• Instancat e dhënies së notave:

    Dhënia e notave tek produktet në të shkruar nuk do të duhej të jetë çështje vetëm e mësimdhënësit. Tek një koncept komunikues, i lidhur me adresim (shih lart, 3.a) shpërfaqjet e lexuesve/eve janë gjithashtu me shume vlerë dhe të rëndësishme. Ato do të duhej të përdoreshin qysh gjatë procesit të të shkruarit. Këtu janë të përshtatshme format siç është, fjala vjen, konferenca e të shkruarit (krahaso kapitullin 11.1) të cilën shumë nxënës e njohin nga mësimi i rregullt. Mësimdhënësit i takon posaçërisht roli i një instance përfundimtare të korrigjimit, i cili mund dhe duhet të japë impulse orientuese përkrahëse për zhvillim të mëtejshëm.


  • Orientimi sipas kritereve:

    Një problem kryesor i vlerësimit të hartimit ka qenë subjektiviteti i madh dhe jotransparenca. Për t‘i ikur këtij rreziku, do të duhej që së paku para rasteve të mëdha të të shkruarit të formulohen pritje të qarta për tekstet. Kjo do të duhej të ndodhte në formë të 4–5 kritereve, të cilat më së miri do të përpunoheshin bashkë me nxënësit/et. (për shembull: teksti do të duhej të ketë së paku 1 faqe, të tregojë një ndarje të qartë të hyrjes/pjesës kryesore/përfundimit, të përmbajë së paku 4 informacione të rëndësishme …). Lidhja me kriteret, edhe tek bisedimi dhe vlerësimi me nota i teksteve, kërkon transparencë dhe motivim.


  • Të vlerësohet edhe procesi:

    Tradicionalisht vlerësohet para së gjithash një tekst i përfunduar. Mu tek nxënësit/et me kompetenca të kufizuara në të shkruar nuk e marrim vesh në këtë mënyrë se me çfarë vështirësish janë ndeshur. Për këtë do të duhej t‘i kthehemi procesit të kaluar të të shkruarit. Nëse për shembull dikush e ushtron një strategji të caktuar të të shkruarit, mund të vëzhgohet se a shkruan dikush veç ashtu, ose vërtet përpiqet që ta zbatojë strategjinë e kërkuar.


  • Mënyra e shpërfaqjes:

    Dhënia prapa e një teksti të korrigjuar dhe të shënuar me një notë nuk është më i mjaftueshëm për standardet e sotme. Orientimi përkrahës do të thotë që nxënësit/et të marrin një koment ndërtues, me gojë ose me shkrim (feedback), për tekstet e tyre dhe udhëzime konkrete për punë të mëtejshme


  • Orientimi nga kompetencat:

    Orientimi në kompetencat e definuara (shpesh të diferencuara në kompetenca minimale-, normale- dhe të zgjeruara) në diskutimet arsimore është temë aktuale. Për mësimin në gjuhën e prejardhjes do të duhej të trajtohet në një kontekst më të madh. Për aspektin e gjuhës do të ishte që, ndër të tjera, të merrej lidhja me kornizën e përbashkët referuese evropiane, krahaso http://www.goethe.de/z/50/commeuro/303.htm.


Për udhëzime të vlefshme për pjesën hyrëse i falënderoj Claudia Neugebauer, Claudio Nodari, Stefan Mächler dhe Peter Sieber.


Tabela e pëmbajtjes