Kjo broshurë i përkrah nxënësit/et dhe mësimdhënësit e MGJP në bazë të temave të zgjedhura për të ndërtuar aftësitë ndërkulturore. Këto duhet t‘i aftësojnë fëmijët dhe të rinjtë që të jenë në gjendje të ballafaqohen me kushtet e tyre të mjedisit jetësor dhe me kontekstin social. Forcimi i identitetit të tyre multikulturor dhe shumëgjuhësor mund t‘u shërbejë si një pasuri e vlefshme, kur vjen puna për të komunikuar në mënyrë adekuate, në një shoqëri shpesh kontradiktore dhe të pasigurt, për t‘i nyjëtuar pritjet dhe të dinë të merren me situatat konfliktuale.
Broshura përfshin gjashtë njësi tematike, të cilat janë ndërtuar në mënyrë identike. Secila fillon me një hyrje të shkurtër dhe përfshin shtatë propozime të veçanta mësimore, të cilat lidhen me fusha të ndryshme të kompetencave (shih më poshtë ; krahaso vështrimin në fund të broshurës). Propozimet mësimore janë të përshtatura për vite të caktuara shkollore, përkatësisht nivele të caktuara, të cilat, megjithatë, pothuajse të gjitha, lejojnë të realizohen, me përshtatje përkatëse, në çdo nivel, të sipërm apo të poshtëm.
Tek përzgjedhja e temave për të gjashtë njësitë, kriter-çelës ishte përqëndrimi në rrethanat aktuale të mjedisit dhe jetës së fëmijëve dhe të rinjve. Për t‘i mbështetur nxënësit/et në mënyrë optimale dhe autentike në fushën e tyre të mundësive vepruese dhe në vetefikasitetin e tyre, sugjerimet mësimore u hartuan në atë mënyrë që ata të tematizojnë, si potencialet për konflikt ashtu edhe mundësitë dhe burimet, dhe të përkrahin të mësuarit ndërkulturor si detyrë e tërthortë e të mësuarit në të gjitha nivelet. Gjithmonë të bashkërenduara dhe shumë të dëshirueshme janë bashkëpunimet me mësimin e rregullt apo me grupet e tjera të GJKP.
Të gjashtë njësitë paraqiten (në kllapa janë fushat kryesore të përkrahjes) si më poshtë:
1 Kultura dhe identiteti: të njëjtë, por, megjithatë, të ndryshëm! (Përkrahja e zhvillimit të identitetit).
2 Historitë e migrimitn: Bota në klasën tonë (të mësuarit biografik).
3 Gjuhët tona: Ne flasim më shumë se një gjuhë! (Vetëdijësimi për shumëgjuhësinë e mjedisit jetësor si një burim).
4 Komunikimi ndërkulturor – bashkërisht t‘ia dalim mbanë (aftësia për komunikim).
5 Konfliktet: bashkërisht të kërkohen zgjidhjet (njohja e konfliktit dhe zotësia e zgjidhjes së tij).
6 Demokracia dhe të drejtat e fëmijëve: ne do të marrim pjesë në to! (Kuptimi për drejtësinë, nocioni i demokracisë).
Shumë nga këto tema u referohen përvojave shumë personale, përjetimeve dhe pikëpamjeve të nxënësit/es. Praktikimi i tyre në klasë kërkon nga mësuesi/ja delikatesë, maturi dhe një klimë klase të karakterizuar nga besimi dhe pranimi. Pa këto parakushte të rëndësishme, rreziku është i madh që nxënësit/et nuk do të jenë të hapur për t‘i trajtuar këto tema dhe qëllimet e paraqitura më lart nuk do të arrihen ose do të arrihen vetëm pjesërisht.