes faktit që mësimdhënësit e mësimit në gjuhën e prejardhjes, njohin edhe elemente didaktike dhe metoda konkrete, që janë aktuale tek nxënësit në mësimin e rregullt, ata bëjnë njëkohësisht një pjesë kualifikimi dhe shpresojmë për një forcim të formimit të tyre si partnerë të barasvlershëm në procesin arsimor me nxënësit e rritur në sfondin dygjuhësor respektivisht dykulturor.
Seria «Materiale për mësimin në gjuhën e prejardhjes» botohet nga Qendra «International Projects in Education (IPE)» dhe Shkolla e Lartë Pedagogjike Cyrih. Ajo lindi mes një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet personave profesionistë zviceranë, atyre evropianoperëndimor në njërën anë, dhe të ekspertëve e mësimdhënësve të mësimit në gjuhën e prejardhjes, nga ana tjetër. Me këtë do të sigurohet se dhënia e informacioneve dhe e shtysave u përgjigjet gjendjes faktike, nevojave dhe mundësive të mësimit në gjuhën e prejardhjes dhe se janë funksionale e praktike për këtë mësim.